Nga Rigels Seliman
Sali Berisha dhe Edi Rama në fakt janë “mbarsur” pothuaj në të njëjtën ditë nga i njëjti baba politik, Partia e Punës. Nëse Partia Demokratike zyrtare vazhdon një barrë normale, Rithemelimit të Sali Berishës dhe Partisë Socialiste i kanë plasur “ujërat”, duke bërë një lindje të parakohshme dhe ndërkohë krijesa e lindur u quajt “Pazar anti-SPAK dhe anti-SHBA”. Koha ka treguar se kryeministri Edi Rama vetëm humbet nga zhdukja nga politika, izolimi dhe burgosja e ish-kryeministrit Sali Berisha.
Humbet, se nuk do të ketë më përballë një kundërshtar, që është kapitali më i madh politik i tij, dhe që i garanton qëndrimin në pushtet në pafundësi. Humbet, se me burgosjen e tij, do të çlirohej opozita dhe kështu do të dilnin alternativa të reja, shumë herë më të besueshme, që nuk shiten e blihen me një leje ndërtimi dhe do t’i vinin në rrezik pushtetin e tij tashmë të tronditur nga shumë afera.
Tashmë është e qartë se përpjekja e Ramës për të “ricikluar” dhe njëherë Sali Berishën duke bërë marrëveshje dhe pazare me çetën e tij ilegale, pa parti, vulë dhe logo është që sërish të mbajnë monopolin e sistemit politik që i ka fillesat që nga viti 2008, por që këtë herë nuk është vetëm për karrige, pasi dyshohet se planet e tyre ogurzeza janë për të minuar reformën zgjedhore, veçanërisht bllokimin e pesë propozimeve të kreut të Partisë Demokratike zyrtare, Lulzim Basha si Listat e Hapura, Veting-u në politikë, Kufizimi i mandateve të Kryeministrit, Vota e diasporës; Zgjedhja e Presidentit nga populli; zhbërjen e ligjit të dekriminalizimit dhe goditur SPAK-un nëpërmjet kontrollit të sistemit të drejtësisë që vetë ata dhe bashkëpunëtorët e tyre të zhytur në afera t’ia hedhin paq si dikur.
Rama dhe Berisha e nisën bashkë kërcimin “Tango” me “Gërdecin” e ndryshimet kushtetuese në vitin 2008 dhe e bitisën javën që shkoi duke çimentuar pazarin mes tyre përmes “karremit” Gazment Bardhi. Pra me sa duket shprehja “njeriu shkatërron atë që do” i shkon për shtat Sali Berishës. Kjo nuk është një gjë pozitive pa dyshim dhe me siguri edhe PS do të ketë një ditë një rilindje të vështirë. Partia Socialiste është shtatzënë me një fëmijë që s’lëviz ose ndoshta ka vdekur ende pa lindur. Socialistët janë më të pa përfaqësuar se kurrë më parë dhe ndoshta do të votonin çdo forcë serioze politike përveç Rithemelimit të Sali Berishës dhe Partisë së Lirisë së Ilir Metës. Nuk mund të ketë realisht rilindje e progres nga burra të tredhur.
Topi tashmë është në këmbët e demokratëve dhe gjithë sytë janë tek Lulzim Basha, i cili ka ngjallur shpresë për shqiptarët që “jetojnë në një tokë me gjemba ku janë të destinuar të ecin zbardhur” për shkak të pazareve e intrigave të dyshes Rama-Berisha.