Kryetari i Opozitës Basha deklaroi nga Berati se opozita nuk do të kthete në Parlament duke vendosur si kusht të panegociueshëm pastrimin e Parlamentit nga të inkriminuarit.
Deklarata e Bashës
Dy janë kollonat që e mbajnë në pushtet këtë të keqe;Aleanca me krimin
Servilizmi, hipokrizia, mungesa e guximit, indiferenca e atyre që bëjnë propagandën e regjimit, pranojnë heshturazi apo kanë guximin ta mbrojnë në studio televizive, në artikuj gazetash dhe qëndrime të paskrupullta, nuk guxojnë të shfaqin të vërtetën ashtu siç është, por i bëjnë lajka dhe përpiqen t’u shesin shqiptarëve sapunin për djath.
Flasin për rritje ekonomike në një vend ku vetëm në katër vite janë larguar 500 mijë shqiptarë.
Sa veta janë larguar nga blloku ku jetoni ju? Nga pallati? Nga lagjia? Nga fshatrat? Larguar për shkak të mungesës së mundësive.
Larguar për shkak të mungesës së perspektivës.
Bëhet fjalë për 500 mijë shqiptarë, 500 mijë shqiptarë, 1/6 e popullsisë rezidente, sepse 1 milionë shqiptarë janë emigrantë.
Si mund të ketë rritje ekonomike në një vend, ku 1 në 6 qytetarë është larguar, kjo do të thotë të largohet 1/6 e fuqisë blerëse, do të thotë të largohet 1/6 e taksapaguesve. Si mund të ketë rritje ekonomike. Nuk ka rritje ekonomike ka vetëm gënjeshtra dhe mashtrime, për të mbajtur në këmbë një regjim që nuk ka as legjitimitet, as vizion, as mëshirë, për të punuar për qytetarët.
Gjendja ku ndodhet vendi është një thirrje e madhe për opozitën, për Partinë Demokratike, për vizionin tonë për daljen nga kjo situatë.
Dhe sot kemi ardhur këtu para qytetarisë së Beratit për të shpalosur tre elementë bazë mbi të cilën ngrihet kjo platformë, e para dhe më kryesorja, e padiskutueshmja, pa të cilën nuk mund të ketë rrugë përpara dhe me të cilën nuk mund të ketë asnjë loj kompromisi, asnjë lloj kompromisi.
Dua ta them qartë nga Berati dhe të na e dëgjojë e gjithë Shqipëria.
Asnjë lloj kompromisi pa pastruar parlamentin nga kriminelët.
Pa dyshim që jemi një parti europianiste.
Pa dyshim, jemi një parti institucionale.
Ne do t’ju ofrojmë përmes votës dhe besimit tuaj shqiptarëve plarformën e daljes nga kjo e keqe në fushën ekonomike, politike, të ligjit, të rendit, të
luftës kundër krimit, por kompromis me krimin nuk mund të bëjmë, ndaj i bëj thirrje të gjithëve, edhe miqve tanë që s’i kanë hapur sytë akoma, t’iu hapin mirë.
Kthim në parlament me politikanët e lidhur me krimin, nuk ka dhe nuk do të ketë.
Zgjidhja është para jush.
Tash tre muaj, në formën e amendamentit kushtetues, për pastrimin e politikës nga krimi.
Nesër vjen një delegacion i Komisionit të Venecias, personalisht dua t’u them se janë munduar kot që kanë ardhur.
Ne s’kërkojmë asgjë më shumë sesa standardi që ata miratuan për gjyqtarët dhe prokurorët.
Që politikanët e lidhur me krimin të humbasin mandatet.
Nuk po kërkojmë të marrim drejtësinë në duart tona.
Nuk jemi ne, as prokurorët, as gjyqtarët.
Një drejtësi e pastruar nga krimi dhe korrupsioni le të vendosë fatin e tyre, nëse kanë shkelur ligjin, le t’i çojnë ata në burg, por në institucione nuk mund të qëndrojnë asnjë ditë, s’mund të ketë standarde të dyfishta e të trefishta. I njëjti standard që Venecia rekomandoi për gjyqtarët dhe prokurorët, i njëjti standard që kjo qeverie bëri ligj për policët dhe gardistët.
Ne do e kishim votuar po të kishin pranuar amendamentin tonë që vetingu i policisë të niste nga Ministri i Brendshëm, por që këta nuk e deshën, i njëjti standard duhet të vlejë edhe për politikanët.
Kjo është vija e dytë e kuqe për opozitën.
Trajtim preferencial për politikanët, nuk do të ketë.
Dita kur politikanët të mos jenë më mbi ligjin, do të jetë dita e parë e bardhë për qytetarët në Shqipëri.
Nëse duan zgjidhje institucionale, kjo është zgjidhje institucionale.
Miratimi i amandamentit kushtetues për vetingun e politikanëve, dhe shporrja një orë e më parë nga parlamenti dhe bashkitë e vendit dhe jashtë çdo institucioni, e politikanëve mafiozë, e politikanëve të lidhur me krimin.