PD në betejë me qeverinë, drejtësinë dhe ndërkombëtarët

Nga Ervis Iljazaj

Arrestimi i deputetit Ervin Salianji ka krijuar një kauzë të re për Partinë Demokratike për të thirrur edhe njëherë njerëzit e saj në protestë. Është një rast, që për hir të vërtetës, ka krijuar një lloj empatie në opinionin publik, jo vetëm të militantëve të PD, por edhe përtej tyre. Për arsye se ishte një arrestim i bërë në kuadër të betejës politike dhe vendimit të gjykatës me një vit burg, por shumë të diskutuar.

Duke u nisur nga ky rast, Partia Demokratike u kthye edhe njëherë në betejën e saj me drejtësinë, gjë të cilën e ka bërë që nga koha kur lideri i saj ka një konflikt me SPAK. Megjithëse rasti i Salianjit dhe i Berishës janë dy raste totalisht të ndryshme. Njëri i dënuar për një denoncim publik në emër të Partisë Demokratike dhe betejës politike, dhe tjetri i akuzuar për korrupsion. Mirëpo, rasti i Salianjit është një kauzë që PD po e përdor për të sulmuar drejtësinë dhe akuzuar atë si të kapur nga pushteti, të cilën e ka kauzë kryesore.

Që Partia Demokratike proteston nuk ka asgjë të keqe. Përkundrazi, nëse ajo demonstron forcë është një gjë qe vetëm mirë i bënë demokracisë në Shqipëri. Sa më shumë e fortë të jetë opozita, aq më e më mirë demokracia. Aq më tepër kur në vitet e fundit opozita është shfaqur e dobët në sytë e opinionit publik për shumë arsye.

Problemi qëndron se Partia Demokratike është në betejë në tri fronte. Në betejë me drejtësinë, në betejë me qeverinë dhe në betejë me ndërkombëtarët.

Më drejtësinë sepse lideri i saj ka një konflikt interesi pasi akuzohet nga SPAK për korrupsion. Dhe që nga ajo ditë, duket sikur fokusi kryesor i saj është lufta ndaj SPAK dhe drejtësisë së re në përgjithësi. Madje, i vetmi program që ka shpalosur deri me tani për zgjedhjet parlamentare të 2025 është çmontimi i Reformës në Drejtësi. Vetëm se për të arritur këtë synim do i duhet dakordësia e mazhorancës dhe Edi Ramës, pasi kjo gjë arrihet me një bashkëpunim pozitë-opozitë. Nëse kanë këtë synim, atëherë le ti bashkohen komisionit anti-korrupsion që drejtohet nga Fatmir Xhafaj dhe aty të diskutojnë për drejtësinë e re që duan të bëjnë. Me të gjitha gjasat edhe Rama do të ishte i kënaqur nëse do të ndryshonin disa gjëra të drejtësisë. Në këtë drejtim mund të gjejnë pika ku takohen.

Po ashtu Partia Demokratike është në luftë me qeverinë për zgjedhjet e ardhshme. Me një qeveri e cila ka shumë instrumente politikë e financiar në garën që po afron. Madje që i ka ndezur motorët e fushatës që tani. Në këtë kuptim PD është ende mbrapa sepse është duke u marrë me çështje të tjera. Partia Demokratike gjithashtu futet në garë pa një kandidat për kryeministër. Një gjë e cila nuk ka ndodhur asnjëherë jo vetëm në Shqipëri, por edhe jashtë saj. Është vështirë të mendosh se një forcë politike fiton zgjedhjet pa një kandidat për kryeministër.

Dhe së fundmi Partia Demokratike është në betejë edhe me ndërkombëtarët. Deklaratat e ditëve të fundit tregojnë edhe njëherë krizën ndërkombëtare të Partisë Demokratike. Ajo është një parti e cila është e izoluar totalisht për shkak të liderishipit të saj. Ky është një fakt tashmë i njohur, por askush nuk e përmend dhe izolimin e saj e justifikon me blerjen që Rama i bënë ambasadave këtu te ne Ndërkohë që aleatët e Shqipërisë janë shprehur qartë se lideri i opozitës është i padëshiruar për ta. Dhe të fitosh betejën me një regjim nuk e bën dot pa aleatët ndërkombëtarë të Shqipërisë.

Deri më sot, në selinë e Partisë Demokratike, që kur Sali Berisha është shpallur non-grata, nuk ka shkelur asnjë ambasador i vendeve mike të Shqipërisë. Dhe në këtë izolim që ndodhet, që po kthehet në një konflikt me ndërkombëtarët, Partia Demokratike ka shumë fronte të hapura lufte. Në këtë kuptim, beteja e saj duket sfilitëse dhe shumë larg objektivave. Të luftosh kundër qeverisë, drejtësisë dhe ndërkombëtarëve në të njëjtën kohë duket si një gjë e pamundur. Nëse ja dalin, atëherë do të ishte një rast më shumë unik se sa i rrallë./ Liberale.al

Artikulli paraprakAmbasadori Karl BERGNER: Gjermania synon mbështetjen e anëtarësimit në BE dhe përmirësimin e jetesës për shqiptarët
Artikulli tjetërBIRN: Pozicioni Negociues i Shqipërisë me BE-në i vendosur mbi ‘themele’ të dobëta