Patenta e një vrasësi, si u pajis me dokumenta false

Më 22 janar, portali tesheshi.com do publikonte këtë shkrim, i cili i kushtohej mënyrës se si ia mbathi Arben Frroku nga Shqipëria, për t’u riprangosur sërish këtë fund prill. Arratisja e tij qe aq e bujshme, sa e vendosi sërish qeverinë “Rama” nën akuzë, pasi bëhej fjalë për një ikje aq të mirëorganizuar në mafiozitetin e vet, sa që dukej e pamundur mos kishte një gisht të vockël dhe vetë shteti, qoftë dhe padashje.
Shkrimi i katër muajve më parë:
Një raport sekret është dorëzuar tek kancelaritë europiane, i cili bën fjalë për implikimin e mundshëm të strukturave të shtetit shqiptar në arratisjen e Arben Frrokut, vëllait të deputetit Mark Frroku, i cili u dënua nga Gjykata me burgim të përjetshëm për vrasjen e komisar Dritan Lamajt, oficer i njohur policie. Një dokument i rezervuar që është hartuar nga agjencitë ligjzbatuese thekson se ka pasur struktura policie që nuk kanë raportuar për një lëvizje të dyshimtë, ku besohet se Arben Frroku është larguar nga kufiri me Malin e Zi, i pajisur me dokument të falsifikuar dhe pasi ka kryer një operacion plastik. Largimi i mundshëm i Frrokut pas vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë të Krimeve të Rënda, që e cilësoi të pafajshëm, është sinjalizuar nga disa raporte policore, por edhe nga agjencitë partnere. Madje, ka pasur edhe komunikime të brendshme me strukturat përkatëse; dhe mësohet se një grup i posaçëm e vëzhgonte biznesmenin nga Puka, i cili vepronte në Tiranë. Raporti thekson se, Arben Frroku nuk është larguar për një kohë të gjatë nga kompania e tij, në një lagje periferike të Tiranës. Këtë e thonë oficerët që janë marrë me vëzhgimin permanent të të dënuarit, i cili në fakt ishte i pafajshëm pas vendimit të shpallur nga gjyqtari Dritan Halluni, në Gjykatën e Krimeve të Rënda të Tiranës. Vendimi i kësaj gjykate është marrë më 3 prill të vitit 2015, ndërkohë Arben Frroku deri më 28 qershor nuk ka lëvizur fare në një perimetër të caktuar në kryeqytet. Sipas raportit të rezervuar, gjithçka ka ndodhur 4 ose 5 ditë përpara vendimit të Gjykatës së Apelit.Dhe grupit të vëzhgimit, për të cilin kishte dijeni dhe vetë Frroku, ky i fundit i ka shpëtuar, duke u shtruar në një klinikë të njohur private në vend, për një ndërhyrje kirurgjikale. Pikërisht, këtu besohet se është bërë maskimi dhe largimi, i njëjtë me atë të Bernardo Provenzano-s, bosit të Cosa Nostra-s nga një klinikë franceze. Frroku është larguar me autoambulancë nga klinika direkt në banesën e tij. Dhe prej atje besohet se ka dalë me pamjen e re dhe i pajisur me dokumente të falsifikuara nga një vend i rajonit. Siç mësohet, këtu ka ndodhur hutimi i grupit të vëzhgimit, i cili megjithatë në raportin e tij ka përshkruar me detaje shtrimin në klinikë, por edhe daljen me autoambulancë i padalluar nga strukturat. Nga ana tjetër, të gjithë njerëzve që kanë hyrë në banesën e Frrokut, u janë regjistruar edhe targat e makinës. Një makinë me targa bullgare ka hyrë në objekt dhe ky mësohet se ka qenë çelësi i arratisjes. Në raportin policor është regjistruar se në makinë kanë qenë dy persona, të përshkruar me një veshje kazuale dhe mosha e tyre është përshkruar si 35-34 vjeç. Ndërkaq edhe në dalje kanë dalë të njëjtët persona me të njëjtin përshkrim. Raporti thekson se, pikërisht kjo makinë ka transportuar Frrokun deri në Elbasan, ku siç mësohet personat kanë qëndruar gjithë natën, e më pas janë nisur për në Qafë-Thanë. Nga hoteli sërish kanë dalë dy persona, por aty është bërë ndërrimi. Dyshimet se për këtë nuk ka raport vëzhgimi, është që në hotel ka qenë një person tjetër që ka pritur pasagjerët e makinës me targa bullgare, e më pas në mëngjes, kur oficerët kanë shoqëruar për vëzhgim makinën drejt Qafë Thanës, Arben Frroku i maskuar është larguar drejt Tiranës me taksi dhe menjëherë prej aty është ngjitur për në veri, ku me të njëjtën taksi ka kaluar kufirin Shqipëri-Mal i Zi, me një pasaportë tjetër. Si taksia ashtu edhe numri i dokumentit të identifikimit, janë regjistruar bashkë me regjistrimet filmike që xhirojnë non-stop në pikën kufitare. Mësohet se është marrë në pyetje taksisti, i cili ka deponuar se nuk e dinte gjë kush ishte klienti, si dhe ka raportuar se e ka shoqëruar pasagjerin deri në kryeqytetin malazez, Podgoricë, e më pas është kthyer. Organet specializuese, në bazë të dokumentit që zotëronte Frroku, por edhe pamjes së filmuar nga kamerat, kanë nisur gjuetinë edhe nëpërmjet Interpolit, por gjithçka po mbahet sekret dhe për këtë ka edhe bashkëpunim me agjencitë partnere. Deri tani mësohet se, Frroku është ende në Europë dhe nuk e ka kaluar kontinentin për të ikur në Kubë, siç e ka denoncuar opozita. Të paktën me numrin dhe dokumentin që ka kaluar kufirin me Malin e Zi.

Kush është Renato Cepa, identiteti i dytë i përdorur nga Arben Frroku

Këto janë dy dokumentet me të cilat lëvizte lirshëm deri më datën 6 mars në Holandë, Arben Frroku. Kjo është pasaporta greke e falsifikuar dhe me identitet të vjedhur një shtetasi shqiptar, me banim në Korçë. Ndërsa kjo është patenta biometrike greke e falsifikuar ku duket fotoja e Arben Frrokut me identitetin Renato Tsepa (Cepa), vendlindja Shqipëri i datëlindjes 15.11.1967. Kjo patente siç duket është lëshuar me 14.06.2011 dhe kishte afat skadimi deri në qershor të vitit 2031, shkruan “TV Klan”.
Por kush është Renato Cepa? Televizioni “Klan” ka mësuar nga burime të Policisë së Shtetit se shtetasi Renato Cepa 49 vjeç jeton në Korçë në Lagjen numër 3, në rrugën “Nesti Dishnica”  dhe është babai i tre fëmijëve, ka jetuar për shumë vite në Greqi. Ky shtetas po kërkohet nga Policia Shqiptare të merret në pyetje si person që mund të ketë dijeni për rrethanat e falsifikimit të dokumentave të tij. Arben Frroku u ndalua me datën 6 mars në Schipol, pranë aeroportit të Amsterdamit, nga një kontroll rutinë i policisë holandeze, për verifikim dokumentacioni. Ai ka paraqitur një pasaportë dhe patentë greke, me identitetin Renato Tsepa, i lindur në Korçë, më 15 nëntor të vitit 1967.

Si u arratis vrasësi i komisarit?

Më datë 22 qershor 2015, Arben Frroku, i akuzuari për vrasjen e komisar Dritan Lamajt u dënua me burgim të përjetshëm, por policia nuk e gjeti atë në adresën e banimit. Frroku u ndalua më datë 19 qershor, në kufirin mes Malit të Zi dhe Kroacisë, pasi rezultonte në kërkim në bazë të urdhër-arrestit të parë të lëshuar nga gjykata. Hetuesit verifikojnë sistemin TIMS, por Frroku nuk rezulton i regjistruar as në dalje e as në hyrje.
Pas pafajësisë në shkallën e parë, Gjykata e Apelit për Krime të Rënda e dënoi atë me burgim të përjetshëm. Vendimi u shpall më datë 22 qershor. Por, pavarësisht këtij vendimi, i pandehuri u largua nga Shqipëria. Ai u arratis tre ditë para shpalljes së vendimit.
Në fakt, një gjë e tillë nuk do ishte marrë vesh nëse autoritetet malazeze nuk do ndalonin Frrokun në kufi me Kroacinë, pasi ndaj tij kishte një urdhër-arresti ndërkombëtar për akuzën e vrasjes. Ky urdhër edhe pse u rrëzua nga gjykata e shkallës së parë me dhënien e pafajësisë ndaj Frrokut, figuronte ende në sistem për shkak të mosrifreskimit të vendimit të gjykatës.
Më datë 19 qershor autoritetet shqiptare njoftohen nga homologët e tyre malazezë se në kufi me Kroacinë ishte ndaluar shtetasi shqiptar Arben Frroku.
Sipas të dhënave të Interpolit rezultonte se ky shtetas ishte shpallur në kërkim për akuzën e vrasjes ndaj punonjësit të policisë me një masë sigurimi të caktuar nga Gjykata e Krimeve të Rënda në Tiranë. Pas marrjes së këtij informacioni, Interpol Tirana ka nisur verifikimet dhe pasi është njohur me urdhër-arrestin ndërkombëtar ka konstatuar se ai i përkiste muajit shkurt të vitit 2013, kohë në të cilën Arben Frroku u shpall në kërkim si autor i dyshuar i vrasjes së oficerit të policisë, Dritan Lamaj.
Pas verifikimit të informacionit, Interpol Tirana ka komunikuar me kolegët malazezë, të cilët pas verifikimeve kanë lënë të lirë Frrokun, që ishte në proces gjyqësor në Gjykatën e Apelit për Krime të Rënda. Nisur nga ky informacion, autoritetet shqiptare kanë kryer verifikime mbi kohën e daljes së të pandehurit nga territori i Republikës së Shqipërisë. Por nga verifikimet në sistemin TIMS nuk rezulton që Arben Frroku të ketë dalë nga Shqipëria. Për autoritetet, ky fakt ka dy shpjegime: Frroku nuk është regjistruar në dalje nga punonjësi i policisë në pikën doganore, ose ai ka zgjedhur të largohet jo nga një pikë doganore, por nga territori i pakontrolluar i kufirit.
Në këtë pikë, hetuesit e kanë të vështirë të përcaktojnë mënyrën e largimit të Arben Frrokut, i cili tashmë duhet të vuajë një dënim me burgim të përjetshëm, pasi vendimi i djeshëm i Apelit është i formës së prerë dhe duhet të ekzekutohet menjëherë. Pas vendimit të Gjykatës së Apelit, oficerët e policisë gjyqësore kanë kryer verifikime nëse i dënuari rezulton të jetë kthyer në Shqipëri, por sistemi TIMS nuk ka të regjistruar asnjë hyrje.
Arben Frroku rezulton të ketë qenë në Shqipëri deri përpara pak ditëve nga shpallja e vendimit në Gjykatën e Apelit për Krime të Rënda, i cili u shty disa herë. Frroku u shfaq publikisht duke festuar si president i ekipit të futbollit të Pukës, i cili do të luante në superligë, si dhe organizoi një festë për këtë event. Një ditë para arratisjes, ai u shfaq në një takim elektoral me Ramën në Pukë.

Artikulli paraprakSi ndan OSHEE tenderat miliarda lekë për klientët dhe bandën
Artikulli tjetërRama-Beqja, spastrime politike në shëndetësi, punësohen militantët