Seanca e sotme plenare pritet të sjellë debate të forta mes mazhorancës dhe opozitës, pasi ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja do të japë ‘llogari’ për amnistinë penale.
Me kërkesën e Partisë Demokratike sot do të zhvillohet interpelanca me ministrin Manja, i cili do t’i përgjigjet pyetjeve të PD-së.
Kreu i PD, Lulzim Basha, e ka thënë që më herët përpara kësaj marrëveshje që nga Amnistia Penale përfitojnë të dënuar nga GJKKO, dhe me të drejtë akuzon pazarin e mazhorancën me grupin e Rithemelimin për të liruar zyrtarë të korruptuar që janë dënuar nga GJKKO.
Sipas PD-së kjo ishte një goditje për Reformën në Drejtësi dhe e vërteta ashtu rezultojë.
Nga ana tjetër, ministri Manja dhe Rithemelimi thonë se nuk është e vërtetë që kanë përfituar zyrtarë të korruptuar.
Vetë Manja ndau dje një foto teksa përgatitej për Amnistinë, ndërsa krahas saj shkroi se s’ka asgjë urgjente.
Edhe Gaz Bardhi në një konferencë me gazetarët një ditë më parë përsërit qëndrimin e tij se asnjë zyrtar i lartë i korruptuar nuk është përfitues nga amnistia.
“Asnjë zyrtar i larë i dënuar për korrupsion nuk përfiton nga Amnistia. Për ata që vazhdojnë të prodhojnë gënjeshtra na u tha që do lirohen një tufë të dënuar për korrupsion, do shqyheshin dyert e burgut, se do lirohen sekretarë të përgjithshëm dhe gjyqtarë e prokurorë për korrupsion.
Amnistia u zbatua dhe nuk ndodhi asnjë prej këtyre rasteve që u tha nga ata që politikën e bazojnë tek gënjeshtra. Nëse ju dini dikë që është dënuar nga GJKKO dhe është liruar, ta sjellin këtu dhe ta tregojnë me emër mbiemër. Amnistia ka funksionuar sipas ligjit. Është gënjeshtër, është e pavërtetë dhe hajde merremi se s’kemi me ça merremi. Gjetën diçka dhe po merren”, deklaroi Bardhi.
Prokuroria e Posaçme konfirmoi gjithashtu, se rreth 100 persona të dënuar nga Gjykata e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit përfituan nga ligji “Për amnistinë”, i miratuar me konsensus PS-Rithemelimi më 4 prill në Kuvend. 40 të dënuar përfituan falje ndërsa 60 ulje të dënimit. Mes përfituesve kanë qenë edhe 16 zyrtarë dhe 7 gjyqtarë të dënuar për korrupsion.