U mbajt sot mbledhja e Konferencës së Kryetarëve ku u diskutua në lidhje me krijimin e një komisioni të posaçëm për Dezinformimin.
Kërkesë kjo e ardhur nga PS dhe e miratuar me votat e mazhorancës.
Mbi këtë çështje ka reaguar edhe deputetja Flutura Açka, e cila u shpreh se krijimi i këtij komisioni është i parakohshëm dhe se nuk është argumentuar mjaftueshëm që të jetë bindës për të kaluar në Konferencën e Kryetarëve.
Açka shtoi se si kryetare e Komisionit të Medias, ka dyshime se ky hap po hidhet në përpjekje për të kontrolluar më shumë mediat dhe AMA-n.
PRONONCIMI PËR MEDIAN I NËNKRYETARES SË PD, KRYETARE E KOMISIONIT PARLAMENTAR TË EDUKIMIT DHE MJETEVE TË INFORMIMIT, FLUTURA AÇKA, PAS MBLEDHJES SË KONFERENCËS SË KRYETARËVE
Mbledhja e Konferencës së Kryetarëve u vendos sigurisht siç ishte dhe me nxitim. Jo pa arsye ishte i nxituar vendimi për kalimin e Komisionit të Posaçëm për dezinformimin. Në fakt unë ngrita parashtresat e mia që janë disa arsye se pse është i nxituar, jo se jam kundër këtij komisioni. Por më duket e shumë e parakohëshme dhe nuk është argumentuar mjaftueshëm që të jetë bindës për të kaluar në Konferencën e Kryetarëve. Kështu si kryetare e Komisionit të Medias, por edhe si deputete kam hijet e mia të dyshimit që do të jetë një arsye për të kontrolluar ndoshta më shumë median në Shqipëri, por edhe për të lënë pas dore punën e disa institucioneve të tjera të rëndësishme që i mbulojnë këto fusha. Por edhe për të kontrolluar ndoshta AMA-n, e cila e ka bërë në mënyrë të vazhdueshme këtë vetërregullim. Por edhe me ndryshimet e fundit që kemi bërë, që kemi sjell në nëntorin e vitit të kaluar, ne kemi sjell ndryshimet në ligjin e AMA-s që i rregullojnë këto çështje, të cilat ky komision do të mblidhet.
Një gjë tjetër që u kërkua me insistim ishte nëse do të ishte e mundur të kishte një bashkëkryetar të këtij komisioni në mënyrë që opozita të ketë mundësi që të ketë kontroll mbi veprimtarinë e këtij komisioni. Po them nga kërkesat e para që kam pasur nga aktorë të caktuar mediatik, është ngritur dyshimi që objekti i këtij komisioni do të jetë, ndoshta do të keqpërdoret dhe do të përdoret ndoshta për të kontrolluar. Meqenëse jemi në një vit zgjedhor, duam nuk duam ne dhe kohëgjatësia e këtij komisioni që është fiks një vit i plotë deri në zgjedhjet e ardhshme mund të na çojë ndoshta për shkak të objektit që ka nga një lloj mbikqyrje deri te ndryshimi i kuadrit ligjor, ndoshta mund të përdoret në një moment të caktuar për të ndryshuar edhe Kushtetutën në funksion të grabitjes së zgjedhjeve. E them me keqardhje këtë gjë. Sepse përderisa një komision i tillë ka në dorë, ne kemi një përvojë të hidhur nga ndryshimet Kushtetuese të vitit 2020, kush na garanton që nuk do të ketë një ndryshim tjetër Kushtetues në funksion të zgjedhjeve të ardhshme.