Sekretari për Reformën Zgjedhore në Partinë Demokratike, Rezart Kthupi ka deklaruar se edhe kryeministri Edi Rama shumë shpejt do ta shohë veten në SPAK.
Duke folur në emisionin në emisionin “3D” në RTSH 1, Kthupi theksoi se në muajin mars do të ketë një pastrim në radhët e Partisë Socialiste të eksponentëve socialistë që kanë probleme me drejtësinë.
Sipas tij, edhe Rama do të përfundojë në SPAK, në rastin më të mirë për të dëshmuar për çështjen “McGonigal”.
“Në muajin mars do të shohim një pastrim të atyre që do të ketë probleme me SPAK-un. Është duke u bërë gati për të pastruar radhët për individët që kanë probleme. Vetë z. Rama pritet të ketë probleme në të ardhmen me SPAK-un. Arsyetimi ligjor është se z. Rama do të shkojë minimalisht të deponojë. Nuk e di nëse do të mbajë apo jo përgjegjësi penale. Është një deduksion logjik ligjor sepse z. Rama minimalisht duhet të pyetet për çështjen McGonigal”, u shpreh Kthupi.
Ai shtoi se nëse Partia Socialiste do të vijojë me këto ritme të përballjes me drejtësinë, atëherë nuk do të ketë më përgjegjësi individuale por edhe politike që do të shkojë deri lart, te kryeministri dhe kryesocialisti Edi Rama.
“Nëse Partia Socialiste do të vazhdojë me ritme aktuale të ketë goditje të vazhdueshme nga SPAK, nuk mund të vijojë pavarësisht sepse diku do të cedojë moralisht flasim, se ligjërisht kjo qeveri nuk bie. Por nëse ka ministra dhe ish-ministra që përfundojnë në dyert e SPAK-ut nuk mund të jetë më përgjegjësi individuale do të jetë përgjegjësi politike. Z. Rama nuk pranon asnjëherë përgjegjësi politike. Z. Ahmetaj mund të dalë nesër penalisht i pafajshëm politikisht ai është përgjegjës. Por nuk mund të jetë vetëm z. Ahmetaj përgjegjës sepse Ahmetaj firmoste për llogari të z. Rama”, tha Kthupi.