Partia Demokratike sot ka çelur fushatën elektorale në Sheshin e Flamurit, përpara varrit të Atit të Kombit, themeluesit të shtetit shqiptar, Ismail Qemal Vlora.
Me dhjetëra demokratë dhe qytetarë të Vlorës janë mbledhur në Sheshin e Flamurit, ku drejtuesit e PD vlorë, ekipi I kandidatëve për deputetë kanë vendosur kurora me lule.
Nën tingujt e Himnit Kombëtar, të kënduar nga Kastriot Tusha emocionet e përcjella ishin të jashtëzakonshme.
Drejtuesi Politik i qarkut Vlorë, z. Bujar Leskaj ka çelur zyrtarisht fushatën e PD, e cila do të jetë: “Fushata zgjedhjet e 25 prillit, e cila çelet sot në Vlorë është një fushatë e veçantë dhe këto janë zgjedhje shumë të rëndësishme për fatin e Vlorës, fatin tonë, fatin e Shqipërisë.
Fushata jonë, fushata e PD është një fushatë pozitiviste dhe qytetare!
Një fushatë ku ne shpalosim jo vetëm vlerat që përfaqësojnë PD dhe demokratët, por edhe programin tonë, vizionin tonë për të ardhmen.
Fushata jonë bazohet tek thelbi dhe dashuria që kemi për Vlorën dhe Demokracinë dhe jo te shpifjet, fyerjet dhe sulmet personale! Fushata jonë bazohet te dashuria që kemi për njerëzit, Vlorën dhe vlonjatët e ndershëm e punëtorë!”
Në përfundim të fjalës së tij zoti Leskaj ka ftuar qytetarët vlonjatë të votojnë masivisht: “Pjesëmarrja masive popullore në zgjedhjet e 25 prillit, zëri juaj dhe vemdimarrja juaj, janë vullneti i sovranit.
Me 25 prill, duhet patjetër të merrni në dorë fatet tuaja, si vlonjatë dhe si shqiptarë. Si prindër dhe si europianë. Kjo është ftesa që kam për gjithsecilin prej jush. Kjo është ftesa që kam, për çdo vlonjate e çdo vlonjat, për çdo bashkëqytetar.
Shikoni njëri-tjetrin në sy, shtrini dorën njëri tjetrit. Bashkohuni jo vetëm rreth halleve, por bashkohuni rreth zgjidhjeve. Bashkohuni rreth vendosmërisë për një të ardhme, për veten tuaj, por mbi të gjitha për fëmijët tuaj.
Së bashku do të bëjmë NDRYSHIMIN do të sjellim NDRYSHIMIN!
Në 25 prill fiton Shqipëria, fiton Vlora!”