Paul Pogba rigjen shkëlqimin

Rikthimi i Paul Pogba. Me ketë titull hapet e përditshmja franceze “L’Equipe”, për mesfushorin e gjelave, i cili në takimin kundër Holandës zhvilloi një 90-minutësh shumë pozitiv. Pogba ishte dhe autori i golit të vetëm që i dha fitoren Francës dhe vendin e parë në Grupin A. Një tjetër element shumë i rëndësishëm i skuadrës së Didier Dechamps, Antoine Griezman, pas përfundimit të takimit deklaroi se goli i mesfushorit i shërben shumë ekipit, por edhe vetë Pogba-së. Sulmuesi shkoi më tej duke deklaruar, se mjafton vetëm goli dhe të nesërmen gazetat do të kenë në faqen e parë të gazetës Paul Pogba duke e ngritur atë në piedestal. Kështu ndodhi, të gjitha mediat e shkruara i kanë kushtuar një rëndësi të veçantë rrjetës së 23-vjeçarit.
Pas përfundimit të takimit futbollisti i Manchester United u ndal nga gazetarët për intervistën e rastit, me këta të fundit që prej kohësh e kishin vendosur në qendër të kritikave. Përgjigjja e mesfushorit ishte: “Nuk është bukur kur të tjerët të kritikojnë. Kam fatin të luaj për kombëtaren time dhe për të jap maksimumin. Sigurisht që kam ende shumë për të mësuar pasi jam vetëm 23 vjeç. Në çdo ndeshje unë do të jap më të mirën time”.
Nëse duhet të bëjmë një krahasim të Pogba me ndonjë figurë tjetër nga bota e sportit, ai mund të jetë boksieri Mohamed Ali. Mesfushori është një fans i tij dhe njësoj si Ali, i cili me një goditje të vetme bënte të gjithë kritikët të heshtnin, e njëjta panoramë ofrohet nga ana e 23-vjeçarit.  Pas paraqitjes dinjitoze me fanellën e gjelave, radhën e ka skuadra e tij, Man.United. Tifozët e “Djajve të Kuq” presin shumë prej tij, e ndoshta dhe aty reagimi nuk do të mungojë. Ndeshja mes Holandës dhe Francës, u vendos nga një supergol i Paul Pogba-së në minutën e 31-të të takimit, i cili i dha 3 pikë shumë të rëndësishme “gjelave” në transfertë. Ndërkohë në ndeshjet e tjera, Portugalia dhe Belgjika dhuruan fitore fotokopje nga 0-6 në transfertë përballë Ishujve Faroe dhe Gjibraltarit përkatësisht. Sulmuesi i Belgjikës, Kristian Benteke, vendosi rekord në takimet ndërkombëtare teksa shënoi golin më të shpejtë në histori pas vetëm 6 sekondash lojë.
Fitore edhe për Zvicrën, Bosnjën dhe Hercegovinën, Greqinë, Hungarinë dhe Suedinë. Bjellorusia u ndal në shtëpi në barazim nga Luksemburgu.

Exit mobile version