Kryetari i komanduar i PD-së, Enkelejd Alibeaj u kërkoi demokratëve në Finiq që të shkojnë derë më derë dhe t’u flasin njerëzve në vesh me zë të ulët dhe jo me zhurmë për t’u thënë të vërtetën.
“Fjala e mirë duhet përçuar derë më derë. Unë e di që ka vështirësi të mëdha, nuk bëhet një fushatë me financa të mëdha, një fushatë për kamer, jo jo.
Njerëzve sot u duhet folur me zë të ulët, sepse vetëm zëri i ulët shkon dhe depërton në veshin e njerëzve dhe fillojnë të mendojnë, duke u folur me zë të ulët dhe duke u folur të vërtetat.
Kjo është mënyra se si duhet ta bëjmë këtë fushatë dhe për aq sa e kam ndjekur jo vetëm fushatën por edhe idetë dhe programin që Leonidha ka prezantuar deri më tani, unë besoj që është e duhura. Kështu vjen qytetërimi, kështu vjen e ardhmja, kështu vjen shërbimi ndaj njerëzve.
Edhe njëherë ju uroj mbarësi dhe suksese në këtë fushatë! Shumë faleminderit të gjithëve ju për prezencën sot dhe faktin që do t’i ndodheni në krah Leonidhës. Shumë faleminderit, urime dhe suksese” tha ai.