Blerja më e shtrenjtë e historisë së futbollit deri tani nuk ka treguar pothuajse asgjë dhe te Manchester United, forma e dobët që ka shfaqur Paul Pogba në këtë fillim sezoni po peshon me të vërtetë shumë. Djajtë e Kuq paguan një çmim me të vërtetë të kripur për të bërë të mundur rikthimin e mesfushorit francez në “Old Trafford”, pasi derdhën në arkat e Juventusit plot 105 milionë euro edhe pse një përqindje jo e vogël e kësaj shume shkoi në xhepat e menaxherit të lojtarit, Mino Raiola. Jose Murinjo mendonte se me një si Paul Pogba do të blindonte mesfushën e Manchester United, por deri tani ish-lojtari i Juventusit ka zhgënjyer pritshmëritë e trajnerit portugez dhe nuk ka arritur të fitojë dot zemrat e tifozëve të Djajve të Kuq. Sezonin e kaluar që ishte edhe më i miri në karrierën e 23-vjeçarit me fanellën e Juves, Pogba shënoi 8 gola në Serinë A, ndërsa dha edhe 12 asiste, te bardhezinjtë ai ishte mesfushori i kompletuar që bënte gjithçka në repartin e ndërmjetëm.
Por aventura e Pogba në Premier League ka nisur si mos më keq, sepse në këto 10 javë të para, edhe pse ka goditur plot 33 herë portat kundërshtare, francezi është një nga lojtarët me efikasitetin më të dobët në kampionatin anglez. Vetëm një gol i shënuar, ai në fitoren e thellë ndaj Leicester-it dhe nëse krahasojmë goditjet në portë me mesataren e finalizimit ajo është shumë e ulët. Vetëm 3,23% i saktë ka qenë Pogba, i cili gjithsesi ka arritur të realizojë 2 gola të tjerë në Europa League, pikërisht në duelin e “Old Trafford” ndaj Fenerbahçes. Në ligat më të rëndësishme europiane vetëm Gianluca Caprari, sulmuesi që është në pronësi të Interit, por që luan si i huazuar te Pescara ka bërë më keq se djaloshi i artë, pasi ka një mesatare finalizimi krahasuar me goditjet drejt kuadratit prej 2.94%. Ndoshta ka ende nevojë për kohë dhe në të ardhmen mund të jetë ai lideri i Manchester United, por për momentin nuk ka treguar pothuasje asgjë nga vetja dhe blerja e tij deri në këto momente është një dështim për Manchester United, pasi mos harroni bëhet fjalë për lojtarin më të shtrenjtë të transferuar ndonjëherë në një klub në të gjithë historinë e futbollit.
Tifozët e Manchester United kundër Jose Murinjo. Pas një sezoni të dobët te skuadra e Chelsea, Special One vendosi të pranonte ofertën e Djajve të Kuq për të marrë drejtimin e stolit, me shpresën se do të niste një kapitull të ri. Por, duket se një gjë e tillë nuk po ndodh, sepse të paktën në këto 10 javë të para të Premier League, gjërat nuk po shkojnë në mënyrën më të mirë për portugezin. Vendi i 8 në renditje me vetëm 15 pikë të grumbulluara dhe diferenca prej 10 pikësh nga kryesuesit, ka bërë që në radhët e mbështetësve të Manchester United të rritet pakënaqësia ndaj teknikut 53-vjeçar.
Madje, revolta e tifozëve ka shkuar deri në atë pikë, sa në rrjetin social Twitter është krijuar një profil me mbishkrimin “Mourinho out”, ose e thënë në shqip “Largoni Murinjo-n”. Momentalisht kjo faqe ka gati mbi 7 mijë ndjekës. Kërkesa është e qartë dhe e drejtpërdrejtë: të largohet portugezi, përpara se situata në radhët e United të përkeqësohet. Sipas statistikave, Special One si teknik i Djajve të Kuq deri në këto momente është më i dobët se dy paraardhësit e tij, David Moyes dhe Luis van Gal. Si të mos mjaftojë momenti i dobët në kampionat, ndaj portugezit Shoqata e Futbollit në Angli do të ndërmarrë masë dispilinore, për shkak se në takimin e fundjavës kundër Burnley, tekniku ka ofenduar arbitrin Mark Clatenburg për mosdhënien e një 11-metërshi. Pritet që Special One të ndëshkohet me gjobë dhe të skualifikohet për një ndeshje. Jeta e Jose Murinjos në Manchester duket se po shndërrohet në një ferr të vërtetë dhe nuk i ngelet gjë tjetër veçse të shpresojë se ky moment aspak i këndshëm të kalojë sa më shpejt.