Dega e PD Gjirokastër i ka kërkuar Prokurorisë së këtij qyteti që të hetojë përgjegjësit e masakrës mjedisore dhe monumentale që po kryhet në qytet, sponsorizuar nga Bashkia. Kreu i PD të Gjirokastrës, Roland Bejko, në një dalje publike tre ditë fill pas skandalit të kryetares së Bashkisë në videon e pacensuruar gjatë shkarkimit të administratorit të ujësjellësit, ka bërë fajtore për gjendjen mjaft të rënduar në qytet, kryebashkiaken e Gjirokastrës Zamira Rami, e cila sipas tij, po mbështet një firmë ndërtuese për të kryer punime në zonën muzeale, pa asnjë leje nga organet kompetente.
Sipas Bejkos, kjo firmë punon ilegalisht pa leje ndërtimi nga Bashkia e Gjirokastrës, pa leje mjedisore nga Inspektoriati Rajonal i Mjedisit dhe më kryesorja, pa çertifikimin e Institutit të Monumenteve të Kulturës.
Në një kohë kur qeveria shqiptare vitin e kaluar, pati nxjerrë një urdhër të ashpër për penalizimin e çdo institucioni, firme apo individi në momentin kur ndërhyn në një zonë të mbrojtur nga UNESCO.
Por sipas Bejkos, ky urdhër nuk është i vlefshëm për Bashkinë e Gjirokastrës, pasi kryetarja Zamira Rami, nuk pyet. Për kreun e PD, organi i akuzës në Gjirokastër duhet të ndërmarrë urgjentisht hetime ndaj kësaj masakre që po bëhet në zonën muzeale të qytetit.