PD ironizon panairin e Tahirit

Partia Demokratike ka denoncuar dje bilancin e lidhjeve kriminale të Saimir Tahirit. Sekretari i Aksionit Qytetar, Ervin Salianji ishte pranë panairit që ai ka ngritur në qendër të Tiranës, ku Tahiri shfaqet prej disa ditësh, duke sulmuar institucionet.
“Për ditë me radhë Panairi i Policisë që shihni këtu, nuk arriti që të ekspozonte sukseset personale të ministrit Sajmir Tahiri. Nuk u ekspozua gjatë panairit të policisë suksesi i ministrit Tahiri, që është mbulimi i gjithë Shqipërisë nga droga. Nuk u arrit të ekspozohej makina e famshme AA003GB e kushërinjve të ministrit, e cila transportonte drogë e nuk ndalej nga policia.
Nuk u arrit të ekspozohej suksesi i ministrit Tahiri për të nxjerrë jashtë kufijve të Shqipërisë Arben Frrokun, vrasësin e komisar Lamajt, nuk u arrit të ekspozohej mënyra se si ministri Tahiri arriti të nxirrte jashtë shtetit dhe ndihmoi të arratisej Balilin, apo Eskobarin e Ballkanit, baroni i drogës siç njihej për mediat ndërkombëtare. Nuk arriti të ekspozohej as kriminaliteti i lartë në vend, as gjobat dhe represioni që Policia e Shtetit ushtron ndaj qytetarëve”, tha Salianji.
Sekretari i Aksionit politik dënoi sulmet e Tahirit ndaj hetimit që ka nisur për përgjimin dhe mbrojtjen që ai dhe Rama po i bëjnë krimit.
“Për 2 ditë me radhë u arrit që ky panair të kthehej në frengji, nga ku ministri filloi të sulmonte pa asnjë kulturë institucionale, pa asnjë parim të qeverisjes së mirë, gjykatës dhe prokurorë, të cilët e kanë vendosur sot ministrin Tahiri si të akuzuarin kryesor për pajisjen e përgjimit, e cila edhe ajo nuk u ekspozua në këtë panair. Ndaj Edi Rama dhe Saimir Tahiri nuk e duan reformën në drejtësi, sepse në rastin më të parë, në momentin më të parë që u vu në provë për t’i hapur rrugë drejtësisë, për t’i lënë që drejtësia të thotë fjalën e fundit ashtu siç e parashikon Kushtetuta dhe Ligji, Edi Rama dhe ministri i vet i akuzuar sot për përgjimin e ambasadorëve, të mediave, të krerëve më të lartë të shtetit, për një skandal me përmasa të mëdha shtetërore, pengon hetimin, pengon drejtësinë, i bën kërcënime mafioze gjykatësve”, u shpreh Salianji.

Exit mobile version