Në një intervistë publike, kryeministri Edi Rama e tha hapur:
Kam dhënë dhe do të vazhdoj të jap leje ndërtimi për pallate, kulla e resorte – dhe nuk dua t’ia di se nga vijnë paratë.
Ky është një pranim zyrtar i kapjes së shtetit nga ekonomia e paligjshme, një sinjal i qartë për të gjithë botën e krimit se në Shqipëri ka një derë të hapur; nëse ke para për të investuar në beton, je i mirëpritur. Nuk pyet kush për origjinën.
Dhe kur këtë e thotë vetë kryeministri dhe Kryetari i Këshillit Kombëtar të Territorit, atëherë çdo leje ndërtimi e dhënë nga ai nuk është më vetëm autorizim urban, por bashkëpunim institucional për pastrimin e parave të krimit.
Paratë që vijnë nga krimi, ndërtojnë Shqipërinë, me izmën shtetërore
Dosjet e hapura dhe investigimet ndërkombëtare e vendase tregojnë qartë se një pjesë dërrmuese e lejeve të ndërtimit janë në duar të individëve me histori të dokumentuar kriminale.
Dhjetëra emra të lidhur me trafiqe, vrasje, grupet mafioze shqiptare dhe ndërkombëtare, kanë marrë leje për të ndërtuar pallate, vila, kulla, porte jahtesh, hotele, ferma dhe aeroporte private.
Lista është e gjatë. Por më e frikshme është heshtja e shtetit.
Sipas Ligjit Antimafia, para se të jepet një leje ndërtimi për investim, duhet të kërkohet informacion nga Policia e Shtetit, SHISH, Drejtoria e Inteligjencës Financiare, Tatimet dhe Bankat. Asnjë nga këto nuk është bërë. Sepse urdhri është politik: “Mos pengoni investitorët.”
Në fakt, në raportin vjetor të vitit 2022 në Kuvend, Altin Dumani deklaroi se 90% e sektorit të ndërtimit në Shqipëri është mbuluar nga para të pista. Por ajo që nuk tha është se SPAK nuk ka goditur asnjë nga këta emra me pasuri të dukshme e pa burim të justifikuar.
Në Shqipëri krimi ka ndërtuar jo vetëm kullat, por edhe sistemin që i legalizon ato.
Ai është ulur në zyrat e KKT-së. Është futur në ligjet e “investimeve strategjike”. Ka rrënjë në zyrat e kryeministrit, në agjencitë e territorit, në tatime, në hipotekë.
Dhe Rama, jo vetëm që nuk e ndal, por e lehtëson. E inkurajon. E mbështet publikisht. Sepse për të, zhvillimi matet me volum betoni, jo me burim kapitali.
Nëse sot ti ndërton me para droge, je zhvillues. Nëse pyet për burimin e fondeve, je sabotues.