Partia Demokratike i bëri thirrje dje partnerëve ndërkombëtarë që të reagojnë në lidhje me presionin skandaloz të Ramës ndaj gjyqtarit që firmosi pezullimin e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë për shkak të përfshirjes së tij në skandalin e përgjimeve.
Përmes një deklarate pë deklarate për shtyp, kryetari i grupit parlamentar demokrat, Edi Paloka u shpreh: “Saimir Tahiri i kapur nga paniku i arrestimit për shkak të krimit që ka kryer, përgjimi i paligjshëm, është hedhur në një sulm të paprecedent ndaj drejtësisë. Ai sulmoi ashpër sot gjykatësin që miratoi kërkesën e Prokurorisë për pezullimin e drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, sulmoi dhe organin e akuzës. Vreri i Tahirit vjen pikërisht në kohën që Prokuroria është duke kryer verifikimin e rolit të tij në krimin shtetëror të përgjimit të paligjshëm. Me këtë sulm vandal e mafioz ndaj drejtësisë, Tahiri kërkon të shantazhojë Gjykatën e Apelit, për të shpëtuar Çakon e tij. Nëse Çako nuk shpëton, Çako pastaj do flasë dhe do të marrë me vete edhe Tahirin. Ky presion kriminal ndaj Gjykatës së Apelit tregon edhe një herë përse ata nuk e duan drejtësinë sipas Venecias, por e duan të kapur. Rama dhe Tahiri kanë dalë zbuluar në sytë e gjithë qytetarëve dhe partnerëve ndërkombëtarë, duke dëshmuar se cila është drejtësia, Prokuroria dhe Gjykata që ata duan. Ata nuk duan drejtësi sipas standardeve europiane, por duan prokurorë e gjyqtarë që urdhërohen prej tyre, duan prokurorë e gjyqtarë që të mos hetojnë krimet e tyre. Partia Demokratike i dënon këto sulme të Edi Ramës e Tahirit të tij ndaj drejtësisë, dhe ne inkurajojmë prokurorinë e gjykatat të bëjnë punën e tyre të pandikuar nga presionet mafioze. Ne i bëjmë thirrje faktorit ndërkombëtar, ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të Bashkimit Europian dhe vendeve të tjera euroatlantike, në Tiranë, të dënojnë sulmin e hapur të Edi Ramës kundër hetimit të këtij krimi të rëndë të sigurisë kombëtare dhe i kërkojmë të shprehen e të prononcohen në favor të hetimit të pavarur, të pandikuar politikisht, në favor të hetimit të plotë të kësaj afere skandaloze” tha Paloka.