‘PD nuk pastrohet pa largimin e Berishës’, Mërtiri: Nëse ka patur vjedhje votash, nuk janë bërë pa “bekimin” e tij

Analisti Ergys Mërtiri, i ftuar në një emision televiziv, deklaroi se kontradiktat kanë qenë gjithmonë pjesë e mënyrës së veprimit të Sali Berishës dhe vazhdojnë të bashkëjetojnë me të edhe sot. Sipas tij, këto kundërthënie nuk shkaktojnë më asnjë reagim brenda Partisë Demokratike.

Duke komentuar qëndrimet e Adriana Kalasë, e cila ka sugjeruar largimin nga PD pas pretendimeve për manipulim të votave preferenciale, Mërtiri u shpreh se një tjetërsim i tillë nuk mund të ndodhte pa dijeninë e Berishës.
“Nëse janë vjedhur vota, janë vjedhur nga Berisha dhe njerëzit e tij. Kalaja po kërkon hakun e vet, sepse ajo ka bërë për Berishën atë që rrallëkush ka bërë. Fakti që ajo çuditet është se pse Berisha e flaku jashtë. Por Berisha këtë punë ka bërë për më shumë se 30 vjet”, tha ai.

Mërtiri theksoi gjithashtu se demokratët nuk mund të presin një reformim të vërtetë të partisë pa një ndarje të qartë me figurën e ish-kryeministrit.
“PD nuk mund të pastrohet pa u larguar Berisha. Ai është personi që i mban të gjitha lidhjet dhe influencat. Nëse janë vjedhur vota për një kandidat apo një tjetër, kjo nuk ka ndodhur pa dijeninë dhe miratimin e tij”, u shpreh analisti.

Ai kritikoi gjithashtu mungesën e reagimit të Kalasë në drejtim të vetë Berishës, duke e konsideruar të paplotë analizën e saj mbi situatën në PD.

Exit mobile version