PD: Ka vetëm një mundësi për të ardhmen

Partia Demokratike ka reaguar dje ndaj deklaratës së ambasadores së BE, Vlahutin duke e përshëndetur atë përmes shprehjes: “Më në fund, ambasadorja u tha shqiptarëve të vërtetën, të cilën kryetari Basha dhe Partia Demokratike e ka thënë çdo ditë për tre vjet: nuk mund të ketë çelje negociatash nëse nuk ndalet kanabisi”, thuhet në deklaratën e PD.
Për demokratët emërimet e reja të Ramës në krye të Kuvendit dhe të Ministrisë së Brendshme lënë pak shteg për të besuar në një luftë ndaj drogës.
Fatmir Xhafa, vëllai i baronit të drogës Agron Xhafa, i kërkuar nga drejtësitë e vendeve të BE do të jetë në krye të aparatit policor dhe kjo nuk lë aspak shteg për të besuar se mund të ketë një luftë reale ndaj trafikut të drogës. Eshtë njësoj sikur ujkut t’i vihen mëlçitë në qafë.
Po ashtu, emërimi i Gramoz Ruçit në krye të Parlamentit është po ashtu një lajm i keq. I skeduar në dokumentat e ambasadës amerikane si njeri i afërt me klanet kriminale të drogës, Ruçi konsiderohet si një njeri i krimit të organizuar sipas Ëikilekas në dokumentat amerikane dhe kjo është edhe arsyeja se përse atij nuk i lejohet hyrja në Shtetet e Bashkuara që nga viti 2005.
Për PD ka vetëm një zgjidhje për të ardhmen europiane; të bëhemi të gjithë bashkë kundër drogës.
“Partia Demokratike përshëndet deklaratën e ambasadores së BE-së, Vlahutin se çelja e negociatave ka si kusht luftën kundër kanabisit. Më në fund, ambasadorja u tha shqiptarëve të vërtetën, të cilën kryetari Basha dhe Partia Demokratike e ka thënë çdo ditë për tre vjet: nuk mund të ketë çelje negociatash nëse nuk ndalet kanabisi. Kjo do të thotë se ecuria e integrimit europian është mbajtur dhe po mbahet peng nga vetë Edi Rama. Fatkeqësisht, emërimet në krye të Kuvendit dhe të Ministrisë së Brendshme, Edi Rama rikonfirmoi mbështetjen e tij për drogën dhe krimin. Në këto kushte, ka vetëm një mundësi për të ardhmen tonë europiane: të bëhemi të gjithë bashkë kundër drogës dhe krimit”, thuhet në deklaratën e PD.

 

Exit mobile version