PD: E vetmja mënyrë për të shëruar Shqipërinë është largimi i Ramës më 25 Prill

Ngritja e akuzave ndaj vajzave të të ndjerit Rifat Lalo është një skandal. PD: Rama kërkon t’u mbyllë gojën kundërshtarëve të tij.

DEKLARATË E PARTISË DEMOKRATIKE, ZËDHËNËSJA INA ZHUPA

Marrja si të pandehura i dy vajzave të të ndjerit Rifat Lalo, i cili humbi jetën në Spitalin Covid 1 i braktisur dhe pa kujdesin e domosdoshëm shëndetësor është një akt i papranueshëm. Ne u qëndrojmë në krah këtyre dy qytetarëve që denoncuan një rast konkret të dështimit të sistemit shëndetësor.

Vdekja fatkeqe e z. Lalo është vetëm një nga qindra vdekjet fatkeqe që mund të ishin shmangur nëse Edi Rama dhe qeveria e tij do të kishin punuar për një sistem shëndetësor të mirë dhe nuk do ta linin atë në mëshirë të fatit.

Shqipëria ka mbetur në vendnumëro me Ramën për 8 vite. Askush nuk beson më se një njeri që nuk ka bërë asgjë në 8 vite është në gjendje të kujdeset për njerëzit gjatë pandemisë. Mijëra shqiptarë kanë humbur jetën në spitale dhe në shtëpitë e tyre për shkak të mungesës së ilaçeve, ilaçeve të shtrenjta dhe braktisjes totale nga qeveria.

Edi Rama e ka humbur kontrollin mbi pandeminë sepse ka refuzuar me kokëfortësi dhe arrogancë planet e qarta të Lulzim Bashës për ta përballuar pandeminë. Plani me 5 pika do ta ndihmonte Shqipërinë për të ruajtur shëndetin e shpëtuar jetët e qytetarëve dhe për të shpëtuar ekonominë shqiqptare nga kolapsi i plotë ku ka rënë sot.

Rama i shtoi faj krimit kur vendosi të marrë të pandehura dy vajzat me qëllim që t’u mbyllë gojën atyre. Por ai s’mund të fshijë qindra dëshmitë në media të familjarëve që kanë humbur të dashurit e tyre për shkak të braktisjes nga qeveria në spitalet Covid apo në shtëpitë e tyre.

Ngritja e akuzave ndaj dy vajzave është një skandal. Ky është një hap tjetër nga Rama në rrugën e kthimit të Shqipërisë në një diktaturë në të cilën ai u mbyll gojën kundërshtarëve të tij dhe burgos kritikët.

E vetmja mënyrë për ta shëruar Shqipërinë dhe për të garantuar demokracinë dhe lirinë e shprehjes për shqiptarët është që ta largojmë Edi Ramën më 25 prill. Dhe kjo është ajo që do të bëjmë.

Artikulli paraprakSi ndikon fitorja e Albin Kurtit në dialogun Kosovë-Serbi
Artikulli tjetërLady “Justice”