Pazari 240 milionë euro PS e LSI për rritjen e çmimit të ujit

Vazhdojnë të vijnë reagime në lidhje me votimin e ditës së mërkurë në Këshillin Bashkiak të Tiranës, ku u vendos për rritjen e çmimit të ujit dhe dhënien me koncesion të 17 shkollave.
Këshilltari i PD-së, Akil Kraja me një reagim të tij thotë se, PS e LSI u bashkuan për 240 milionë euro.
Reagimi i plotë i Akil Krajës:
Vota e bashkimit PS-LSI vlen 240 milionë euro. Kjo është e vetmja e vërtetë nga mbledhja e djeshme (ditës së mërkurë) e Këshillit Bashkiak Tiranë. 180 milionë euro për UKT-në dhe 60 milionë të tjerë për koncesionin e shkollave të Tiranës. Qindra milion euro të qytetarëve të Tiranës për interesat okulte të Erion Velisë.
Por çfarë ndodhi konkretisht.
Në mungesë totale transparence, të martën në mbrëmje, këshilltarët bashkiakë të PS dhe të LSI organizuan një takim të përbashkët pa pjesëmarrjen e shoqërisë civile e as më pak të këshilltarëve demokratë mbi çështjen e ngritjes së tarifës së ujit.
Pas këtij takimi, këshilltarët demokratë lëshuan disa thirrje publike drejtuar të gjitha forcave politike në këshill e në veçanti LSI-së, të mos legjitimojnë këtë aferë okulte të Veliajt.
Thirrja jonë ishte fare e thjeshtë: 19 votat tona me 13 votat e LSI përbënin shumicën e vendimmarrjes së Këshillit (32 nga 61 këshilltarë në total). Ne mund të bllokonim Erion Velinë, por pazari 240 milionë eurosh rezultoi të ishte më i fortë.
Të mërkurën, në orën 18:00, pavarësisht thirrjes sonë, LSI luajti me dy porta. Veliajt iu dha vota, popullit iu dha fatura.
Dy këshilltarë të saj, Genta Mezini dhe Agim Kraja qëndruan në sallë dhe siguruan kuorumin e nevojshëm duke iu shtuar 25 votave të PS, 3 të PDIU dhe 1 vote të FRPD.
Ndërkohë, ende pa filluar mbledhja e Këshillit, nga salla kishin dalë të gjithë këshilltarët demokratë, si dhe shumica e këshilltarëve të LSI. E ripërsëris, të 19 këshilltarët demokratë kanë bojkotuar që në fillim seancën e djeshme (dita e mërkurë) duke mos marrë pjesë në asnjë votim apo diskutim, përfshirë rendin e ditës apo votimin e kredive të buta siç u shpif së fundmi.

Artikulli paraprakShkarkimi i dy këshilltarëve të LSI si ai i deputetit Spahiu?
Artikulli tjetërRritja e çmimit të ujit në shërbim të klientëve të rinj