Partia Demokratike denoncoi në Asamblenë parlamentare të Këshillit të Europës shfrytëzimin e fëmijëve dhe grave për punë të rënda nga Bashkia e Tiranës dhe ndërhyrjet e kryetarit të Bashkisë për të censuruar gazetarët që raportuan për këtë skandal të rëndë shtetëror. Kryetarja e Komisionit parlamentar për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë, Albana Vokshi gjatë takimit të Asamblesë parlamentare të Këshillit të Europës të mbajtur në Paris, kërkoi nga KiE dërgimin në Tiranë të një misioni monitorimi për të hetuar për shfrytëzimin e fëmijëve në landfillin e Sharrës, ku humbi jetën në rrethana dramatike një fëmijë 17 vjeç dhe trupi i tij i gjymtuar u fsheh në pirgjet e mbeturinave. Më herët, në të njëjtat rrethana ishte fshehur edhe vdekja e një gruaje 42 vjeç. Deputetja Albana Vokshi shprehu shqetësim për përkeqësimin e të drejtave të fëmijëve në Shqipëri dhe akuzoi autoritetet e Tiranës për korrupsion dhe kriminalizim të institucioneve. “Shfrytëzimi i fëmijëve për punë të rënda dhe dhunimi i të drejtave të tyre vazhdon të mbetet një problem shqetësues në Shqipëri. Referuar statistikave zyrtare dhe raportit të organizatës ‘ILO’, mbi 20 për qind e fëmijëve nën 18 vjeç jetojnë në varfëri absolute. Organizatat e fëmijëve raportojnë se mbi 100 mijë të mitur janë të kequshqyer dhe jetojnë në kushte ekstremisht të vështira, ndërsa 50 mijë punojnë në rrugë. Shqetësues është fakti që një numër i konsiderueshëm të miturish punon në kultivim dhe pastrim bimësh narkotike. Në raport progresin për Shqipërinë 2015, BE shprehu shqetësimin për rrezikun e trafikimit të fëmijëve dhe shfrytëzimit të tyre për punë, në mesin e tyre edhe të miturit e komuniteteve romë dhe egjiptianë. Autoritetet shqiptare fshehin statistikat e fëmijëve të trafikuar dhe të atyre që punësohen në të zezë”, deklaroi deputetja Vokshi. Vokshi denoncoi edhe praktikat korruptive të qeverisë me shërbimet jetike dhe kaosin e vendimmarrjes me programet e mbrojtjes sociale për familjet dhe njerëzit në nevojë. “Banka Botërore raportoi se 47 për qind e popullsisë në Shqipëri jeton me vetëm 500 lekë në ditë. Papunësia është rritur ndjeshëm. 34 për qind janë të rinj dhe të reja dhe në rajone të caktuar papunësia ndër gra e vajza shkon nga 50-70 për qind. Mbi 200 mijë shqiptarë, ndër ta 33 për qind fëmijë emigruan në Europë vetëm në këto dy vite. Ndërsa më shumë se 200 mijë shqiptarë aplikuan për lotarinë amerikane, në dëshpërim për jetën”, tha Vokshi. Deputetja e Partisë Demokratike, Albana Vokshi njëkohësisht kryetare e Komisionit parlamentar për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë kërkoi nga institucionet europiane të monitorojnë situatën në Shqipëri për të ndalur përkeqësimin e të drejtave të njeriut.
Kryesore
Continue to the categoryRomeo Karaj: Basha sakrifikoi për PD-në dhe të djathtën, Berisha e...
Avokati Romeo Karaj duke folur për situatën në Partinë Demokratike në emisionit “3D” në RTSH, ka krahasuar liderët kryesorë të saj. Sipas tij, Lulzim...