Lulzim BASHA
Sot në Shqipëri një grusht i vogël njerëzish kontrollojnë pasuritë dhe gjithë pushtetin politik e ekonomik të vendit, ndërsa shumica e shqiptarëve janë më së shumti të pafuqishëm, të pashpresë dhe të varfër.
Pushteti i premtohet gjithmonë shumicës, por përfundon gjithmonë në duart e pakicës. Miliona shqiptarë të thjeshtë kanë qenë dhe mbeten të braktisur. Për ta dyert e mundësive, të përparimit dhe të pasurimit janë të mbyllura. Zëri i tyre nuk dëgjohet, të drejtat e tyre nëpërkëmben.
Përballë mjerimit dhe dëshpërimit të njerëzve politika ka premtuar shpesh reformim apo rilindje, por pak ka ndryshuar, sepse këto lëvizje nuk prekën asnjëherë thelbin e problemit politik të vendit: pushtetin e pakufizuar në duart e pakicës. Ato nuk fuqizuan asnjëherë njerëzit, por vetëm sa prodhuan fasada dhe makijazhe. Pas fasadave politikanët vazhduan t’i shërbejnë vetes, klientëve dhe miqve, ndërsa populli mbeti i harruar.
Por sot, njerëzit po gjejnë forcën dhe po kërkojnë zgjidhje të reja, politikë të re dhe shpresa të reja.
Tashmë, për ne ndryshimi i politikës është jo vetëm jetik, por urgjencë kombëtare. Si kudo në Perëndim, edhe në Shqipëri qeverisja duhet t’u kthehet më në fund njerëzve. Vetëm atje ku pushteti buron nga njerëzit dhe kontrollohet nga njerëzit mund të ketë liri, demokraci të vërtetë dhe mirëqenie, për sot dhe për të ardhmen.
Si 26 vite më parë, Partia Demokratike do t’i prijë këtij ndryshimi që kërkon koha: kthimit të pushtetit tek njerëzit.
Ndryshimin ajo po e fillon nga vetja. Para disa ditësh ne nisëm përzgjedhjen e hapur të kandidatëve për deputetë nga vetë njerëzit.
Demokratët dhe çdo qytetar tjetër mund të propozojnë përfaqësuesit e tyre në Kuvend. Mbi këto propozime do të përzgjidhet lista e kandidatëve demokratë për deputetë, të cilët do t’i nënshtrohen një procesi të vettingut të figurës, profesionalizmit dhe të së shkuarës komuniste.
Është vetëm hapi i parë i një kthese të madhe politike për Shqipërinë. Për herë të parë në historinë e vendit përfaqësuesit e popullit do të përzgjidhen nga vetë populli në çdo hap të procesit. Kështu garantohet se pushteti të burojë vërtet nga njerëzit.
Dua t’u bëj thirrje të gjithë bashkëqytetarëve të mi që të bëhen pjesë e këtij ndryshimi. E di që shumë prej jush me të drejtë jeni mosbesues apo dyshues. E di që shumë prej jush keni humbur shpresën. Por, ka vetëm një mënyrë për të rikthyer shpresën dhe besimin: ushtrimi i të drejtës për t’u vetëqeverisur. Ndaj përfshihuni në këtë proces duke propozuar kandidatin tuaj për deputet.