Një deklaratë që qëndron mes provokimit dhe këshillës. Daniel Passarella, kapiten i madh i Argjentinës kampione të botës në vitin 1978 ka hedhur një ide që vështirë se do t’i pëlqejë yllit aktual të La Seleccion, Lionel Messi. “Unë do t’ia hiqja shiritin e kapitenit të Argjentinës Lionel Messit. Kjo do të ishte mënyra më e mirë për t’i hequr ca nga përgjegjësia e madhe që ka mbi shpatulla”, u shpreh ai.
Pasarella e ka një ide të qartë se kush mund të bëjë kapitenin te Argjentina, dhe në fakt nuk bëhet fjalë për një nga yjet e shumtë që veshin fanellën e Albicelestes, por për një mbrojtës që në nivel klubesh luan me Everton. “Argjentina e ka një lider të madh që mund të mbushë këtë boshllëk, dhe për mua ky është Ramiro Funes Mori. Ai duhet të jetë kapiteni i La Seleccion”, tha ish-kapiteni i Argjentinës.
Për Pasarellën, ish-mbrojtës i Fiorentinës dhe Interit aftësia për të qenë një lider është diçka e natyrshme nga ajo se si luan në fushë dhe ka të bëjë me cilësitë specifike të çdo lojtari.
“Unë jam një admirues i madh i Messit dhe nuk e di nëse është e drejtë apo e gabuar ajo që mendoj, por unë e mendoj kështu. I referohem mënyrës së Messit për të qenë vetvetja dhe personalitetit të tij. Ai është një tip i ndrojtur dhe i mbyllur”. Daniel Pasarella dhe Diego Armando Maradona janë të vetmit kapitenë të Argjentinës që kanë ngritur Kupën e Botës.