PD është atje ku janë më shumë demokratë? Rexhep Uka: Si i numëruan, si në zgjedhjet e vitit 1996?

Rexhep Uka, një nga themeluesit e PD mbajti fjalën e tij gjatë takimit të organizuar nga Lulzim Basha në 33 vjetorin e themelimit të Partisë Demokratike, ku u shpreh mes të tjerash se në një vend ku parlamentarizmi funksionon, opozita është dora e fortë frenuese e qeverisë.

Uka komentoi edhe gjendjen në radhët e demokratëve, duke iu përgjigjur pretendimit se PD është atje ku ka më shumë demokratë, duke ironizuar se këta të fundit janë numëruar si në zgjedhjet e vitit 1996.
Ai shtoi se nuk duhet që për një agjendë personale të rikthehet frika e rrezikut anglo-sankson si në kohën e Enver Hoxhës.

“Sot nuk i kuptoj ata që thonë se PD është atje ku janë më shumë. Kush i numëroi, si i numëroi, si në zgjedhjet e 1996-ës? PD e vërtetë është atje ku është kauza, misioni dhe ëndrrat e studentëve të dhjetorit.

Në një vend ku parlamentarizmi funksionon, opozita është dora e fortë frenuese e qeverisë. Opozita vepron si duke vepruar ashtu edhe duke munguar. Kur dhuna pushton karriget e deleguara për fjalën e mençur, ata që i ke zgjedhur, i ke humbur për të mos i kthyer më. Kur e mësyn pushtetin vetëm me qëllimin e marrjes së tij pasi ke humbur kauzën, vërteton se nuk ke mundur të kthesh kulturën demokratike në edukatë.

Një qeveri në situatë të tillë me mungesë të qeverisë, mund të qeverisë gjatë por keq e më keq. Më groteskja se vetë opozita kërkon opozitën. Më thoni si t’ju emëroj? Kjo është më diabolikja. A realizuam premtimin “E duam Shqipërinë si gjithë Europa”? Jemi droguar me politikën e mbrapshtë, çdo ditë prodhojmë mashtrim. Shoqëria është në polarizim të skajshëm.

Rinia shqiptare ka marrë rrugët e kurbetit kur duhet të ishte duke investuar potencialet këtu. Qytetarët kërkojnë të fitojë e të mbretërojë demokracia. Të shpëtojmë nga kjo specie socialiste që ka kapur pushtetin dhe ka kapluar të vobektin, sepse partitë i kanë kthyer në biznes politik.

PD sot, kjo ku ndodhemi në këtë tubim, duhet të dijë ta kthejë në përvojë kalvarin e këtyre viteve. Gjithnjë kemi qenë dhe jemi europian. Nuk duhet që për një agjendë personale të rikthejmë frikën e rrezikut anglo-sankson si në kohën e Enver Hoxhës”, u shpreh Uka.

Exit mobile version