Pastrimi i parave, Veliaj vijon ndarjen e llokmave në koncesionin për shkollat

Këtë të premte Bashkia e Tiranës ka çelur tenderin e tretë për ndërtimin e shkollave të reja në Tiranë. Godinat e reja arsimore në Zonën Tirana 3, e cila përkon me Njësitë administrative Nr.2 dhe Nr.5, do t’i kushtojnë buxhetit të kryeqytetit dhe atij të Ministrisë së Arsimit 1.6 miliardë lekë.
Kjo shumë i bashkangjitet atyre për ndërtimin e shkollave edhe në Zonën Tirana 1 dhe Tirana 2, me vlera përkatësisht 1.94 mld lekë dhe 1.57 miliardë lekë, për një shumë totale deri tani prej 5.13 miliardë lekësh.
Në shifrën e mësipërme nuk llogaritet vlera e tenderit për Zonën Tirana 4, procedurat e të cilit pritet të nisin më 24 nëntor.
Edhe për kontratën e njësive 2 dhe 5, do të aplikohet forma e koncesionit partneritet publik privat, ose PPP, ku operatori fitues do të përballojë me të ardhurat e veta të gjithë investimin për projektimin, ndërtimin, mobilimin, pajisjen me laboratorë, mirëmbajtjen, mbikëqyrjen dhe kolaudimin si dhe vënien në funksion të katër objekteve mësimore.
Vetëm pas përfundimit të ndërtimit të godinave dhe kur ato të jenë në operim, Bashkia do t’i paguajë kompanisë fituese një shumë të caktuar vjetore, deri në përfundimin e plotë të shumës së investuar brenda afateve të kontratës, 7 vite e 18 muaj.
Kjo do të thotë se për 7 vite, kompania fituese do të jetë administratore e këtyre shkollave e gjimnazeve publike.
Për Zonën Tirana 3, objektet e reja mësimore janë si më poshtë:
• Shkollë 9-vjeçare pranë rrethrrotullimit të Saukut, kapaciteti 30 klasa, 900 nxënës
• Shkollë 9-vjeçare pranë Liqenit Artificial në rrugën “Hasan Alla”, kapaciteti 30 klasa, 900 nxënës
• Shkollë 9-vjeçare në NjA Farkë, kapaciteti 24 klasa, 480 nxënës
• Shkollë e mesme pranë rrethrrotullimit të Saukut, kapaciteti 21 klasa, 630 nxënës
Më poshtë mund të shihni në hartë, se ku do të ndërtohen këto godina arsimore, por edhe ato të Zonave Tirana 1 dhe Tirana 2. Këto projekte bëjnë pjesë e projektit “1 miliard dollarë” të qeverisë shqiptare për zhvillimin e infrastrukturës në Shqipëri, brenda viteve të ardhshme, ndërsa financimi do të vijë nga buxhetet e 10 viteve në vijim. Bashkia kërkon të ndërtojë 17 shkolla fillore dhe të mesme; Bashkia do të ofrojë falas tokën publike për ndërtimin e këtyre shkollave ose në disa raste tokë private të shtetëzuar prej saj; Kostoja e ndërtimit, që do t’i paguhet privatit, është vendosur në rreth 350 euro për m2 për shkollat dhe 410 euro për m2 për kopshtet; Kostoja totale e projektit të shkollave me koncesion është llogaritur 60 milionë euro, nga të cilat rreth 40 milionë euro është kostoja e ndërtimit dhe 20 milionë euro fitimi që do t’i paguhet privatit. Projekti do të zgjasë 7 vjet.

Artikulli paraprakRonaldo: Nuk mund ta kontrolloj botën
Artikulli tjetërRama u heq mësuesve pagën e 13-të dhe shpërblimin e fundvitit