Në një deklaratë për mediat, zëdhënsja e PD-së, Mirela Karabina, ka thënë se Partia Demokratike mbështet maksimalisht Prokurorinë e Posaçme përsa i përket fillimit të hetimeve ndaj ish-ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj.
“Ne si Parti Demokratike, – u shpreh Karabina, – jo vetëm që e kemi denoncuar të parët këtë aferë, por shprehim mbështetjen tonë maksimale për organin e akuzës dhe kërkojmë që çështja të hetohet me profesionalizëm dhe me korrektësi.”
Sipas zëdhënëses së selisë blu, Ilir Beqaj është mik i ngushtë i Edi Ramës dhe rasti i aferës së sterilizimit, është treguesi më i qartë se qeveria është e mbytur në korrupsion dhe zullume.
Më poshtë deklarata e plotë e zonjës Mirela Karabina:
“Partia Demokratike e Shqipërisë është e vendosur në mbështetjen e saj për çdo hetim dhe për çuarjen përpara drejtësisë të çdo zyrtari të korruptuar në këtë vend.
Shqiptarëve u ka munguar drejtësia, ndaj ata presin të vërtetohen akuzat penale në mënyrë që të ndërpritet balta dhe tymnaja politike.
Vetëm kështu mund të merret vesh e vërteta dhe koha e pandëshkueshmërisë të marrë fund.
Dhënia e masës së sigurisë ndaj ish-ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj, për koncensionin e sterilizimit, është një lajm i mirë për Shqipërinë dhe shqiptarët.
Ne si Parti Demokratike jo vetëm që e kemi denoncuar të parët këtë aferë, por shprehim mbështetjen tonë maksimale për organin e akuzës dhe kërkojmë që çështja të hetohet me profesionalizëm dhe me korrektësi.
Ne si Parti Demokratike kërkojmë nga SPAK që njëkohësisht të vijohet me inceneratorët dhe aferat e tjera të kësaj mazhorance, të cilat ne vazhdimisht i kemi bërë publike.
Dhënia e masës ndaj Ilir Beqajt, mikut të ngushtë të Edi Ramës, është treguesi më i qartë se kjo qeveri është e mbytur në zullume dhe në korrupsion.
40 hajdutët e mazhorancës kanë Edi Ramën në krye, ndaj çdo hetim dhe fillim çështjeje penale, në të vërtetë është ngushtim laku për shefin e tyre.
Partia Demokratike si e vetmja forcë euro-atlantike inkurajon hetimet, shpreh mbështetjen e saj dhe siguron shqiptarët se do të vijojë të denoncojë aferat korruptive të kësaj qeverie.”