PD, Alfrida Marku: Procesi i rindërtimit do vërtetohet si një ndër skandalet e radhës së korrupsionit të kësaj qeverisje

Në një reagim në profilin e saj në facebook, kryetarja e PD-së Lezhë, njëkohësisht anëtarja e kryesisë së PDSH-së, Alfrida Marku, denoncon edhe një here abuzimet me fondet e tërmetit nga ana e Bashkisë Lezhë.

Sipas Markut, një zvarritje e tillë e fondeve nga viti në vit, bëhet për të krijuar mundësinë e abuzimit me to.

Më poshtë reagimi i plotë i Alfrida Markut:

Mbi 20 miliard lekë që do paguhen nga shqiptarët, lezhjanët, si taksapagues apo kredimarrës, është shuma e tenderuar deri sot vetëm nga Institucioni i Bashkisë Lezhë për projekte me objekt rehabilitimin e dëmeve të shkaktuara nga tërmeti.

POR, procesi po zvarritet duke “shpikur” punë të pa planifikuara, duke shpenzuar (shpërdoruar) miliarda lek me projektime e fasadat e pallateve.

2 miliard lekë të tjera të dedikuara rehabilitimit të pasojavë të tërmetit, nuk janë përdorur në 2023 nga institucioni i Bashkisë, pa asnjë shkak dhe arsye, ndërkohë që ky institucion ende nuk ka zgjidhje për rindërtimin e banesave të 53 familjeve, banesat e të cilave duhej të ishin rindërtuar prej kohësh.

Zvarritja e procesit të rindërtimit, i hap rrugë miliardave të reja dhe abuzimeve të reja.

Në mbledhjen e kaluar të Këshillit të Bashkisë Lezhë, i kam kërkuar sqarim Kryetarit të Bashkisë Lezhë nësë shuma 2 miliardë lekë e papërdorur në 2023 e që do kalonte në Buxhetin e vitit 2024 do ti jepte zgjidhje përfundimtare procesit të rindërtimit ? Ndër të tjera, nëse do ti hapte rrugë rindërtimit të banesave të 53 familjeve, ndër të cilat 12 familje të pallatit në qendër të qytetit dhe 41 në njesitë e tjera administrative?

Përgjigjia ishte JO .

Nga njëra anë kemi problemin e pazgjidhur të strehimit të 53 familjeve dhe një proces të tërë që nuk përmbyllet duke gjetur punë të paplanifikuara, nga ana tjetër kemi Bashkinë të cilës i janë alokuar fondet për rindërtimin, shpenzon miliarda nga taksat tona në emër të rindërtimit por nuk i adreson për zgjidhjen e pasojave të tërmetit.

E sikur të mos mjaftonte kjo, Kontrolli i Lartë i Shtetit ka konstatuar së fundmi parregullsi në Dogana duke ngritur dyshime nëse lënda e parë e përjashtuar nga detyrimet doganore është përdorur për procesin e rindërtimit në Lezhë apo ka përfunduar në treg për të favorizuar subjekte afër pushtetit.

Përsa më lart,i bëj thirrje Bashkisë Lezhë të marrë masa urgjente për përfundimin e procesit të rindërtimit, si dhe inkurajoj autoritetet kompetente, institucionet e Drejtësisë për hetimin e plotë e të gjithanshëm të procesit abuziv të Rindërtimit.

Exit mobile version