Inxhinierja Luljeta Bozo, është kthyer në këto 10 ditët e fundit, në një prej zërave kryesorë në media, duke qetësuar shpeshherë qytetarët, të gjendur në panik pas tërmetit të 26 Nëntorit.
Në një dalje sot për gazetarët, inxhinierja Bozo ka këmbëngulur se të gjithë shqiptarët dhe ndërtuesit duhet të kuptojnë se për të pasur godina të sigurta kanë shumë rëndësi themelet.
Lidhur me propozimin e qeverisë se do të japë para për banorët që jetojnë në zonat rurale, që të ndërtojnë vetë shtëpitë e tyre, Bozo u shpreh se duhet të ketë një ndihmë nga njësitë vendore, që të ketë specialist pranë tyre.
“Nuk mund të ndërtohet më pa themel, kaq gjë besoj se e kanë kuptuar të gjithë, nuk mund të ndërtohet kot më kot. Të gjitha njësitë vendore duhet që të ofrojnë projektues, inxhiniera dhe artitektë të cilët do të ndihmojnë banorët në procesin e rindërtimit.
Ne kemi specialistë që do të dinë ti thonë banorëve që të ndërtojnë në mënyrë të rregullt në truallin e tyre. Ka specialistë që dhe me gjysmën e vlerës duan të kountribojnë në një stituatë të tillë”, u shpreh Bozo.
Ndërkohë që lidhur me pretendimet se nga pallatet e shembura nuk janë marrë prova, Bozo tha se duhet hetuar që nga projekti i ndërtuesve, deri te studimi që është bërë mbi zonën ku janë ndërtuar.
“Kjo puna e dënimit është e një sektori tjetër, unë mendoj se prishja nuk ka ardhur pa pasur një relacion, logjika ma thotë që ka pasur relacion nga ekspertët, që kjo godinë nuk ka mbajtur më, ndoshta ndoshta mund të pritej një ekspertizë më e thelluar që të kishim prova fizike, që nga momenti që jepet leja, studimi i terrenit, e kanë neglizhuar komplet teknologjinë, është një proces shumë i gjatë shumë i ndërlikuar”, tha Bozo, ndërsa u pyet dhe për auditimin e të gjitha banesave, që sipas saj duhet të përfundojë sa më shpejt në mënyrë që banorët të qetësohen, dhe ti rikthehen rutinës.
“Në duhet të bëjmë shumë shpejt, njësitë vendore kanë staf pa eksperiencë, pa kualifikim, duhen njerëz me eksperiencë 40 50 vjeçare, duhet që ti’u japim njerëzve sigurinë që të futen brenda.
Njerëzit duhet të qetësohen sa më shpejt, të mos flenë në makina, fëmijët të çohen në shkolla, pasi janë të stresuar dhe kjo traumë mbetet për të gjithë jetën.
Auditimi i ndërtesave duhet të nisë patjetër, pasi ka ndërtesa që janë me dëmtime të strukturës, ato do të rrinin në këmbë, nëse nuk do të kishte ndërhyrje në themele dhe në muret mbajtëse”, tha inxhinierja.
Ndërkohë që lidhur me procesin e rindërtimit, inxhinierja tha se do të ishte më mirë që pallatet e vjetra të mos arnoheshin, pasi kanë një jetëgjatësi të madhe, dhe mund të shkatërrohen si pasojë e ndonjë lëkundjeje sizmike të mëvonshme.
“Është më mirë që të mos bëjmë arna, për ato ndërtime që janë në fund të jetës së tyre, më mirë do të ishte shembja e tyre, dhe riorganizimi i zonës, me rregulla të reja, dhe banorët do të jenë shumë më dakord me një zgjidhje të tillë, sesa të rrinë në godina me arna”, tha Bozo, ndërkohë që insistoi se duhet që në terren të jenë ekspertë me eksperiencë dhe të testuar me situata të mëparshme.
“Unë mendoj se vendimin final duhet ta japin ekspertët vendas, jo ata 25-30 vjeçar, pasi edhe pse kanë diplomë dhe energjinë, ju mungon eksperienca. Që të jenë të vlefshme aktet e ekspertimit duhet të jenë firmosur edhe nga grupet e huaja, në bashkëpinim me vendasit, dhe autori i projektit, pasi ai e di sesi është ideuar.
Ska vend që nuk ndërtohet, në rastet e kënetave duhet të hedhësh shumë pare, në mënyrë që ta bësh truallin e qendrueshëm”, përfundoi Bozo.