Ky njeri që nga mëngjesi deri në darkë punon vetëm për interestat e klientelës së vet, që e ka futur në një kolaps të vërtetë Tiranën, vetëm e vetëm për interesat klienteliste të miqve të tij dhe Kryeministrit të tij, një njeri që përballë 700 milionëve nuk u ndal të gllabëronte të vetmen mushkëri të gjelbër që i ka mbetur për fat të keq Tiranës
Këshilltarët e Partisë Demokratike në Bashkinë e Tiranës kanë denoncuar dje abuzimet e kryetarit të Bashkisë, Veliaj dhe kanë dënuar sulmet e ulëta dhe fyerjet e tij ndaj Presidentit të Republikës. Këshilltarët e PD e mbajtën qëndrimin e tyre pranë Kullës së Sahatit, ku aktualisht po hedh shtat një tjetër abuzim i Veliajt me punimet skandaloze që ai po bën mbi simbolin e qytetit. “Jemi sërish me një nga paradokset më të mëdha të qeverisjes vendore. Vijojmë të jemi sërish në shkelje të pastër të zotimit që Veliaj ka marrë përpara qytetarëve, për të qenë administrator i këtij qyteti, por që realisht në këto 8 muaj është shndërruar në masakrues i qytetit si nga pikëpamja urbane ashtu edhe nga ajo ekonomiko-sociale. Masat shtrënguese që ne kemi paralajmëruar me kohë tashmë kanë tronditur të gjithë biznesin në Tiranë, i cili në vetvetë është 50% e biznesit të gjithë vendit. Nga ana tjetër, kemi vandalizimin e paparë dhe krimin e rëndë mjedisor që është kryer jo vetëm tek Liqeni Artificial”, u shpreh Leonard Olli.
Kreu i këshilltarëve demokratë dënoi sulmin e paprinciptë të Veliajt ndaj Presidentit të Republikës. Olli tha se ai po e kthen Bashkinë në vend të pazareve dhe trampolinë për interesat e tij politike. “E pikërisht ky është Erion Veliaj i vërtetë. Vandali i vërtetë. Militanti i vërtetë. Por në vetvete është edhe rilindist i vërtetë pasi nuk ka asnjë lidhje me ata që e besuan brenda Partisë Socialiste dhe jashtë saj. Ky njeri që nga mëngjesi deri në darkë punon vetëm për interestat e klientelës së vet, që e ka futur në një kolaps të vërtetë Tiranën, vetëm e vetëm për interesat klienteliste të miqve të tij dhe Kryeministrit të tij, një njeri që përballë 700 milionëve nuk u ndal të gllabëronte të vetmen mushkëri të gjelbër që i ka mbetur për fat të keq Tiranës, një njeri që po përgatit siç e ka deklaruar edhe vetë, edhe të tjera ndërhyrje në mushkërinë e gjelbërt të Tiranës, sot brenda arrogancës dhe guximit për të mashtruar dhe për të vjedhur, pati kurajon dhe paturpësinë për të sulmuar figurën e Presidentit të Republikës, në vetvete simbolin e unitetit kombëtar.
Deri këtu ka arritur rilindisti Veliaj që të mos pyesë më as për funksionin dhe as për detyrimet që ka dhe as për keqdrejtimin që po i bën Tiranës në këto 8 muaj, as për krimet mjedisore, as për bandën e klientëve të tij dhe të shefit të tij politik Rama që po grabit mushkërinë e qytetit dhe për interesat e betonit që janë të gatshëm të shkatërrojnë gjithçka. Janë këta njerëz që kanë prodhuar këtë produkt që shohim edhe pas nesh, një kullë e meremetuar për të disatën herë, por tashmë e shëmtuar deri në detaje, ashtu siç vetëm ai di të veprojë. Dhe sot pati kurajon të prekë edhe personalitetin e institucionit të Presidentit duke u marrë me individin dhe duke harruar atë që përfaqëson ai institucion i nderuar. Nga ana tjetër, lufta e tij e fshehtë për të marrë kreun e Partisë Socialiste, pasi ata po thyhen dhe janë të destinuar të largohen me votat e shqiptarëve shumë shpejt në zgjedhjet që janë shumë pranë, e detyron të dalë nga betimi që ka bërë para qytetarëve, nga betimi që ka bërë për të drejtuar qytetin e Tiranës, e për këtë ambicie bën sulme politike dhe bëhet palë me krimin e organizuar, palë me mafien e betonit, si mjetet e vetme për të ruajtur pushetin e tij në bashki apo atë që shpejt ai shpreson të marrë në Partinë Socialiste”, u shpreh Olli.