PD, Karabina: Shqipëria është i vetmi vend në Europë, ku administrata anëtarësohet me detyrim në partinë në pushtet

Zëdhënësja e PD, Mirela Karabina, shprehet se Shqipëria është i vetmi vend në Europë, ku administrata shtetërore anëtarësohet e gjitha me detyrim në partinë në pushtet. Në një postim në Facebook, Karabina thotë se anëtarësimet e fundit të PS-së treguan gjendjen e vërtetë të pushtetit të Edi Ramës, i cili, ndërkohë që premton Evropën dhe Perëndimin, sillet si diktaturat e Lindjes dhe modelet e vendeve autokrate.

Reagimi i plotë i zëdhënëses së PD, Mirela Karabina:

Shqipëria është i vetmi vend në Europë, ku administrata shtetërore anëtarësohet e gjitha me detyrim në partinë në pushtet.
Përveç një reminishencë e shëmtuar nga e shkuara komuniste, anëtarësimet e fundit të PS-së treguan gjendjen e vërtetë të pushtetit të Edi Ramës, i cili, ndërkohë që premton Evropën dhe Perëndimin, sillet si diktaturat e Lindjes dhe modelet e vendeve autokrate.
Jo vetëm anëtarësime me detyrim dhe me presion në këmbim të mbajtjes së vendit të punës, por ajo që u vu re në zgjedhjet e fundit për Asamblenë Socialiste, ishte keqpërdorimi i drejtuesve të shkollave dhe i rrjeteve sociale të shkollave, të cilat në shumë raste shpërndajnë aktivitetet partiake të ministres së Arsimit.
Keqpërdorimi i shkollës për arsye partiake, është arsyeja numër një e shkatërrimit të arsimit në Shqipëri.
Nuk mund të interpretohen ndryshe rezultatet e ulëta dhe problemet e mëdha që dalin përditë në këtë drejtim.
Pavarsisht propagandës, rezultatet flasin më shumë se gjithçka.
Kjo është një situatë që duhet të marrë fund!
Partia Demokratike e Shqipërisë do ta çlirojë administratën nga partitizmi i tejskajshëm dhe shkollën nga politizimi ekstrem, duke i kthyer të dyja në shinat e normalitetit të një vendi që jo vetëm synon Evropën, por edhe punon në këtë drejtim.
Partia Demokratike e Shqipërisë u bën thirrje të gjithë punonjësve të ndershëm të administratës shqiptare, mësuesve dhe profesionistëve të tjerë jo vetëm të arsimit, që të denoncojnë të gjithë rastet e ushtrimit të presionit dhe të dhunës nga partia në pushtet.
Partia Demokratike e Shqipërisë zotohet që të bëhet zëri i halleve dhe shqetësimeve të tyre, duke synuar një administratë profesioniste dhe ku të mbizotërojë vetëm gara dhe merita.

Exit mobile version