Në një reagim në profilin e tij në rrjetin social facebook, anëtari i kryesisë së PD – Demokratët Euroatlantikë, Myzafer Elezi, shpreh shqetësimin për mospërmbushjen e detyrimeve ligjore që qeveria ka ndaj punjonjësve të policisë së shtetit.
“Pavarësisht angazhimit të tyre të përforcuar në këtë sezon turistik, ku u janë kufizuar pushimet dhe janë të mbingarkuar nga puna, punonjësit e Policisë së Shtetit nuk kanë marrë djetën e tyre ushqimore për më shumë se një vit. Ministria e Brendshme ka dështuar të çelë fondin e nevojshëm, duke treguar neglizhencë dhe mungesë përgjegjësie ndaj atyre që çdo ditë rrezikojnë jetën për mbrojtjen e rendit dhe sigurisë.” – shkruan Elezi.
Më poshtë postimi i plotë:
Mospërmbushja e një detyrimi ligjor ndaj shërbëtorëve të shtetit
Të nderuar qytetarë,
Të nderuar punonjës të Policisë së Shtetit,
Partia Demokratike – Demokratët Euroatlantikë shpreh shqetësimin e saj të thellë për mos përmbushjen e detyrimit ligjor të Qeverisë ndaj punonjësve të Policisë së Shtetit, të cilët janë lënë pa trajtimin ushqimor që u takon me ligj. Sipas nenit 67, pika 1, gërma “c” të Ligjit nr. 108/2014 “Për Policinë e Shtetit”, punonjësit e policisë duhet të përfitojnë një djetë ushqimore falas, që përkthehet në vlerën afërsisht 9,800 lekë në muaj.
Qeveria ka premtuar se kjo shumë do të ofrohet përmes një marrëveshjeje me një supermarket privat, i cili është pronë e një oligarku të lidhur me pushtetin. Kjo formë e trajtimit është një abuzim i hapur me të drejtat e punonjësve të Policisë së Shtetit dhe një fyerje për sakrificën dhe përkushtimin e tyre ndaj vendit dhe qytetarëve.
Pavarësisht angazhimit të tyre të përforcuar në këtë sezon turistik, ku u janë kufizuar pushimet dhe janë të mbingarkuar nga puna, punonjësit e Policisë së Shtetit nuk kanë marrë djetën e tyre ushqimore për më shumë se një vit. Ministria e Brendshme ka dështuar të çelë fondin e nevojshëm, duke treguar neglizhencë dhe mungesë përgjegjësie ndaj atyre që çdo ditë rrezikojnë jetën për mbrojtjen e rendit dhe sigurisë.
I bëjmë thirrje Ministrit të Brendshëm të marrë masa urgjente për zbatimin e këtij detyrimi ligjor. Ne kërkojmë që Qeveria të përmbushë menjëherë obligimin e saj dhe të sigurojë që punonjësit e Policisë së Shtetit të trajtohen me dinjitetin dhe respektin që meritojnë.
Partia Demokratike – Demokratët Euroatlantikë mbetet e angazhuar për mbrojtjen e të drejtave të të gjithë punonjësve të Policisë së Shtetit dhe do të vazhdojë të monitorojë nga afër këtë situatë. Çdo vonesë apo abuzim i mëtejshëm është një tregues i qartë i dështimit të kësaj qeverie për të përmbushur detyrimet e saj themelore.
Ne jemi me Policinë e Shtetit dhe kërkojmë drejtësi për ata që mbrojnë rendin dhe sigurinë e vendit tonë.
Ju faleminderit.