Nënkryetari i Partisë Demokratike, Kreshnik Çollaku, në një deklaratë për mediat foli për paralajmërimin për padi nga ish-kryeministri Sali Berisha ndaj deputetit gjerman të CDU/CSU, Gunther Krichbaum.
Çollaku u shpreh se Krichbaum është fyer dhe është baltosur për herë të dytë në Shqipëri, këtë herë nga ish-kryeministri, ndërsa shtoi se kjo është e papranueshme dhe se i ul kokën çdo demokrati.
Deklarata e plotë e nënkryetarit të PD-së, Kreshnik Çollakut:
Prej disa ditesh ndodhet në një vizitë zyrtare në Tiranë, deputeti i Bundestagut gjerman dhe zëdhënës i CDU-së Gjermane për çështjet Europiane, miku i Shqipërisë dhe i Partisë Demokratike, Gunter Krischbaum.
Gunter Krischbaum është një mik i PD dhe i shqiptarëve. Çdokush ka ndjekur politikën, opozitën e gjatë dhe të mundimshme të vështirë të Partisë Demokratike në këto vite, mund të pohojë se në çdo moment të vështirë, në çdo situatë të vështirë Gunter Krischbaum dhe CDU-ja gjermanë kanë qenë në krah të Partisë Demokratike, e kanë mbështetur atë, kanë qenë një krah i fortë dhe patjetër kanë qenë të zëshëm dhe Gunter Krischbaum më shumë se të tjerët në denoncimin e aferave, në denoncimin e regjimit të Edi Ramës.
Ka qenë Gunter Krischbaum që ka akuzuar qeverinë e Edi Ramës për lidhje me krimin e organizuar. Ka qenë Gunter Krischbaum që ka akuzuar Edi Ramën për lidhje me trafiqet e drogës. Ka qenë Gunter Krischbaum dhe CDU gjermane që e kanë akuzuar Edi Ramën për korrupsion të nivelit të lartë. Ka qenë Gunter Krischbaum që ka akuzuar Edi Ramën dhe mazhorancën e tij për vjedhje dhe grabitje votash.
Në traditën më të mirë të shqiptarit, shpia e shqiptarit është e mikut dhe e Zotit dhe sot Gunter Krischbaum është një mik i shqiptarëve dhe është një mik në sofrën e Partisë Demokratike.
Pikërisht ky mik sot është sulmuar, fyer, baltosur në mënyrë të mjerueshme dhe të trishtueshme jo nga Edi Rama, por nga ish drejtuesi i Partisë Demokratike, zoti Sali Berisha. Dy herë është sulmuar në këtë formë Gunter Krischbaum në Tiranë, e ka bërë Edi Rama pas akuzave, denoncimeve të paepura të Gunter Krischbaun, të bëra në Tiranë, të bëra në Bruksel, të bëra në Berlin. Në mbrojtje të interesave të shqiptarëve dhe të opzitës shqiptare dhe të Partisë Demokratike.
Mjerisht sot një kopje e trishtueshme të këtyre akuzave të Ramës, e dëgjojmë të dalë nga goja e ish-drejtuesit të kësaj partie, një njeriu i cili sikundër shumë të tjerë është dëshmitarë se Gunter Krischbaum është mik i Partisë Demokratike, ai ka qenë një ndër zërat më të forta në denoncimin e qeverisë së Edi Ramës.
Sigurisht kjo ngjarje e trishtueshme në Tiranë na jep mundësinë për të prerë dhe të qartë. Çdokush është i lirë që çështje personale, me individ të caktuar të thotë çdo gjë për çdokënd dhe dëgjoj gjithashtu çdo gjë për çdokënd. Por është e papranueshme për Partinë Demokratike dhe për çdo demokrat të Shqipërisë që partnerë të rëndësishëm strategjik dhe jetik për Partinë Demokratike, miq të saj si CDU gjermane, Bundestagu gjerman dhe deputeti Gunter Krischbaum, të sulmohen në emër të Partisë Demokratike dhe në emër të demokratëve.
Kjo për ne, për Partinë Demokratike është e papranueshme, ne e refuzojmë këtë gjuhë, ne e refuzojmë këtë qëndrim. Gunter Krischbaum mbetet një mik i çmuar i Partisë Demokratike, CDU gjermane mbetet një partnere e jashtëzakonshme e Partisë Demokratike, Bundestagu gjerman është një partner i jashtëzakonshëm në aspiratat integruese të vendit tonë.
Partia Demokratike është krenare që ka një mik si Gunter Krischbaum dhe një aleate si CDU gjermane. Këto sulme, një kopje të Edi Ramës nuk bëjnë, veçse vënë të gjithë demokratët, ulin kokën çdo demokrat, sepse kodet më fisnike të këtij vendi, të demokratëve tanë është mirënjohja dhe mos prerja në besë e mikut.
Partia Demokratike mbetet e palëkundur, se forcimi i partneritetit me Bundestagun gjerman, CDU-në gjermane, miq dhe partnerët tanë kudo në botë, është jetik për të ardhmen e Partisë Demokratike. Për Partine Demokratike, mbajtja e pacenuar e marrëdhënieve strategjike me aleatët tanë, është një ndër kushtet më jetike, së bashku me bashkimin e votës së çdo shqiptari dhe demokrat të ndershëm, për rrëzimin e qeverisjes së Edi Ramës.
Partia Demokratike do t’i ruaj të pacenuara këto marrëdhënie. Partia Demokratike do të bashkojë votën e çdo demokrati dhe çdo shqiptari dhe kjo ka për të qenë fundi i sigurt i kësaj qeverie, i këtij regjimi dhe rikthim i Partisë Demokratike në qeverisjen e vendit.