PD: Emergjent largimi i vëllait trafikant Xhafa nga Komisioni

PD ka kërkuar dje largimin si Kryetar i Komisionit të Reformës në Drejtësi të Fatmir Xhafës, vëllai i të cilit rezulton i implikuar në një nga kartelet më të rrezikshme të drogës. Fatmir Xhafa drejton sot Komisionin e Reformës në Drejtësi, ndërkohë që vëllai i tij është shpallur në kërkim nga të paktën dy shtete, Italia dhe Venezuela. Xhafa rezulton të jetë pjesë e kartelit të drogës, i cili e zhvillonte aktivitetin e tij në 5 shtete, përfshirë edhe Shtetet e Bashkuara. Hetimet ndaj tij janë drejtuar nga një bashkëpunim policor mes të cilëve edhe DEA amerikane. Në një kohë që Agron Xhafa është shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Venezuela, vëllai i tij paradoksalisht drejton Komisionin e Reformës në Drejtësi në Shqipëri. Fatmir Xhafa është akuzuar publikisht se gjatë kohës që ai ka qenë ministër Drejtësie ka falsifikuar dokumentacionin ndaj vëllait të tij, për të cilin kishte një urdhër arresti nga Prokuroria e Leçes në Itali. Deri më tani, Fatmir Xhafa nuk ka mohuar asnjë nga akuzat publike që janë drejtuar ndaj tij. PD për disa ditë me radhë vazhdon denoncimet publike për lidhjet e vëllait të Kryetarit të Komisionit të Reformës në Drejtësi me kartelet e drogës. Ish-Kryeministri Berisha ka akuzuar në Parlament Xhafën për falsifikimin e dosjes për të shpëtuar vëllanë e tij. Po ashtu, dy ditë më parë akuzoi direkt edhe kreun e qeverisë se po mbrojnë Xhafën për shkak të një afere prej 1.3 milionë eurosh që ai ka përfituar për të mos ekzekutuar ekstradimin e vëllait të Kryetarit të Komisionit të Reformës në Drejtësi në drejtim të Venezuelës ku e pret ndëshkimi. Ndaj të gjitha këtyre akuzave publike, Fatmir Xhafa nuk ka reaguar. Ai ka heshtur, duke e kompromentuar akoma më shumë pozicionin e tij në këtë histori të pistë droge.
PD: Komisionit t’i kthehet legjitimiteti
Shqiptarët kanë pritur me neveri të thellë lajmin se në krye të Komisionit të Reformës në Drejtësi rezulton vëllai i një trafikanti ndërkombëtar droge, me kërkesë ekstradimi nga Gjykata e Lartë e Venezuelës.
Fatmir Xhafaj nuk mund të vazhdojë të jetë më pjesë e këtij komisioni, aq më tepër ta drejtojë atë. Ai është në konfliktin me të rrezikshëm të interesit dhe i papranueshëm në sytë e çdo qytetari.
Aq më tepër kur edhe pas publikimit të fakteve, ka heshtur dhe nuk ka mbajtur asnjë qendrim publik, nuk ka dhënë asnjë shpjegim para shqiptarëve për këtë implikim të tij.
Sigurisht kumbari i kësaj skeme për kapjen e drejtësisë, për të zgjidhur hallet me dosjet e rënda të korrupsionit e krimit qeveritar, është Edi Rama. Dhe ai u vetëshpall si padrino në këtë rast, sepse foli, doli në mbrojtje të trafikantit.
Nuk tha asnjë fjalë se përse vendosi në krye të Reformës në Drejtësi vëllain e të kërkuarit ndërkombëtarisht, asnjë fjalë për faktet, për vendimin e Gjykatës së Lartë të Venezuelës, por thjesht sulmoi opozitën me fjalor rruge dhe e quajti shefin e shpërndarjes së drogës në Itali dhe menaxherin e heroinës në Bolonja, njeri të ndershëm.
Ky qëndrim i Edi Ramës rikonfirmon planin e tij për kapjen e drejtësisë, në pjesën e mbetur të punës që ka Komisioni i Reformës, pas dështimit të këtij plani me ndryshimet kushtetuese.
Ndaj është emergjent largimi i vëllait të trafikantit ndërkombëtar të drogës dhe çmontimi i planit ogurzi të Ramës.
Komisionit për Reformën në Drejtësi duhet t’i rikthehet menjëherë legjitimiteti me largimin nga drejtimi të vëllait të trafikantit ndërkombëtar të drogës, Agron Xhafaj.

Exit mobile version