PD nuk do të njohë kryeprokurorin e ri të zgjedhur vetëm me votat e mazhorancës

Opozita nuk do të njohë kryeprokurorin e ri të zgjedhur në rrugë antikushtetuese vetëm me votat e mazhorancës. I ftuar në “Fax News”, deputeti i PD-së, Enkelejd Alibeaj ka deklaruar se PD nuk pranon ftesën e Ramës për dialog qoftë e bërë edhe nga ambasadori amerikan, Donald Lu në lidhje me zgjedhjen e prokurorit.
Ai tha se me këtë që po bën mazhoranca po shkërmoqet Kushtetuta, pasi sipas saj prokurori duhet të jetë jo politik dhe i pakorruptuar, ndërkohë që thirrja e Ramës është për të zgjedhur një prokuror politik dhe kjo është shkelje flagrante e Kushtetutës. “Në fakt një gjë duhet të kuptojnë shqiptarët, dialogu është i mirë si qasje, por nuk duhet lejuar asnjëherë që konsensusi politik t’i mbivendoset rregullave. Çështja e prokurorit është rregulluar më parë me anë të një marrëveshjeje. Është pakt mes shqiptarësh, të majtë, të djathtë. Kushtetuta është marrëveshja e madhe. Prandaj një lloj thirrje e tillë e mazhorancës është cinike dhe qesharake. Prokurori i Përgjithshëm është simbol i sistemit të drejtësisë. Është ai që inicion procesin e ndëshkueshmërisë. Ne kemi vuajtur për drejtësi dhe kjo është arsyeja e madhe që u votua reforma në drejtësi. Dy elementë të rëndësishëm parashikonte Kushtetuta për prokurorin: I pakorruptuar dhe jo i kapur nga politika. Do të arrihej përmes reformës në drejtësi. Pra, jo politik dhe jo i korruptuar, ndërsa thirrja e Ramës është hajde të zgjedhim një prokuror politik, ose edhe më keq një prokuror të PS-së. Rama e përdori 3 vjet vetingun, ndërsa sot ka provën përpara për të treguar se sa e ka dashur. Sot Rama është ai që vetingun nuk e do për prokurorin e Përgjithshëm, por e do politik. Ka një arsye, është rasti i Tahirit se është shumë e rëndë që të kesh ministrin më të suksesshëm si të akuzuar për trafik droge. Ka dhe hallin e tre policëve që sot janë zhdukur”, tha ai. Në lidhje me deklaratën e Donald Lu për dialog, Alibeaj tha se opozita e refuzon këtë ftesë, ndërsa bëri të ditur se opozita nuk do ta njohë zgjedhjen e kryeprokurorit të ri vetëm me votat e mazhorancës. “Nuk bëhet kështu se nuk duhet të ngelet në vullnetin e Ramës apo Bashës çështja e zgjedhjes së prokurorit sepse nuk e thotë kështu Kushtetuta. Kushtetuta thotë se prokurori apo gjithë prokurorët duhet të emërohen dhe zgjidhen jo nga politika, pra politika, pushteti kryesisht nuk duhet të përfshihet në sistemin e drejtësisë. Rama thotë hajde ta zgjedhim bashkë, që do të thotë të mbyllen dosjet korruptive të mazhorancës. Prandaj opozita refuzon ftesën e Ramës, qoftë dhe të ambasadorit. Ne nuk e njohim si proces dhe nuk njohim asnjë produkt të këtij procesi sepse ky proces është i PS-së dhe vetëm tesera e PS-së mund t’i mungojë në xhep. Kjo nuk është gjë tjetër që Prokuroria është dhënë me koncesion sepse prokurorin do ta emërojë Saimir Tahiri me shokë”, tha Alibeaj.

Exit mobile version