PD, Mirela Karabina: Ndryshimi i ligjit për Zonat e Mbrojtura, akt i rëndë i kësaj qeverie. Bëhet për interesa të ngushta dhe klienteliste, në dëm të trashëgimisë kulturore, të interesit publik dhe të qytetarëve.

Në një deklaratë nga selia e PD, zëdhënësja për shtyp e kësaj partie, Mirela Karabina, është shprehur se ndryshimi i ligjit për Zonat e Mbrojtura, është një akt i rëndë i kësaj qeverie dhe bëhet për interesa të ngushta dhe klienteliste, në dëm të trashëgimisë dhe të interesit të publikut.

E gjithë kjo ka ardhur, sipas Karabinës, si pasojë e zhurmës së shkaktuar në Parlament dhe nga mosfunksionimi normal i Komisioneve Parlamentare.

“Atë çfarë do Edi Rama të arrijë, ia mundëson kjo mënyrë veprimi, e stisur nga interesa personale, ndërsa për publikun ky është një dëm i madh, i parikuperueshëm dhe me pasoja për të ardhmen.” – u shpreh ajo.

“Për të kuptuar se çfarë mazhoranca ka votuar në kaosin e rrëmujës, është me rëndësi të sqarohet se qeveria i ka hequr kompetencat ekspertëve dhe studiuesve për të përcaktuar se cilat janë rezervat natyrore, të cilat është e nevojshme për t’u ruajtur si trashëgimi, por, në radhë të parë, për të siguruar jetëgjatësinë e habitateve që njerëzit i kanë ruajtur ndër shekuj. Ndërhyrja arbirtrare e Kryeministrit dhe një grushti njerëzish për të vendosur jo vetëm fatet e specieve, por ekuilibrat mjedisore dhe urbane, është shkelje e Kushtetutës, ligjeve vendore dhe konventave ndërkombëtare. Kjo ndërhyrje cënon MAS dhe është në kundërshtim me kapitullin 27 për mjedisin, që Shqipëria ka detyrim për të përmbushur në rrugetimin e saj drejt BE-së. Mjedisi natyror dhe urban janë hapësira dhe territore që mund të cëojne jetën, shëndetin dhe qëndrueshmërinë e një vendi.” – deklaroi më tej zëdhënësja demokrate.

Për Karabinën, “ky vendim i paprecedent i mazhorancës socialiste, si qëllim të vetëm ka kthimin nga territore të mbrojtura në TROJE për ndërtim, në shërbim të klientëve të saj, të cilët, lekët që marrin nga qeveria, i investojnë për të mbajtur gjallë konfliktin në radhët e opozitës. Akti i qeverisë nuk është vetëm i rëndë, por ai cënon edhe qëndrueshmërinë afatgjate të mjedisit dhe të trashëgimisë kulturore. Ai i shërben vetëm një grushti të vogël interesash, të lidhur ca me qeverinë ca me ata që në Parlament i mundësojnë qeverisë t’i kalojë këto ligje pa debat dhe pa diskutime”.

“Partia Demokratike është e vendosur, ndaj në momentin e parë që ajo do të vijë në pushtet, do ta shfuqizojë këtë ligj. Zotohemi se subjektet që do të përfitojnë nga ky ligj, do t’i nënshtrohen praktikave më të avancuara të ligjit antimafia. Ky është një zotim publik që Partia Demokratike e Shqipërisë ndërmerr dhe do të bëhet realitet në momentin e parë të mundshëm.” – përfundoi ajo.

Exit mobile version