PBDNJ: Rama të heqë dorë nga tjetërsimi i pronave të himarjotëve

Pas tensioneve të krijuara dje në mbledhjen e Këshillit Bashkiak të Himarës, mes banorëve dhe përfaqësuesve të pushtetit vendor, ka reaguar përmes një deklarate Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut. PBDNJ i bën thirrje Kryeministrit Rama të heqë dorë nga planet për tjetërsimin e pronave të komunitetit himarjot. “Dënojmë ashpër incidentet e provokuara të dhunës sot kundër banorëve të Himarës. Në mënyrë të përsëritur dhe sistematike autoriteti bashkiak, vetë kryetari me votë të vjedhur Goro, me bekimin e Kryeministrit Rama vënë banorët e Himarës përpara fakteve të kryera, të tjetërsimit të paligjshëm të të drejtave të tyre pronësore, si edhe përdorimit abuziv të pronës së tyre.
Të gjendur përballë komunitetit himarjot, në audiencë publike të thirrur prej tyre, në mungesë të argumenteve, arsyes dhe ligjshmërisë, Goro nuk hezitoi të përdorë edhe dhunën e individëve të dyshimtë përfitues të politikave të tij abuzive në Bashki. Thirrja jonë i drejtohet sërish Kryeministrit, të heqë dorë përfundimisht nga planet dhe praktikat antiligjore në dëm të komunitetit himarjot dhe në të njëjtën kohë përfaqësuesve diplomatikë të partnerëve tanë euroatlantikë për të kthyer realisht vëmendjen ndaj situatës në përkeqësim të politikave qeveritare në Bashkinë e Himarës”, thuhet në reagimin e PBDNJ.
Kjo nisur edhe nga një peticion i banorëve të Himarës drejtuar Kryeministrit Edi Rama, kryetarit të Kuvendit, Ilir Meta, kreut të opozitës, Lulzim Basha dhe përfaqësuesve diplomatikë në vendin tonë, ku shprehin shqetësimin e tyre se po u grabiten pronat. “Ne, banorët e Himarës që jetojmë në zonën historike të Spilesë, jemi këtu brez pas brezi në shtëpitë dhe pronat tona qindra vjeçare, të cilat rrëfejnë lashtësinë e tyre, historinë e këtij vendi. U gëzuam shumë kur u vendos të shpallej zonë historike Himara duke menduar se edhe Kryeministri e donte këtë zonë dhe historinë e saj. Por kur mësuam se mbrapa krahëve tona (si na u prezantua nga Bashkia, në takimin e datës 16.06.2016 Plani Rregullues i Himarës), se Kryeministri ka vendosur të na shkatërrojë shtëpitë dhe të na grabisë pronat, u trishtuam shumë. Ato shtëpi dhe ato prona ku ne jetojmë dhe nxjerrim bukën e gojës i kemi trashëguar nga të parët tanë në shekuj dhe duam t’ua trashëgojmë pasardhësve tanë.
Me ato shtëpi dhe ato prona nuk bëjmë asnjë lloj pazari, sepse emri i një fisi të madh nuk nxirret në pazar. Po ju bëjmë me dije që të na ndihmoni të ndalohet kjo çmenduri. Nuk do të lejojmë askënd që të prekë shtëpitë dhe pronat tona. Do ta mirëkuptonim Kryeministrin nëse, qoftë dhe me paratë tona, të restauronim ndërtesat e vjetra apo t’i kthenim në identitet ato, të cilat në këto vite kishin pësuar ndërhyrje”, thuhet në peticionin e banorëve të Himarës.

Artikulli paraprakOBSH kundër koncesionit 120 milionë euro të Beqajt me Nushin
Artikulli tjetërRama u tjetërson pronat, përleshje të gjakosura në Këshillin Bashkiak të Himarës