Pavendosmëria, vetëvrasja e ngadalshme

Nga Agim Baçi

(Shënime për romanin “Konformisti” të Alberto Moravias)

Sa e mundur është të kapërcesh fëmijërinë? A janë vendimtare marrëdhëniet që ndërtojmë me prindërit në hapat e para të jetës? A mund të jemi në fund të jetës tonë vetvetja nëse kemi bërë vetëm atë që na kanë thënë të tjerët? Alberto Moravia i përket atyre shkrimtarëve që heronjtë e tij i ka në kufijtë e brishtë mes instiktit dhe pamundësisë. Duket sikur nuk denjon aspak të ketë heronj që ndryshojnë botën. Moravias i intereson ajo që rrezikon të mbetet e fshehur brenda gjithsecilit, e duke qenë e tillë, edhe mund të kthehet në bombën e ndjesive ose në fundosjen e atyre që kurrë s’arrijnë të lexojnë vetveten.
Marçelo, personazhi kryesor i rrëfimit “Konformisti” është një person që ka vulën e tij të pavendosjes dhe dyzimit në fëmijëri. Ai është personi i rritur me prindër që e kanë patur gjithnjë larg vetes, me nënën që tenton të jetojë “e lirë”, larg çdo detyrimi dhe babain i dyshuar për të çmendur. Ndërkohë, brenda gjithë ndjesive e ka të pamundur të shmangë peshën e dhunës ndaj tij, një peshë që e ka çuar në vrasjen e personit që deshi ta joshte, ish-priftit Lino.
E gjithë kjo panoramë e asaj që thur Marçelo për vetveten është një ndjesi e pandalshme pafuqie për të kapërcyer të dhunshmen brenda vetes. Nuk i bën punë as të qenurit një person i mirëarsimuar. Madje, nën këtë peshë ai është gati të marrë përsipër gjithçka, që të sigurojë një jetë të qetë.
Moravia na e prezanton Marçelon në prag të martesës me Xhulian. Kur e prezanton ai është personi që ka marrë përsipër të jetë agjenti i fashistëve. Moravia, i njohur edhe si mbështetës i antifashistëve në rininë e tij i mvesh Marçelos portretin e njeriut që kërkon të jetë në rregull me atë që i kërkohet, duke shtypur brenda vetes gjithçka që mund të dëshirojë vetë, edhe kur ajo është krejt e kundërta e asaj që bën. Guximi për të vepruar sipas dëshirës së tij, për të besuar apo kundërshtuar, për Marçelon ka marrë fund me kundërshtimin e mikut të tij të fëmijërisë, Robertit, kur ai i kërkonte të bëheshin bashkë për të vrarë hardhucat dhe qentë. I vetmi moment rebelimi ka qenë kur shokët e klasës e kanë thirrur “Marçelina”, ndërkohë që dëshira për t’u dukur e bëri të kishte historinë me Linon i cili, edhe pse nuk arriti ta dhunonte seksualisht, i la atij peshën e një mëkati të pandashëm.
Kërkesa e Xhulias pak përpara martesës që që t’ia rrëfejë priftit mëkatet i jep mundësinë të kapërcejë të fshehtën e tij. Por Marçelo nuk i përket atyre që duan të vendosin vetë, të marrin vetë në duart e tyre fatin. Ai pret të vendosin të tjerët. Merr përsipër të vrasë profesorin e tij të universitetit. Në këtë rrugëtim i bashkëngjitet Xhulia, e cila nga një adhuruese në momentin e njohjes, vjen e rritet si personazh, duke qenë më e vendosur për atë që kërkon për jetën e saj. Ajo rrëfen të shkuarën e saj, rrëfen se është përdhunuar, duke marrë përsipër edhe rrezikun se mund të braktisej nga i shoqi pas rrëfimit të së vërtetës. Një rrezik që Marçelo nuk e ndërmerr kurrë.
“…Marçeloja, para se të përgjigjej, heshti një çast. Tani ndërgjegjësohej se kishte ardhur çasti për të folur për misionin e vet, i cili, siç e dinte, parashikonte veprime të dënueshme, madje të dënuara që më parë nga normat e krishtera. E kishte parashikuar atë çast dhe me të drejtë i kishte dhënë rëndësi të madhe aftësisë së vet për ta kryer misionin. Atëherë, me një ndijim të qetë dhe të trishtuar të një zbulimi të parashikuar, vuri re, meqë gati po e hapte gojën të fliste, se ndiente një neveri të pakapërcyeshme. S’kishte neveri morale, as turp, as ndonjë lloj faji; përkundrazi, diçka krejt e ndryshme që s’kishte asnjë lidhje me fajin”. (Alberto Moravia, “Konformisti”, Përktheu Klara Kodra, “Toena”, f. 153)
Pra, vlera apo dyshimet vijnë e zerohen përballë personazhit tonë, që është gati të marrë vendimin të vrasë Kuadrin në Paris e të shohë me indiferencë historinë që gruaja e profesorit, Lina, kërkon të tundojë Xhulian në preferencat e saj seksuale. Bindja se duhet të shërbejë për atë që i kërkohet, pasi kështu mund të bëhet pjesë e pranueshme e shoqërisë, merr rolin vendimtar në jetën e tij. E pas arritjes së detyrës që iu ngarkua, duke shkelur në çdo kohë vetvetn, vjen edhe vdekja, ashtu aksidentale, si vetë jeta e tij. Ai ikën si portret i pavendosmërisë.
Jo pak kritikë në Itali apo mbarë botën e kanë konsideruar romanin e Moravisë si një libër që lidhin angazhimin e autorit me debatet mbi fashizmin dhe të majtën. Por kjo linjë mbetet krejtësisht në hije përballë pikëpyetjeve që ngre personazhi ynë lidhur me vetëvrasjen morale që shkakton konformizmi i përhershëm, kur njeriu nuk guxon të bëjë pyetjet e duhura apo të japë përgjigjet e duhura.
“Mendoi në atë çast se në rast se kishte pasur gabim, gabimi i parë dhe më i madh ishte ai se kishte dashur të dilte nga anormaliteti i vet, të kërkonte një normalitet çfarëdo nëpërmjet të cilit të komunikonte me të tjerët. Ky gabim kishte lindur nga një instinkt i fuqishëm; për fat të keq normaliteti me të cilin ishte ndeshur ky instinkt, s’ishte veçse një formë e zbrazët brenda së cilës gjithçka ishte anormale dhe arbitrare. Në përplasjen e parë, kjo formë ishte bërë copë e thërrime; dhe ai instinkt aq i përligjur dhe aq njerëzor e kishte shndërruar në xhelat atë që kishte qenë dikur viktimë”. (Alberto Moravia, “Konformisti”)

facebook 1722053296058 7222815027872718572

Artikulli paraprak“Ata që pazaret e lojërat i kanë zanat, as nuk skuqen as nuk zverdhen”/ Orjola Pampuri: Perdja e mashtrimit ra!
Artikulli tjetërVetëkënaqësia nga turizmi