Partia Demokratike ka dalë në një deklaratë për shtyp, pas reagimit të Ministrisë së Financave, lidhur me akuzat që PD ka ngritur se Arben Ahmetaj ka firmosur në 2016 privatizimin e pronës së njohur te ish-Sera për të favorizuar projektin e trafikantit ndërkombëtar të drogës, Edmond Bego te Unaza e Re.
Në deklaratën për shtyp të PD-së thuhet se, “Arben Ahmetaj bëri budallain për të mbuluar me burokraci të të vërtetën se ishte trafikanti Edmond Bego ai që i pagoi Ministrisë së Financave 1.5 milionë euro për privatizimin e ish-serave”.
Sipas PD-së, “Është e provuar se “Inerte Ekspres” i përket plotësisht mikut të Taulant Ballës dhe se, nëpëmjet saj, janë bërë 4 pagesa për llogari të Ministrisë së Financave përpara se ajo të lidhte kontratën e privatizimit.
Arben Ahmetaj mund të nxjerrë arkivin e Ministrisë së Financave, që nga krijimi i saj, por nuk mund të fshehë dot faktin se ai e privatizoi pronën vetëm pasi trafikanti i drogës mori përsipër të mbyllë procedurën e privatizimit”.
Më tej ka paraljamëruar se detaje të reja do të zbulohen ku thuhet: “A ka pjesë Arben Ahmetaj në projektin rezidencial 60 milionë euro që zhvendosi Lanën me firmën e Ramës dhe Veliajt?
Përgjigja për këtë pyetje është vetëm çështje kohe”.
Kujtojmë se pak më parë, Drejtori i Drejtimit të Pronës Publike Endrit Duçka në një deklaratë për mediat u shpreh se procesi i privatizimit ka nisur në vitin 2007 kur në pushtet ishte qeveria e drejtuar nga Berisha, ndërsa shtoi se në 2016 është lidhur kontrata e shitjes me trashgimtarët e familjes Pinari dhe jo Mond Begon, biznesmenin që PD e akuzon si të lidhur me qeverinë.
“Ky është dokumenti i firmosur nga këshilltari i Këshillit të Ministrave, i cili i ka hapur procedurë legalizimi në vitin 2007. Dëshiroj të ndalem në dy elementë që sqarojnë pozicionin e Ministrisë së Financave në këtë objekt.
Në asnjë rast ministria e financave nuk ka firmosur asnjë dokument me Edmond Begon. Në asnjë rast ministria e Financave nuk ka asnjë dokument që nxjerr fitues këtë person.
Ministria ka favorizuar kalimin e serave në pronësi të trashëgimtarëve Hamdi Pinari. Pagesa është kryer nga trashëgimtarët Pinari. Media është e ftuar për më shumë detaje dhe verifikime pranë Ministrisë së Financave për të gjithë objektet”, deklaroi ai.