PD në rënie/ Mërtiri për Report TV: Berisha është në situatë mat, opozita tregoi papjekuri duke i shkuar nga pas! Largim nga partia? Është 12 vite vonë

Në një intervistë për Report TV, Mërtiri analizoi rënien e PD që po tregojnë rezultatet e deritanishme të zgjedhjeve. Sipas tij, opozita tregoi papjekuri duke i shkuar nga pas një personi që po qëndron në politikë për hallin personal. I përgjigjet edhe pyetjes nëse Berisha do të largohet nga partia.
Analisti Ergys Mërtiri thotë se PD ishte humbja e opozitës ajo që i dha më shumë mandate Edi Ramës. I ftuar në Report TV me gazetarin Arbër Hitaj, analisti, duke komentuar rezultatet e deritanishme të zgjedhjeve, e cilësoi si krim faktin që Berisha pranoi kodin elektoral, me qëllim që të pengonte partitë e reja që të maksimalizonin votën.

“Pavarësisht se Rama e ka thelluar rezultatin e tij, mendoj që qytetarët kanë qenë pa alternativë dhe kjo është problemi. Më shumë sesa Rama i ka fituar këto zgjedhje, opozita i ka humbur. Opozita që ka humbur në logjikën e zgjedhjeve. Pra nuk është Rama ai që ka fituar por është opozita ajo që ka humbur dhe humbja e opozitës i ka dhënë shumë mandate Ramës. Përveç kësaj opozita ka bërë një veprim të tmerrshëm, krim elektoral duke pranuar një kod zgjedhor që pengonte partitë e reja për të maksimalizuar votën dhe linte në skenë Ramën dhe Berishën. Por kur Rama është shumë herë më i fortë se Berisha dhe ky më i dobët se Rama dhe skena eliminon të tjerët kjo i jep fuqi shtesë Ramës. Me përqindje Rama s’ka marrë më shumë se 55 përqind por me mënyrën sesi shpërndahen mandatet në skemën elektorale të këtij kodi, Rama merr mandate shtesë për shkak të skemës.”, tha Mërtiri.

Ai thotë se Berisha nuk e ka luftën me Ramën por me partitë e reja pasi dëshiron që të ruajë “ekskluzivitetin” e opozitës. Në këtë mënyrë, tha analisti, Berisha synon që të mbrohet edhe nga SPAK. Por, siç u shpreh analisti, në fakt këto zgjedhje e ekspozuan atë si një njeri të dobët me të cilin drejtësia mund të merret rehat.

“Berisha nuk largohet, pse nëse largohet do të vendosë një person të vetin pranë. Po të ishte për t’u larguar duhej të ishte larguar me kohë, Berisha për t’u larguar është 12 vjet vonë. Atëherë kur bëri sikur u largua, duhet të ikte nga ekrani dhe të pensionohej në politikë. Berisha ndenji si deputet, dilte çdo ditë në tv, dublonte rolin e kryetarit, përpiqej ta drejtonte me dhunë nga pas apo me dëshirën e Bashës dhe prodhoi një parti me dy timonë. Vjen një moment që e mori timonin për vetë e çoi në humnerë. Po të kishte ikur, të paktën do kishte ikur kur u shpall non grata. Është i detyruar të rrijë në politikë jo për ambicie politike por për hall. Halli politik është i qartë te SPAK, non grata dhe fakti që është i dënuar, damkosur nga politika ndërkombëtare por edhe me dosje penale mbi familjen e tij dhe grupin e interesit që qëndrojnë pas tij.”, tha Mërtiri.

Duke u ndalur te rezultati i deritanishëm i partive të reja, Mërtiri tha se treguan papjekuri. Duhej që të bashkoheshin për të siguruar disa mandate, dhe për të krijuar një pol të tretë. Sipas tij, nëse do të kishin dalë në një listë të përbashkët, do të prodhonin të paktën 10 mandate më shumë.

“Vetëm votat që kanë marrë do të prodhonin 10 mandate më shumë. Nëse kanë 5, do të kishin 15, një start i mirë për t’u bërë faktor në politikë. Por bënë një gjë më të keqe, sulmuan njëri-tjetrin”, tha Mërtiri.

Artikulli paraprakE vërteta dhemb, hapini sytë!
Artikulli tjetërSPAK nis kontrolle në disa qytete për hetimin e krimeve zgjedhore dhe dyshimeve për korrupsion