PD është shkëputur nga politika e vjetër, do negociojmë gjithçka në interes të shqiptarëve

Zëdhënësja e Partisë Demokratike, Mirela Karabina thotë se propozimi i mazhorancës për ndryshim të legjislacionit në lidhje me komisionet hetimore, bëhet për të kufizuar opozitën.

Në një intervistë për “Newsline” në ABC News, Karabina u shpreh se PD do të negociojë për komisionet hetimore, në interes të qytetarëve.

“Ne në fakt po jetojmë në një periudhë politike ku janë ndarë aktorët politikë. PD është shkëputur nga kjo politikë e shkuar. Kemi një klasë politike e cila është në agoninë politike, e frikësuar sepse është nën hetim nga SPAK. Ngritja e komisioneve hetimore është një e drejtë kushtetuese. Këtu nuk ka funksionuar sepse është penguar. Tani, shikohet që ka një përpjekje për të vepruar me legjislacionin. Është një përpjekje për të mos lejuar komisionin sepse është indicie për hetime të mëtejshme nga organet përkatëse. Ka një përpjekje për të kufizuar opozitën, padiskutim që ka një përpjekje.

Duke luajtur me legjislacionin, duan të kenë nën kontroll komisionet hetimore. PD do të bëjë negociata dhe do të ulet për çdo gjë që ka interes publik. Lulzim Basha është këtu, unë jam një përfaqësuese e Lulzim Bashës. Ai është te qytetarët, ai bën daljet e tij në momente të caktuara. Lulzim Basha është më mirë se çdo herë tjetër, mes njerëzve dhe në krye të PD”, theksoi ajo.

Në lidhje me reformën zgjedhore, Karabina deklaroi: “PD ka dërguar një draft projekt, dhe në fakt do i bashkohet mazhoranca PD-së, sepse ajo e ka hartuar, është draft shumë i mirë. Kjo tashmë nuk ka mbetur retorikë politike, por është dërguar në Parlamentin e Shqipërisë. Shpresoj që të gjendet mirëkuptimi. PD ka propozuar vettingun e politikanëve, në bashkëpunim edhe me aleatët, për të pasur njerëz jo të shantazhuar nga bota e krimit. Gjithashtu, edhe vota e diasporës. Ata luajnë një rol të rëndësishëm në jetën tonë”.

Exit mobile version