Patrik Sadikaj: Njerëzit po luftojnë për vaktin e ditës

Në ditën e 24 të qëndresës në sheshin e lirisë, për zgjedhje të lira e të ndershme, qytetarët u bënë pjesëmarrës në një bashkëbisedim me gazetarët Dritan Hila e Patrik Sadikaj.
Patrik Sadikaj  tha se sipas tij varfëria është plaga më e madhe e shoqërisë shqiptare sot. Njerëzit që luftojnë për vaktin e ditës, tha Sadikaj, nuk e kanë shumë mendjen dhe nuk kanë fuqi të luftojnë për votën e lirë. Gazetari e quajti qëndresën popullore në sheshin e lirisë, në këtë kuptim një kontribut për shoqërinë. E vetmja gjë për të cilën intelektualët, njerëzit e angazhuar, përtej bindjeve politike apo ambicieve personale, Sadikaj tha se me rëndësi është që të ndihen të lirë në mendje dhe shpirt.
Kryedemokrati Lulzim Basha theksoi rëndësinë e pranimit dhe diskutimit mbi idetë e ndryshme nga tonat, në funksion të një debati konstruktiv, i cili në fund e çon vendin përpara. Por që kjo të funksionojë, Basha tha se nevojitet një frymë qytetare dhe bashkëpunimi si ajo që sot gjendet në sheshin e lirisë nën kërkesën për zgjedhje të lira e të ndershme.
“Sot mes jush si çdo ditë ka jo vetëm demokratë dhe mbështetës të opozitës, por edhe qytetarë, madje edhe mbështetës të Partisë Socialiste, të cilët ndajnë me ne kauzën e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, ndajnë me ne kauzën e dekriminalizimit. Ju e mirëpritët dhe ndoqët çdo mesazh të Hilës dhe reaguat me inteligjencën, me mençurinë dhe me vetëdijen politike që karakterizon qytetarët shqiptarë. Duartrokitët dhe mbështetët mesazhet e z. Hila dhe ju të gjithë e kuptoni që ai nuk është këtu për të mbështetur Partinë Demokratike apo thjesht dhe vetëm opozitën, nuk është këtu as për të mbështetur Lulzim Bashën, por është këtu për të mbështetur kauzën kombëtare dhe europiane të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, kauzën e dekriminalizimit të politikës. Unë dua ta falënderoj me shumë mirënjohje. Dua t’i them se me praninë e tij sot këtu, ai dëshmon shpirtin e vërtetë të këtij sheshi të lirisë, të kësaj tende të lirisë, shpirtin e vërtetë të këtij themeli, të Republikës së re”.
Ndryshimeve të 24 orëve të fundit në kabinetin Rama, Basha i drejton vetëm një mesazh.
“Largimi i çirakëve jo vetëm nuk na shtendos nga qëndrimi që kemi mbajtur, por na inkurajon për t’i shkuar deri në fund betejës që kemi nisur. Republika e re për të cilën jemi mbledhur këtu, është në fakt integrimi i vërtetë europian i Shqipërisë, sepse Republika e re, është dhe do të jetë e tillë, vetëm kur të kemi demokraci të vërtetë, që do të thotë, zgjedhje vërtet të lira dhe të ndershme. Fuqizim i qytetarit, kufizim i pushtetit”.
Në Republikën e re, Basha tha se opozita do të ketë instrumentet e saj për të luftuar betejat e kufizimit të pushtetit të mazhorancës në mënyra institucionale.
“Po kështu në Republikën e re, mazhoranca dhe opozita do të kenë të drejta dhe detyrime të reja. Në Republikën e re, opozita e re do të ketë rolin e shenjtë të kontrollit dhe kufizimit të pushtetit të mazhorancës së re, përmes të drejtave institucionale, përmes një Parlamenti që funksionon, përmes një Kushtetute që mundëson kontrollin dhe balancën reale të pushtetit. Përmes një përfaqësimi të vërtetë të qytetarëve që do të thotë, jo noter i kryeministrit, por noter i qytetarëve dhe ditë për ditë përballë kryeministrit e përballë ekzekutivit. Kjo është detyra e Parlamentit të ri në Republikën e re. Ne i mirëpresim këta gjigantë të kurajos qytetare në këtë shesh, individë të lirë, i mirëpresim si njerëz të kauzës që na bashkon, por shpresa jonë dhe lutja jonë është që edhe kundërshtarët tanë politikë të përfitojnë nga ndërgjegjja e pastër qytetare, nga vlerat dhe virtytet e intelektualëve, njerëzve me integritet dhe që nesër me zgjedhje të lira dhe të ndershme të konkurrojnë si forca politike dhe jo si batalione të krimit dhe shqiptarët të kenë mundësi, të bëjnë zgjedhje”.
Në fund një mesazh dhe paralajmërim për atë çka rrezikon të jetë afera më e madhe e mbetjeve në vend.
“Mbrëmë, miq gazetarë nga SHBA, kanë njoftuar se janë shumë pranë zbulimit të dimensionit të vërtetë të skandalit të plehrave të depozituar në Shqipëri. Bravo për gazetarët. Nëse këto fakte, shpalosen, ashtu siç jam njoftuar, atëherë ai që qëndron prapa kësaj fasade në zyrën e tij do të duhet të zbresë e t’u shpjegojë shqiptarëve se pse i hapi dyert mijërave tonë mbetje të rrezikshme që mund të kenë filluar që tani të helmojnë, tokën, bukën, ujin dhe ajrin e shqiptarëve dhe fëmijëve të tyre. Kjo javë do të jetë përcaktuese për transparencën e këtij megaskandali. Në qoftë se është e vërtetë, kjo nuk është asgjë më pak se gjenocid ndaj shqiptarëve”, tha Lulzim Basha.

Exit mobile version