Patozi: Kandidoj për kreun e PD nëse përmbushen 6 pika për zgjedhjet

Në një deklaratë për mediat nga selia e Partisë Demokratike, Astrit Patozi parashtroi dje gjashtë pikat që duhet të ndiqen, sipas tij për procesin e zgjedhjeve për kryetarin e Partisë Demokratike. Patozi ka shprehur gatishmërinë për të kandiduar për postin e kryetarit të PD në rast se pikat e parashtruara prej tij për procesin zgjedhor do të zbatohen.
“I shqetësuar për rezultatin dramatik të PD në këto zgjedhje dhe i bindur se ringritja e saj mund të ndodhë vetëm pas një procesi të ndershëm reflektimi dhe një gare të drejtë, jam këtu sot që të marr të gjitha përgjegjësitë e mia në funksion të këtij qëllimi.
I mbështetur nga një numër shumë i madh anëtarësh dhe drejtuesish të Partisë Demokratike në vite dhe i vendosur në kushtet e mosdaljes së një kandidature tjetër të vërtetë dhe serioze, deklaroj se jam i gatshëm të kandidoj për kryetar të Partisë Demokratike, në rast se do të ketë garanci të mjaftueshme për zgjedhje të lira, të ndershme dhe të pandikuara. Në emër të mijëra demokratëve, që më mbështesin në këtë sfidë, kërkoj, as më shumë dhe as më pak, por rregulla të pastra loje:
1- Dorëheqje të menjëhershme dhe jo ngrirje të kryetarit Lulzim Basha, si përgjegjësi kryesor për rezultatin zhgënjyes në këto zgjedhje. Vendosjen e tij në pozitën e çdo kandidati tjetër, që do të futet në garë, si kushti minimal për paritet. Largimin e tij nga zyra bashkë me stafin e vet dhe çlirimin e selisë nga prania e të gjithë kandidatëve derisa të përfundojë procesi për zgjedhjen e kryetarit të ri të PD.
2. Normalizimin statutor të procesit të garës, duke bërë nul veprimet e deritanishme jolegjitime, përmes vendimit të dy nënkryetarëve. Kryesia është i vetmi organ statutor që ka të drejtë të deklarojë garën dhe të garantojë barazinë.  (neni 30, pika 2 e Statutit);
3. Sekretari i Përgjithshëm duhet të marrë nën kontroll database-n e anëtarësisë, duke garantuar rregullin e kahershëm në PD që të gjitha anëtarësimet e 2 muajve të fundit (nga data 1 qershor 2017), si dhe të gjitha anëtarësimet e bëra në kundërshtim me statutin (pa një vendim të mbledhjes së seksionit apo kryesisë së degës apo Kryesisë qendrore, Neni 13 i Statutit) të mos kenë të drejtën e votës në këto zgjedhje. Listat e zgjedhësve duhet t’u jepet kandidatëve, jo më vonë se 3 ditë nga shpallja e garës. Ato duhet të publikohen e afishohen në mënyrë elektronike në web-in e kryesisë së degës e në hard copy në ambiente publike të selisë së degës së PD.
4. Kërkohet kohë e mjaftueshme debati, analize dhe reflektimi, si dhe të bërit fushatë për të gjithë kandidatët.
5. Komisioni i Organizimit dhe Kontrollit të Operacioneve Elektorale (neni 46 i Statutit) duhet të kryesohet nga një prej sekretarëve funksionalë (Organizim apo Burime Njerëzore) dhe duhet të ketë anëtarë në numër të barabartë në përbërje prej kandidatëve në garë. Ky komision duhet të hartojë dhe publikojë rregulloren e fushatës elektorale, e cila mungon për shkak të mosmiratimit nga Këshilli Kombëtar (Neni 37 i Statutit). Kjo rregullore duhet të garantojë akses të barabartë të kandidatëve në administrimin dhe vendimmarrjen e procesit të zgjedhjeve.
6.  Në bazë të nenit nr. 30, pika 2 e Statutit, Kryesia duhet të ngrejë një komision për auditimin e procesit të garës në të gjitha elementet organizative të saj. Ky komision, i kryesuar nga sekretari i Përgjithshëm, duhet të ketë në përbërje të tij një numër të njëjtë anëtarësh nga kandidatët e mundshëm në garë.
Komisioni duhet të autorizohet nga Kryesia, që të ushtrojë edhe atributet e Komisionit Qendror të Apelimit (neni 47) përderisa ky komision nuk ekziston, sepse nuk është zgjedhur nga Këshilli Kombëtar. Sipas nesh, këto kërkesa janë garancitë minimale që të shkohet në një proces të drejtë dhe gjithëpërfshirës në zgjedhjet e brendshme në PD. Ndaj pas këtij parashtrimi, ftoj zotin Lulzim Basha që të dalë mbi ambiciet personale dhe të vendosë fatin dhe të ardhmen e Partisë Demokratike mbi interesat e tij të momentit. Jam gati të punoj me të për një garë reale që synon rimëkëmbjen e shpejtë të Partisë Demokratike.
Por, në rast se kërkesat tona të drejta për një garë reale nuk do të plotësohen, ai do të marrë të gjithë përgjegjësinë për hedhjen në erë të së vetmes mundësi për nxjerrjen nga kriza të Partisë Demokratike, për shkak të atij vetë. Nëse kjo ndodh, çdo anëtari të Partisë Demokratike i lind e drejta të refuzojë dhe të mos lejojë me të gjitha mjetet demokratike një farsë elektorale, e cila synon grabitjen në tavolinë të mandatit të kryetarit nga zoti Lulzim Basha.

Artikulli paraprakZgjedhje të rreme, qeveri e pakicës
Artikulli tjetërTë përndjekurit kërkojnë hetimin e Ruçit për krime lufte