Në një prononcim për media, zëdhënsja për shtyp e PD-së, Mirela Karabina, është shprehur se “mashtrimet e dala boje të Berishës kërkojnë të fshehin pazarin e tij me Edi Ramën, që kurorëzohet me kullën më të lartë të Ballkanit në Tiranë”.
Për zonjën Karabina, sot është e qartë arsyeja e shpalljes së Berishës “Non Grata” dhe e gjithë përpjekja e tij bëhet për t’iu shmangur drejtësisë.
Më poshtë reagimi i plotë:
Sali Berisha vazhdon me mashtrimet ordinere për hallet e tij dhe për t’i ikur llogaridhënies për humbjen e thellë të zgjedhjeve të 14 majit, për të cilën nuk thotë asnjë fjalë, edhe pse u kishte premtuar demokratëve që për 6 muaj rrëzon Edi Ramën.
Mashtrimet e dala boje të Berishës kërkojnë të fshehin pazarin e tij me Edi Ramën, që kurorëzohet me kullën më të lartë të Ballkanit në Tiranë.
Sa për arsyet pse Sali Berisha u shpall non grata, sot nuk ka shqiptarë që nuk e kupton!
Argumenti i DASH për shpalljen non grata:
“Në cilësinë e tij si Kryeministër i Shqipërisë në veçanti, Berisha ishte i përfshirë në veprime korruptive, të tilla si shpërdorim i fondeve publike dhe ndërhyrje në proceset publike duke përfshirë përdorimin e pushtetit për përfitimet e tij dhe për të pasuruar aleatët politikë dhe anëtarët e familjes së tij, si dhe në shpenzimin e besimit të publikut shqiptar ndaj institucioneve të tyre qeveritare dhe zyrtarëve të lartë publikë”
Arsyet pse Britania e Madhe shpalli Sali Berishën non grata :
“ Në lidhje të qarta me grupe të krimit të organizuar dhe kriminelë, të cilët kanë paraqitur një rrezik për sigurinë publike në Shqipëri dhe në Mbretërinë e Bashkuar dhe, se ju jeni i gatshëm t’i përdorni këto lidhje për të avancuar ambiciet tuaja politike, si edhe për korrupsion”.
Këto janë arsyet që Sali Berisha është shpallur i padëshirueshëm nga SHBA-të dhe Britania e Madhe, të tjerat janë përralla dëshpërimi
Sot Sali Berisha duhet t’u tregonte demokratëve që po i përdor si mburojë të halleve të tij:
-Pse nuk shkon para drejtësisë të sqarojë akuzat ndaj tij për korrupsion, por fshihet pas demokratëve?
-Pse nuk tha asnjë fjale për zgjedhjet e 14 majit?
Shënoi humbjen më të thellë në zgjedhje, ndëkohë që i mashtroi demokratët se me të do të largohej Rama për 6 muaj.
Sali Berisha nuk do të mund të mbrohet në përballje me SHBA-të, Britaninë e Madhe dhe Drejtësinë duke përçarë demokratët për interesat personale të tij!