Në një deklaratë për media, zëdhënësja e PD, Mirela Karabina, u shpreh se dështimi i arsimit në vend, që u pasqyrua te “Pisa”, është përgjegjësi e drejtpërdrejtë e dështimit të qeverisë shqiptare.
“Ministria e Arsimit nuk ka pasur as vullnetin as vizionin e duhur për t’i adresuar problematikat siç do duhej të adresoheshin, por dështimit iu përgjigj me propagandë, ku Kryeministri i vendit foli për arritje dhe për ecje përpara, ndërkohë që të vërtetën e shkollës shqiptare e prekin mësuesit, prindërit dhe nxënësit në përditshmërinë e tyre.” – u shpreh zëdhënësja e PD.
“Arsimi ngelet prioritet i rëndësishëm i PD-së dhe do të bëjmë gjithçka për ta ndryshuar këtë realitet të trishtë, sepse vetëm kështu mund të kontribuojmë vërtet për një Shqipëri më të mirë për të gjithë.” – përfundoi ajo.
Deklaratën zëdhënësja e PD, Karabina, e bëri në ditën kur ministrja Manastirliu foli në Kuvend dhe e krahasoi rënien e Shqipërisë të fundit në Rajon të ngjashme me atë të Gjermanisë.
DEKLARATË E PARTISË DEMOKRATIKE, ZËDHËNËSJA, MIRELA KARABINA
Ministrja Manastirliu nuk mund të fshihet pas gishtit për dështimin e arsimit shqiptar dhe të marrë si shembull Gjermaninë, sepse e pakrahasueshmja nuk mund të krahasohet.
Dështimi i arsimit në vend, që u pasqyrua më së miri nga përgjigjet e fundit të “Pisa-s”, janë përgjegjësi e drejtpërdrejtë e dështimit të qeverisë shqiptare.
Ministria e Arsimit nuk ka pasur as vullnetin as vizionin e duhur për t’i adresuar problematikat siç do duhej të adresoheshin, por dështimit iu përgjigj me propagandë, ku Kryeministri i vendit foli për arritje dhe për ecje përpara, ndërkohë që të vërtetën e shkollës shqiptare e prekin mësuesit, prindërit dhe nxënësit në përditshmërinë e tyre.
Pasi vendi ynë u rendit i fundit në Rajon, nuk ka pasur asnjë diskutim, asnjë tryezë debati, asnjë përgjegjësi, asnjë vullnet për të folur për problemin dhe se si do duhej të zgjidhej ai, duke dëgjuar dhe u ulur me ekspertët e fushës, por është vijuar të flitet për gjëra të mëdha, ndërkohë që dështimi ka ardhur pikërisht nga kjo qasje që përqëndrohet te forma dhe jo te përmbajtja, te propaganda dhe jo te realiteti.
Arsimi në Shqipëri ka një mijë e një probleme. Atë e prekin përditë mësuesit dhe nxënësit, prindërit dhe komuniteti.
Ndaj Partia Demokratike zotohet për ta rikthyer arsimin në shinat e misionit dhe të normalitetit të tij.
Pikë së pari, duke e shkëputur atë nga propaganda dhe duke dëgjuar ekspertët e fushës, sepse arsimi është një kambanë e madhe alarmi që nuk mund t’i përkasë vetëm një partie politike, por bëhet fjalë për të ardhmen e krejt shoqërisë sonë.
Si e tillë, arsimi ngelet prioritet i rëndësishëm i PD-së dhe do të bëjmë gjithçka për ta ndryshuar këtë realitet të trishtë, sepse vetëm kështu mund të kontribuojmë vërtet për një Shqipëri më të mirë për të gjithë.