Partia Demokratike përmes një deklarate i ka bërë thirrje KQZ-së dhe institucioneve të tjera të vendit që të zbatojnë dekretin e Presidentit Ilir Meta për zhvillimin e zgjedhjeve më 13 tetor.
“I vetmi akt me fuqi kushtetuese në lidhje me zgjedhjet është dekreti i Presidentit për zhvillimin e zgjedhjeve më 13 tetor. Është detyrim i pashmangshëm dhe i padiskutueshëm i KQZ-së dhe institucioneve të tjera shtetërore të përgatisin infrastrukturën për këto zgjedhje.
Me moszbatimin e Dekretit të Presidentit, KQZ vazhdon t’i shërbejë pushtetit ilegjitim të Edi Ramës. Refuzimi i KQZ për të zbatuar Kushtetutën rikonfirmon se Edi Rama kontrollon në mënyrë të paligjshme atë dhe çdo institucion tjetër”, thuhet në deklaratën e PD-së.
Partia më e madhe e opozitës paralajmëron “shërbëtorët dhe kamikazët e KQZ se shpejt do të mbajnë përgjegjësi penale për aktet kriminale me të cilën dhunojnë Kushtetutën dhe ligjet e vendit”.