Partia Demokratike Dega Lezhë ka paraqitur në Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lezhë, kallëzimin për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës” neni 248 i Kodit penal, kryer në bashkëpunim, në ngarkim të anëtarëve të Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve, Komisioneve Zonale të Administrimit Zgjedhor Nr.12 dhe 13, të anëtarëve të Komisioneve të Qendrave të Votimit dhe Grupeve të Numërimit të Zonave Zgjedhore 12 dhe 13 Lezhë.
Organizimi dhe administrimi prej tyre i proçesit të votimit të datës 30 qershor, në kundërshtim me Dekretin e Presidentit Nr.11199 datë 11.6.2019 “Për shfuqizimin e Dekretit Nr.10928, datë 5.11.2018 të Presidentit të Republikës “Për caktimin e datës së zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore”, përbën shkelje të rëndë të rendit kushtetutes dhe ka si qëllim cënimin e funksionimit ligjor të institucioneve.
Gjithashtu, Partia Demokratike Dega Lezhë, ndaj subjekteve të mësipërme, ka paraqitur ndër të tjera kallëzim për veprën penale të “Falsifikimit të dokumenteve dhe rezultateve të zgjedhjeve”, neni 326 i Kodit Penal, pasi ka dyshime të arsyeshme bazuar në monitorimin e bërë nga strukturat e PD-së, referimit nga qytetarët si dhe të dhënave të publikuara zyrtarisht, se në disa Qendra Votimi në ZAZ 12 dhe 13 në Lezhë, ndër të tjera, janë kryer veprime me qëllim manipulimin e rezultatit të votimeve duke falsifikuar nënshkrimet në listat e zgjedhësve, duke cënuar fshehtësinë e votimit, apo lejuar votimin pa qenë prezent qytetarët.
“Ne besojmë se Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Lezhë do të dëshmojë profesionalizëm, paanësi dhe korrektësi në hetimin e plotë dhe të gjithanshëm të kësaj çështje, për zbardhjen e të gjitha veprimeve apo mosveprimeve të cilat kanë sjellë si rezultat mbajtjen e një proçesi votimi të kundraligjshëm si dhe falsifikimin e materialeve zgjedhore me qëllim dokumentimin e një rezultati të manipuluar dhe të pavërtetë”, thuhet në këtë deklaratë.