Pasuria/ Linda Rama njësoj si Argita Malltezi: Jam shtresë e mesme!

Mbrëmje e të mërkurës, bashkëshortja e kryeministrit Edi Rama, Linda Rama është pyetur nga Blendi Fevziu në “Opinion” për pasurinë e saj gjetë viteve që ka qenë e martuar me njeriun më të pushtetshëm në vend.

Linda Rama mohoi që pasuria e saj të jetë shtuar si pasojë e të qenit bashkëshorte e kreut të qeverisë dhe njësoj si vajza e ish-kryeministrit Sali Berisha, Argita Malltezi ka deklaruar se i përket shtresës së mesme.

“Unë nuk mund të shtoj pasuri se jam bashkëshorte e kryeministrit. Pasuria nuk shtohet për këto arsye.

Kam punuar këto vite njëlloj siç kam punuar në karrierën time profesionale me ndryshimin që shumë punë që i bëja më parë nuk i kam bërë më, ekspertiza, këshillime, e të tjera si këto, sepse kam gjykuar që këto nuk duhen bërë për shkak të pozicionit tim. Kam hyrë në filtrin tim të seleksionimit. Sigurisht që unë kam punuar dhe Edi ka punuar dhe ne për shkak të punës paguhemi, jemi subjekt të deklarimit të pasurive. Kjo pyetje që ju po bëni çdo gjë është e deklaruar. Çdo njeri është i lirë me të ardhurat e veta ta përcaktojë vetë kush është interesi për të menaxhuar paratë”, u shpreh ajo.

Bashkëshortja e kryeministrit tha se ata punojnë mjaftueshëm sa për të bërë një jetë të një shtrese të mesme të sigurtë.

Sipas saj, të ardhurat e saj janë pakësuar për shkak të posteve që ka refuzuar për të ruajtur etikën.

“Të ardhurat e mia personalisht nga puna dhe ekspertiza janë ulur ndjeshëm dhe për shkak të këtij filtrimi që bëj për të mos marrë përsipër punë që mua nuk më qëndrojnë nga pikëpamja etike. Sa marr unë në vit janë online deklaratat e pasurisë. Mund t’i dijë gjithkush që është i interesuar se çfarë të ardhurash financiare kemi ne në një vit. Por ne punojmë mjaftueshëm për të bërë një jetë siç mund të bëjë një shtresë e mesme e sigurtë”, theksoi Linda Rama.

Artikulli paraprakU paraqit pak më parë në SPAK, mësohet arsyeja e thirrjes së Veliaj
Artikulli tjetërBashkëshortja e Bashar al-Assad në gjendje të rënduar shëndetësore, mjekët i japin shanset 50/50 për t’i mbijetuar leuçemisë! Telegraph: Asma po mbahet në izolim për të..