PD padi penale Veliajt për landfillin e vdekjes së 17-vjeçarit

Partia Demokratike ka dorëzuar një kallëzim penal në Prokurori në ngarkim të kryetarit të Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj, duke e akuzuar atë mes të tjerash, për shpërdorim detyre, shkelje e barazisë në tenderë e punësim të paligjshëm, pasi vdekja e një minoreni 17-vjeçar muajin e kaluar, zbuloi një skemë abuzive përfitimi nga procesi i riciklimit të mbetjeve urbane të Tiranës përmes përdorimit të aseteve të Bashkisë së Tiranës nga një kompani private, e cila rezulton gjithashtu se punësoi njerëz pa sigurime shoqërore në këtë proces.
“Partia Demokratike ka depozituar një kallëzim penal ndaj kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erjon Veliaj për një numër të madh shkeljesh ligjore, që sollën si rezultat humbjen e jetës së 17-vjeçarit Ardit Gjoklaj, në landfillin e Sharrës, një muaj më parë”, thuhet në një deklaratë të PD-së. Sipas saj, Veliaj është përgjegjës për shkeljen e ligjit në procesin e krijimit të kompanisë Eco Tirana sh.a, duke përzgjedhur një aksioner privat në këtë kompani pa procedurë prokurimi dhe duke i dhënë kompanisë Eco Tirana një shumë parash nga fondet publike pa garë, në shkelje të ligjit për Prokurimet Publike dhe Ligjit Për Koncesionet.
Bashkia e Tiranës nuk iu përgjigj kërkesës së BIRN për komente mbi akuzat e PD-së.
Skandali i menaxhimit të mbetjeve shpërtheu në 7 gusht, kur policia njoftoi se po hetonte vdekjen aksidentale të Ardit Gjoklajt, 17 vjeç, në landfillin e Sharrës. Dy ditë më vonë, policia njoftoi se kishte ndaluar disa punonjës dhe kishte shpallur në kërkim shtetasin Edurim Teqja, administrator i kompanisë private 3R. BIRN investigoi marrëdhëniet e Bashkisë së Tiranës me kompaninë 3R dhe zbuloi se një fushatë e shpallur nga kryebashkiaku Erion Veliaj kundër mbledhjes së mbetjeve urbane të riciklueshme nga shqiptarët e varfër, më së shumti anëtarë të komunitetit rom, fshihte interesat e një kompanie private, e cila përfitonte mbetjet e riciklueshme nga landfilli i Tiranës në marrëdhënie të paqartë juridike me Bashkinë e Tiranës, e cila zyrtarisht është pronare e mbetjeve me vlerë për riciklim.
Prokuroria është aktualisht duke e hetuar ngjarjen në landfillin e Sharrës.
Paralelisht me menaxhimin e riciklimit të mbetjeve në landfill nga kompania 3R, Bashkia e Tiranës njoftoi nismën për krijimin e një kompanie aksionere në bashkëpronësi të saj dhe të një kompanie italiane të quajtur AGSM. Kompania e re quhet Eco Tirana dhe në të, Bashkia e Tiranës ka 51 për qind të aksioneve. Bashkia ka ndërmend t’i japë kësaj kompanie 2.5 milionë euro në vit për grumbullimin e mbetjeve të Tiranës, ndërsa ajo do t’i depozitojë mbetjet në landfillin e Tiranës para se një kompani private të marrë prej tyre mbetjet me vlerë për riciklim.
“Fillimisht shoqëria do të përdorë impiante të të tretëve për seleksionimin dhe do të synojë që sa më shpejt të jetë e mundur të krijojë impiant seleksionimi me partnerë lokalë”, shkruhet në vendimin e Këshillit Bashkiak Tiranë për themelimin e kompanisë.
Në kallëzimin e saj kundër Veliajt, Partia Demokratike thotë se, procesi i përzgjedhjes së parnerit italian AGSM nga Bashkia e Tiranës dhe vendimi për dhënien e shërbimit të mbledhjes së mbeturinave te kompania e përbashkët Eco Tirana, përbën sakaq shkelje ligjore, pasi bashkëaksioneri është zgjedhur pa garë dhe shërbimi i pastrimit të qytetit po i jepet pa garë një kompanie ku Bashkia nuk është pronare me të drejta të plota.

Akordimi i fondeve në mënyrë të paligjshme

Pika 4 e Vendimit të këshillit bashkiak nr 40, dt 23.05.2016 është në shkelje flagrante të ligjit prokurimit publik nr 125/2013 i ndryshuar dhe nenit 33/3 të ligjit të organizimit të pushtetit vendor sepse.
* I akordohet (pa garë) kësaj shoqërie të përbashkët me ortak të huaj të sapokrijuar (me kapital simbolik 3.9 mln lekë) plot 2.5 milion euro fonde publike që në ditën e parë të funksionimit duke arritur në 25 milion euro në pesë vite, edhe pse në bazë të nenit 33/3 të ligjit të pushtetit vendor, njësia vendore e ka të ndaluar të ofrojë mbështetje financiare për shoqëritë tregtare ku ajo nuk është aksionerë e vetme dhe e plotë e shoqërisë tregtare.
* I akordohet (pa garë) kësaj shoqërie një kohëzgjatje kontrate prej 25 vitesh, në kundërshtim me ligjin e prokurimit publik i cili shprehet se për kontrata të tilla shërbimi, afati maksimal është 4 vjet. Fondet publike që kjo shoqëri do të përfitojë direkt në këtë hark kohor kapin shifrën e 165 milion eurove, ndërkohë që këtë e ndalon edhe neni 33/3 I ligjit për pushtetin vendor!
* Kjo shoqëri jo vetëm përkundrejt shpërblimit nga Bashkia Tirnaë por edhe pa garë, do të fitojë pronësinë dhe të drejtën e administrimit të mbetjet urbane të Tiranës për 25 vite. 200 mijë ton mbetje urbane në vit është përllogaritur afërsisht vlera e kësaj prone publike që i kalohet pa garë një shoqërie tregtare me VKB nr. 40, dt 23.05.2016. Kjo pronë e luajtshme e Bashkisë së Tiranës përbën një burim të madh potencial të ardhurash për administruesin dhe poseduesin e saj dhe sipas ligjit, duhet dhe ne çdo rast kërkohet, një procedurë tenderimi për të fituar të drejtën e administrimit të mbetjeve të Tiranës!
* Nëpërmjet VKB-së së sipërcituar, “Eco Tirana” do të fitojë nga bashkia Tiranë përvecse të drejtën e pronësisë së mbetjeve të qytetit për një periudhë 25 vjecare edhe 25 mije m2 truall prone publike brenda Landfillit të Sharrës, pa garë dhe pa kundërshpërblim, per te zhvilluar aktivitetin e saj të grumbullimit, menaxhimit, tregtimit dhe riciklimit të mbetjeve urbane.
Këto pasuri dhe fonde që i kalohen “Eco Tirana” janë pasuri dhe fonde publike dhe si të tilla, bazuar në legjislacionin vendas, kalimi i tyre të tretëve duhet të bëhej vetëm sipas procedurës dhe kërkesave të ligjit dhe gjithmonë me një procedurë konkurruese.
Ndërkohë që në plan-biznesin pretendohet se shoqëria do të investojë 10.9 mln euro ne 5 vite, qartësisht nga vendimi kuptohet se këto fonde do të vijnë kryesisht nga buxheti i Bashkisë së Tiranës dhe jo nga fitimet e kompanisë, pasi raporti i të ardhurave buxhetore në favor të “Eco Tirana”, me të ardhurat që ajo krijon vetë, është një raport shumë i thyer në favor të të ardhurave buxhetore.
Shërbimi i mbledhjes dhe largimit të mbetjeve urbane nuk bën pjesë në rastet përjashtimore të parashikuara në nenet 5, 6, 7, 8, 9 të ligjit të prokurimeve publike, dhe si i tillë këto fonde për këtë shërbim, në çdo rast duhet të prokurohen në përputhje me nenin 1 ,2 dhe 20 të këtij ligji, në mënyrë që të të sigurohet mirëpërdorimi i fondeve publike, të nxitet pjesëmarrja e operatorëve ekonomikë në procedurat e prokurimit publik, të nxitet konkurenca ndërmjet operatorëve ekonomikë dhe të sigurohet një trajtim i barabartë dhe jodiskriminues për të gjithë operatorët ekonomikë, pjesëmarrës në procedurat e prokurimit publik.
Shpërdorimi i kompetencave
Moszgjedhja nga Asambleja e Ortakëve të shoërisë “Eco Tirana” e administratorit ekzekutiv, si organi më i lartë i shoqërisë, i ngarkuar nga ligji dhe statuti me detyrën për të lidhur kontratat me të tretët, krijon dyshime të arsyeshme që është një veprim i qëllimshëm i këtij organi që drejtohet nga Veliaj, për të favorizuar në mënyrë të paligjshme një tjetër subjekt tregtar që kryente veprimtarinë ricikluese dhe fitimprurëse në Landfillin e Sharrës. Sipas burimeve mediatike, ky subjekt quhej “3R”sh.a dhe kishte administrator shtetasin Edurim Teqja.
Moszgjedhja e administratorit ekzekutiv, si organi më i lartë i shoqërisë, i ngarkuar nga ligji dhe Statuti me detyrën e garantimit të të drejtave ligjore të punonjësve të shoqërisë, si dhe thirrja publike e Erion Veliajt për punësim në aktivitetin riciklues në Sharrë, krijon dyshimin e arsyeshëm se janë kryer veprime dhe mosveprime të paligjshme nga ana e organeve drejtuese të “Eco Tirana”, veprime ose mosveprime këto që kanë krijuar kushtet që në landfillin e Sharrës të funksiononte një ndërmarrje e cila punësonte në mënyrë të paligjshme subjekte të së drejtës përfshi dhe të mitur.

Exit mobile version