Pastrimi i parave me amnistinë, bllofi i Ramës me emigrantët, miliarda eurove të krimit në ekonomi

Projekti i Amnistisë së Fiskale, më i madhi i ndërmarrë deri tani, synon të amnistojë kapitalet e padeklaruara të biznesit dhe të ardhurat e individëve, kundrejt një taksimi 3-5%. Do të zerohen borxhet tatimore të biznesit dhe individëve. Studimi i ri për informalitetin zbulon 2,7 miliardë euro në ekonominë gri. Rreziku i amnistimit të parave të krimit. Pse e është pothuajse i pamundur amnistrimi i parave të emigrantëve

Blerina Hoxha

Bizneset në të gjithë vendin po e mirëpresin amnistinë fiskale për kapitalin dhe borxhet tatimore të propozuara në shkurt nga qeveria dhe që doli sërish në skenë ditët e fundit, pavarësisht situatës së krijuar nga Covid-19.

Bizneset besojnë se amnistia do të mundësojë pastrimin e bilanceve nga borxhet fiktive që kamuflohen në bilancet zyrtare të kompanive si “detyrime të tjera të pagueshme”. Kjo lloj mënyre e akomodimit të evazionit e ka përkeqësuar artificialisht levën financiare të bizneseve, duke bërë që qindra kompani në vendin tonë të vijojnë aktivitetin me borxhe, vlera e të cilave e kalon disa herë kapitalin.

Sipas burimeve nga Ministria e Financave, projekti i amnistisë fiskale parashikon të legalizojë kapitalet dhe të ardhurat e individëve kundrejt një tatimi 3-5%, të falë borxhet e bizneseve dhe të çlirojë gati 90 mijë biznese nga regjistri pasiv e mijëra individë nga detyrimet tatimore.

Amnistia do të jetë më gjithëpërfshirësja e ndërmarrë deri më tani dhe do t’i paraprijë një politike krejt të re fiskale, që është bërë gati gjatë fundit të 2019-s në bashkëpunim me FMN-në, ndonëse zbatimi i saj mund të shtyhet në kohë për shkak të krizës së shkaktuar nga Covid 19. Amnistia fiskale synon t’i hapë rrugë një legjislacioni krejt të ri fiskal, që do të prezantohet , në varësi nga situata, vitin tjetër në një paketë fiskale afatmesme, e cila do të hyjë në fuqi në janar të vitit 2021. Ligji për amnistinë fiskale kërkon 84 vota , të cilat maxhoranca i zotëron, duke e bërë kështu projektin të realizueshëm.

Ekonomia gri, 2.7 miliardë euro

“EY Building a Beter Workingworld”, një lider global në çështjet që lidhen me taksat, ka bërë një studim për ekonominë informale të Shqipërisë. Studimi, që është prezantuar së fundmi, ka gjetur se pjesa e punësimit të paregjistruar informal në totalin e punësimit është pothuajse 40% për Shqipërinë në vitin 2017. Po kjo nuk nënkupton se njëjta situatë është edhe në ekonominë hije të Shqipërisë. Sipas vlerësimeve të EY, niveli i përgjithshëm i ekonomisë gri në Shqipëri arriti në 22.0 % e PBB-së ,shumë kjo e barabartë me 341.1 miliardë lekë 2.7 miliardë euro në vitin 2017. Nga të cilat 19.1% e PBB-së (297.0bn lekë) ishte e lidhur me pagesa të parave cash dhe 2.8% e PBB-së (44.2 miliardë lekë ekonomia hije në prodhim).

Komponenti pasiv (i cili mund të zvogëlohet përmes promovimit të pagesave elektronike) zë 57.1% të ekonomisë-hije të parave (10.9% të PBB-së, ose 164.5 miliardë lekë), ndërsa paratë që nuk mund të kalojnë në këtë sistem janë 8.2% të PBB-së, ose 148.1 miliardë lekë në Shqipëri në 2017. Reduktimi i ekonomisë së vendosur në hije mund të rrisë më tej rëndësinë e masave që adresojnë problemin e ekonomisë së hijes pasive.

Humbjet e vlerësuara të TVSH-së dhe Tatim Fitimit për shkak të ekzistencës së ekonomisë gri në Shqipëri në vitin 2017 arritën në 2.85% të PBB-së ose 44.3 miliardë lekë, nga të cilat 1.63% e PBB-së 25.3 miliardë lekë ishin të lidhura me ekonominë-hije pasive. Humbjet e TVSH-së arritën në 2.11% të PBB-së (24.2% të totalit të të hyrave të TVSH-së të mbledhura) dhe të hyrat e humbura të Tatimit mbi Fitimin u vlerësuan në 0.75% të PBB-së (35.7% të të ardhurave totale të mbledhura nga CIT).

Si do të ndahen paratë e krimit nga evazioni

Ministria e Financave do të aplikojë amnistinë fiskale në bazë të vullnetarizmit. Kjo do të thotë se të gjitha bizneset dhe individët që mendojnë se duhet të përfitojnë nga ky proces, duhet të vetëdeklarohen. Pasi të kenë bërë vetëdeklarimin, ligji për amnistinë do të ngrejë komisione të posaçme me referenca ligjore për të verifikuar origjinën e të ardhurave dhe kapitaleve që do të amnistohen, nëse kërkesa për amnisti nuk përfshin të ardhura që janë krijuar nga aktivitete të ligjshme.

Por ekspertët ekonomisë dhe bizneset hedhin dyshimin se do të bëhet ky verifikim. Kryetari i Dhomë së Tregtisë dhe Industrisë, Nikolin Jaka, kërkon që drafti i qeverisë duhet të ndajë në mënyrë të qartë paratë e krimit nga evazioni fiskal. Sipas tij, nëse nuk do të vendosen filtrat për të mos legalizuar paratë e krimit, atëherë do të konkurrohen në mënyrë të pandershme bizneset e ligjshme në Shqipëri. Në këtë rast, amnistia do t’i hapte rrugë legalizimit të ekonomisë së krimit.

Drafti i qeverisë duhet të ndajë në mënyrë të qartë paratë e krimit nga evazioni fiskal.Nëse nuk do të vendosen filtrat për të mos legalizuar paratë e krimit, atëherë do të konkurrohen në mënyrë të pandershme bizneset e ligjshme në Shqipëri. Në këtë rast, amnistia do t’i hapte rrugë legalizimit të ekonomisë së krimit

Pas amnistisë, revolucion fiskal

Kjo amnisti po aplikohet për t’i hapur rrugë një politike të re fiskale që do të ndiqet në tre vitet në vijim. Në fund të vitit të kaluar, qeveria shqiptare në bashkëpunim me FMN-në ka përgatitur një strategji të re për politikat fiskale, të cilat do të ndryshojnë tërësisht bashkë me mënyrën se si bëhet administrimi fiskal.

Burimet nga Ministria e Financave shpjegojnë se kjo politikë fiskale afatmesme synon që të rrisë të ardhurat në raport me PBB-në në 30 për qind, nga rreth 27 që është aktualisht, niveli më i ulët në Europë. Mirëpo, që kjo politikë e re fiskale të funksionojë, qeveria e Shqipërisë mendon të nisë një vit zero në sistemin fiskal, ku pas amnistisë fiskale është bërë gati të aplikojë një model të ri taksimi. Mirëpo këto projekte rrezikojnë të jetësohen për shkak të zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare, që do të mbahen gjatë vitit të ardhshëm.

Skema, ja si e kanë kamufluar evazionin bizneset në bilance

Një nga kompanitë e njohura në vend në sektorin e tregtisë për ndriçues, pajisje hidraulike dhe elektrike, i ka borxhet në bilancin e 2018-s gati 7 herë më të larta se kapitali. Borxhet që arrijnë vlerën e 10 milionë eurove, në masën 90 për qind nuk janë detyrime ndaj bankave, por raportohen nën zërin “të tjera të pagueshme”, ndërsa kapitali i kompanisë është vetëm 1,5 milionë euro. Teorikisht, kompania duhet të kishte shpallur falimentin pasi me një ekonomi me rregulla, kur borxhet janë mbi 1.5-2 herë më të larta se kapitali, aktiviteti bëhet i pamundur.
Por në rastin e Shqipërisë, kjo teori nuk gjen zbatim për të paktën 50 për qind të 200 bizneseve të mëdha, për të cilat Qendra e Kërkimeve “Monitor”, verifikoi në vitin 2014 se kishin borxhe shumë herë më të larta se kapitali në bilancet zyrtare.

Ekonomistët shpjegojnë se akumulimi i lartë e detyrimeve ndaj të tretëve është pikërisht zëri, që në një masë të madhe tregon evazionin fiskal, i cili në bilance raportohet si borxh. Të ardhurat që janë siguruar nga kompanitë prej mosfaturimit ose deklarimit më të ulët të çmimit të shitjeve, janë raportuar në bilanc si hua nga tretët.
Kontabilisti Ahmet Gjinishi shpjegon se borxhet ndaj të tretëve në bilancet e kompanive në pjesën dërrmuese të tyre është evazioni fiskal.

Në përpjekje për të paguar më pak taksa, ka biznese që kanë rritur fiktivisht detyrimet, si përmes fryrjes së faturave, ashtu dhe huave fiktive nga ortakët apo të tretët. Rudina Malaj, ekonomiste në disa kompani në fushën e tregtisë, shpjegon se disa kompani, kryesisht ato që punonin me mall të importuar dhe që e kishin të pamundur që në vendin e origjinës të “rregullonin” vlerën e mallit, pasi deklaronin në tatime fatura shitjeje malli me çmim më të ulët se ajo që realisht shisnin (me qëllim që të shmangnin detyrime të tilla si TVSH apo Tatim Fitimi) përfundonin me pasqyra financiare të mbifryra artificialisht në zërin e detyrimeve.

Ekonomistët e firmave pohojnë se një tjetër manovër e bizneseve që ka rritur detyrimet në mënyrë fiktive është marrja e huave fiktive nga ortakët apo të afërmit për të mbuluar të hyrat e pajustifikuara në arkë (të krijuara p.sh. nga diferencat e çmimeve reale me ato të raportuara, me synim shmangien e TVSH-së).

Ndonëse kjo sa vjen e bëhet më e vështirë për shkak të uljes së kufirit të transaksioneve që kryhen përmes bankave, detyrimet fiktive në bilancet e kompanive po kthehen në një gangrenë për shumë biznese, që po ndërgjegjësohen se tashmë po u kushton më shumë të mbajnë këto bilance të fryra. Ky evazion pritet të legalizohet nga Qeveria e Shqipërisë sipas një nisme për amnisti të kapitaleve që ka propozuar kryeministri Edi Rama gjatë kongresit të Partisë Socialiste në ditët e fundit të muajit shkurt.

Projekti për amnistinë, si do ndahen paratë e krimit

Kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, Nikolin Jaka, tha se biznesi ka 12 vite që kërkon amnistinë e kapitalit. Një tarifë 3 për qind, sipas tij, është e logjikshme, por ai tha se ky proces duhet të zhveshë nga amnistia paratë e krimit dhe personave dhe organizatave që janë subjekt i Operacionit Forca e Ligjit (OFL).

Por kontabilistët shpjegojnë se ky proces është shumë i vështirë, pasi paratë e krimit tashmë po pastrohen në biznese të ligjshme. Mundësitë për të ndarë rrjedhat e parasë së krimit në një biznes të ligjshëm janë të pamundura. Penetrimi i parave të krimit te bizneset është bërë një fenomen i zakonshëm në Shqipëri, teksa Banka Qendrore vitin e kaluar në raportin e mbikëqyrjes vuri në dukje se llogaritë e fryra të biznesit në banka shpesh nuk justifikoheshin me burime të ligjshme.

Drejtoria e Parandalimit të Pastrimit të Parave ka vënë në dukje se, gjatë vitit 2018 vihet re një dominim i treguesve si: transfertat e dyshimta, blerjet e pasurive të paluajtshme/luajtshme me burim të panjohur të fondeve, përdorimi i llogarisë individuale për qëllime biznesi me derdhjet e larta në para fizike, si dhe sponsorizime, dhurime, dhënie huaje nga për të tretë te biznesit që shpeshherë janë tentativa për pastrim parash nga krimi dhe korrupsioni.

Paratë e emigrantëve, amnistia shqiptare nuk funksionon në juridiksione të tjera

Amnistia që ka propozuar qeveria shqiptare ka në fokus edhe legalizimin vlerave monetare të emigrantëve, të krijuar kryesisht nga puna në të zezë. A.N. që ka një biznes të mesëm në sektorin e ndërtimit në afërsi të Frankfurtit, tha se e ka të pamundur të legalizojë të ardhurat që ka krijuar nga evazioni fiskal në Gjermani, edhe pse qeveria shqiptare mund ta mundësojë amnistinë.

Ai pohon se ka krijuar një sasi parash cash, duke bërë evazion fiskal, të cilat nuk i ka deklaruar në bankë. Paratë janë krijuar duke paguar taksat e punës në shtet për 10 punëtorët e tij për orë më të shkurtra pune nga sa punohet në të vërtetë. Punonjësit e tij punojnë gati 10 orë në ditë por A.N. paguan sigurimet dhe tatimet mbi pagën për 6 orë punë në ditë.

Çfarëdolloj ligji të miratojë qeveria shqiptare, A.N. thotë se nuk prevalojnë në Gjermani dhe ky evazion nuk mund të transferohet nëpërmjet sistemit bankar dhe asnjë kanali tjetër zyrtar. Ai tha se edhe në rast të një transferimi cash, e ka të pamundur të hapë një llogari me emrin e tij në Shqipëri.

Dënimet për evazion fiskal janë shumë të rënda në Gjermani dhe se është një sistem vigjilent verifikimi për llogaritë e bizneseve gjermane jashtë vendit. Sistemet tatimore gjermane janë të afta të gjurmojnë llogaritë e tatimpaguesve në banka të tjera përveç Gjermanisë. Prej më shumë se 10 vitesh, aktivitet biznesi në Gjermani, A.N. ka arritur në konkluzionin se nuk ia vlen të bësh evazion fiskal. Në Gjermani është e pamundur që të rifusësh në sistem paratë e akumuluara me evazion. Madje, shumë shpejt ato nuk mund të përdoren as për gjëra të vogla konsumi, pasi Gjermania po shkon drejt reduktimit total të blerjeve në cash.

Juristi Adriatik Llapaj pohoi se procesi amnistisë fiskale nuk mund t’iu shërbejë emigranteve. Ai tha se emigrantët nuk mund të deklarojnë të ardhurat që i kanë siguruar në të zezë në bankat e vendeve ku janë. Kjo veprimtari konsiderohet vepër penale me ligjet në fuqi të shteteve përkatëse. Sisteme të ngjashme kanë edhe vende të tjera të zhvilluara, ku jetojnë emigrantët shqiptarë. Paratë dhe kursimet që janë grumbulluar nga evazioni fiskal dhe puna në të zezë nuk mund të transferohen në rrugë të ligjshme në Shqipëri, për shkak se amnistia fiskale nuk është e vlefshme në juridiksionet ku jetojnë dhe punojnë emigrantët shqiptarë.

Juristët

Paratë dhe kursimet që janë grumbulluar nga evazioni fiskal dhe puna në të zezë nuk mund të transferohen në rrugë të ligjshme në Shqipëri, për shkak se amnistia fiskale nuk është e vlefshme në juridiksionet ku jetojnë dhe punojnë emigrantët shqiptarë.

Precedentët shqiptarë të amnistive

Qeveritë shqiptare që nga viti 1999 kanë tentuar në vazhdimësi të aplikojnë amnisti fiskale gjithëpërfshirëse, por nismat nuk janë mundësuar pasi maxhorancat parlamentare të mëparshme nuk kanë pasur 84 votat e nevojshme për të miratuar ligjin për amnistinë e madhe fiskale, që përfshin legalizimin e kapitaleve të fshehura dhe pastrimin e borxheve tatimore.

Përpjekja më e madhe e këtij lloji është bërë nga qeveria “Berisha”, në vitin 2011. Qeveria demokratike e drejtuar nga ish-kryeministri Sali Berisha, hartoi një ligj “Për legalizimin e kapitalit dhe faljen e një pjese të borxhit tatimor dhe doganor”, që synim kishte faljen apo fshirjen nga regjistrat e kontabilitetit tatimor të detyrimeve dhe gjobave të papaguara deri më datën 31.12.2010.

Amnistia u falte pjesërisht tatimpaguesve borxhet tatimore dhe doganore të tilla si:

– detyrimet tatimore të personave fizikë, të regjistruara si subjekt i taksës vendore të biznesit të vogël, të mbetura të papaguara e që i përkasin periudhës tatimore deri më 31 dhjetor 2010;

– detyrimet tatimore të papaguara të individëve për periudhën tatimore deri më 31 dhjetor 2010.

– detyrimet tatimore të papaguara të tatimpaguesve, persona juridikë apo persona fizikë, të regjistruar si subjekt i TVSH-së, që janë të evidentuar në regjistrat e administratave tatimore deri në datën 31 dhjetor 2008.

– të gjitha detyrimet e prapambetura të pronarëve të mjeteve për taksën e regjistrimit të përvitshëm të mjeteve dhe taksën vjetore të qarkullimit rrugor për periudhën deri më 31 dhjetor 2010.

– iu falen detyrimet për këto taksa, për të gjitha mjetet e dala jashtë qarkullimit, por të paçregjistruara deri në datën 31 dhjetor 2010.

Sipas ligjit të vitit 2011, do të faleshin detyrimet e papaguara të tatimpaguesve subjekt i TVSH-së, nga 1 janar 2009 deri më 31 dhjetor 2009, nëse tatimpaguesi, paguan 30 për qind të principalit të tatimit. Ndërsa për ata tatimpagues të regjistruar si subjekt i TVSH-së, që janë të evidentuar në regjistrat e administratave tatimore në periudhën 1 janar 2010 deri më 31 dhjetor 2010, falen nëse tatimpaguesi paguan 50 për qind të principalit të tatimit. Po ashtu, ka pasur edhe një sërë faljesh të tjera, si për detyrimet shoqërore apo për efektivitetin e kasave fiskale.

Më vonë, në një raport të KLSH-së për “amnistinë e gjobave”, në maj të vitit 2018, thuhet se për atë vendim nuk ka ende asnjë shifër konkrete se sa ka përfituar buxheti. “Nuk mohohet ndikimi që ka dhënë në rritjen e të ardhurave të buxhetit, sidomos të viteve 2012-2013, kur edhe kjo amnisti është zbatuar. Thuhet se janë përfituar me miliarda lekë nga kjo amnisti, sidomos për legalizimin e kapitalit në drejtim të rivlerësimit të tokave dhe banesave, por nuk pati asnjë bilanc konkret për përfitimet”.

Në fillim të vitit 2016, ish-ministri i Financave, Arben Ahmetaj, ndërmori një nismë për amnisti të pjesshme fiskale, e cila nuk u finalizua tërësisht. Drafti paraprak i faljes fiskale, i propozuar në korrik 2016, parashikonte faljen e plotë të detyrimeve deri në vitin 2011 dhe pas këtij viti do të falej 30% e detyrimit dhe gjobat e kamatë-vonesat për ata që paguanin pjesën tjetër prej 70% të detyrimeve.

Në shtator 2016, drafti i faljes u la pezull, pas kundërshtimeve të FMN-së, e cila kërkoi me forcë që të fshiheshin vetëm ato detyrime që ishin të pamundura për t’u mbledhur dhe të bëhej maksimumi për të arkëtuar detyrimet e mbledhshme. Edhe ministri i Financave, Ahmetaj, u tërhoq dhe tha se nuk ka falje të detyrimeve, por “nga viti 2010 deri në vitin 2014 do të ketë lehtësi për ata që paguajnë detyrimin e plotë. Ata që paguajnë detyrimet do të kenë lehtësi në interesa dhe në gjoba, ndërsa atyre që nuk i paguajnë, do t’u mblidhet detyrimi me forcë me anë të gjithë instrumenteve”.

Kompanitë VIP, të zhytura në borxhe

Qendra e Kërkimeve “Monitor” ka përpunuar të dhënat e bilanceve të vitit 2013 për 200 kompanitë më të mëdha sipas qarkullimit vjetor (përjashtuar institucionet financiare) të dorëzuara në QKR dhe ka nxjerrë treguesin e detyrimeve mbi kapitalin, që tregon se sa pjesë e aktivitetit financohet nga fondet e vetë kompanisë dhe sa me borxhe.

Nga përpunimi i të dhënave rezulton se nga 200 kompanitë më të mëdha sipas qarkullimit vjetor (përjashtuar institucionet financiare), 51% kanë një raport të detyrimeve ndaj kapitalit më të lartë se 1.5, sa është dhe kufiri maksimal, ku një sipërmarrje vlerësohet se ka aktivitet të qëndrueshëm. 4% e kompanive janë me kapital negativ, ndërsa pjesa tjetër e ka këtë tregues të qëndrueshëm. Kompanitë me nivel të lartë detyrimesh në raport me kapitalin janë ato të tregtisë, sektorit të hidrokarbureve, por edhe kompani të ndërtimit.

Në vitin 2014 ishin së paku 8 kompani në listën e 200 më të mëdhenjve sipas xhiros me kapital negativ, të krijuar si rrjedhojë e kalimit të humbjeve në kapital. Raporti optimal i borxhit ndaj kapitalit konsiderohet të jetë 1, pra detyrimet-kapitalin, por ky raport është shumë i varur nga industria specifike, sepse varet nga përbërja e aktive korente dhe jo korente. Sa më shumë aktive jo korente (si industritë me kapital intensiv), aq më shumë kapital kërkohet për të financuar këto investime afatgjata.

Për pjesën më të madhe të kompanive, raporti i pranueshëm maksimal i detyrimeve ndaj kapitalit është maksimumi 1.5-2. Për kompanitë e mëdha publike, ky raport mund të jetë më shumë se dy, por për pjesën më të madhe të kompanive të mesme dhe të vogla, kjo nuk është e pranueshme.

Kompanitë e vendeve të zhvilluara (SHBA, Europë etj.) kanë një raport prej 1.5. Fondet e aksionerëve (pronarëve) përfaqësojnë një burim të përhershëm të financimit dhe detyrimet afatshkurtra (që duhen paguar brenda një viti) janë një burim afatshkurtër i financimit të kompanisë. Mes këtyre dy ekstremeve është një burim i tretë financimi borxhi afatgjatë (më shumë se një vit)

Artikulli paraprakVeliaj: Kazhani e meriton të punojë tek ujësjellës-kanalizimet
Artikulli tjetërA ka ardhur koha për një Kryeministër jurist në Shqipëri?