PD, partia e themelit të demokracisë në këtë vend

Nga Sali Berisha

PD është partia që përmbysi diktaturën komuniste më të egër në Europë dhe hapi për shqiptarët dyert e lirisë. Vetëm 204 dollarë ishin në vitin ‘92 të ardhurat për frymë të shqiptarëve. Rreth 1 milion shqiptarë në eksode biblike u larguan nga Shqipëria. Që në javën e parë të themelimit të saj PD shpalli interesin dhe çështjen kombëtare gjer atëherë të tradhëtuara, si yllin e saj polar. Ajo nxori Shqipërinë nga izolimi, e lidhi në miqësi me SHBA dhe vendet e lira. PD ndërkombëtarizoi në dokumentet e samiteve të OSBE dhe OKB çështjen e Kosovës, konfirmoi në rezoluta të votuara me 2/3 në OKB të drejtën e qytetarëve të Kosovës për vetëvendosje dhe anëtarësoi Shqipërinë në Këshillin e Europës.
PD, hodhi themelet e ekonomisë së tregut dhe të demokracisë, liberalizoi dhe privatizoi ekonominë, bëri 220 mijë familje shqiptare pronare të apartamenteve të tyre dhe mbi 460 mijë familje në fshat pronarë të fermave të tyre. Me fitoren e zgjedhjeve në vitin 2005 në një rast unik përzuri me votë nga pushteti ata që erdhën me dhunë dhe rebelim komunist. Në 8 vite të qeverisjes së saj, firmosi dhe ratifikoi Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit, anëtarësoi vendin në NATO, liberalizoi vizat për shqiptarët. PD dha ndihmesë thelbësore në Pavarësinë e Kosovës lajmin për të cilin e shpalli në Tiranë, me të famshmen “time is noë” Presidenti George Ë Bush në vizitën e parë dhe historike të një presidenti të SHBA në Shqipëri.
Qeveria e PD dha kontribute thelbësore në njohjet e Kosovës. Në tetor të vitit 2012 mori rekomandimin e Komisionit Europian për statusin e vendit kandidat, të cilin e bllokoi Edi Rama. PD luftoi me zero tolerancë krimin dhe bandat e tij. Vendosi para ligjit në 18 muaj mbi njëmijë bosë dhe anëtarë të bandave kriminale dhe bëri Shqipërinë një vend të sigurtë. Luftoi me vendosmëri korrupsionin. Ndërrmori reforma të thella si ulja e tatim fitimit nga 25 në 10% ulja e tatimit të ardhurave personale nga 23 në 10, pra vendosje të taksës së sheshtë prej 10%, ulja e Sigurimeve Shoqerore nga 32% në 15% për punëdhënësin ulja e tarifave doganore nga 6 në 1%, u krijua one stop shop për regjistrimin e bizneseve dhe u arrit reduktimi i kohës dhe kostos së regjistrimit nga 42 ditë dhe 4 mijë euro në gjithsej 30 minuta dhe vetëm 1 euro, u krijua Qendra Kombëtare e Licencave dhe Lejeve, pasi u hoqën mbi 2/3 e tyre.
Të gjitha këto reforma siç  pohojnë Komisioni Europian, BE, FMN, BERZH etj., bën që ekonomia e vendit, në kulmin e krizës financiare të botës, të vazhdojë të rritet dhe të mos njohë reçesion. Papunësia ra në 12.8% numri i bizneseve u trefishua. Eksporti dhe investimet e huaja u rritën përkatësisht me 300% dhe 316%. Të ardhurat buxhetore u dyfishuan. Kreditë për ekonominë u rritën 6 herë. Sipas Censusit të vitit 2011, 343 mijë familje shqiptare kishin më shumë se një shtëpi. Shqiptarët në banesa për 1000 banorë lënë mbrapa 5 kombe të BE.
Qeveria e PD rriti me 120-150% rrogat dhe 100% pensionet e ulta, ndërtoi dhe rindërtoi në mbarë vendin 11 mijë km rrugë. Ndërtoi rrugën e “Kombit”, autostradën Tiranë-Elbasan në të cilat vetëm tunele janë 16 km pra siç thotë KE më shumë se i gjithë rajoni. Ndërtoi dhe rindërtoi 1300 shkolla, 720 sisteme ujësjellësash dhe kanalizimesh, 10 impiante të ujërave të zeza dhe 400 qendra shëndetësore dhe spitale. U zgjeruan ndjeshëm portet e Sarandës Vlorës, Shëngjinit, u ndërtua Terminali i Aeroportit dhe u dyfishua, u ndërtua terminali i Portit të Durrësit dhe u shpall fituese kompania që do ta thellonte për anijë gjer në 50 mijë ton. Krahas infrastrukturës energjia u bë një përparësi tjetër madhore e PD. Nga fundi i vitit 2007 e në vazhdim morën fund ndërprerjet e energjisë elektrike që më parë ishin së paku 6-10 orë në ditë. Shqipëria u bë vendi i dy projekteve gjigante energjetike; TAP, gazsjellësi që do sjellë gazin azer në Itali, dhe kaskadës së Devollit. Qeveria firmosi ndërtimin e 420 hidrocentraleve me konçesion nga kompanitë private, nga të cilat 108 kanë përfunduar dhe 57 janë në ndërtim e sipër.
Shqipëria dixhitale është një nga realizimet madhore të qeverisë së PD. Përdorimi i internetit u rrit  nga 4,6% në vitin 2006 në 63% në vitin 2012, interneti dhe kabinetet e Informatikës u shtrinë në çdo shkollë, u garantua internet falas për popullatën në 1250 zyra në mbarë vendin, u ulën 3-5 herë çmimet e bisedave me celular, u licencuan dy kompani dhe u shtri në mbarë vendin teknologjia 3G.
Numri i studentëve u rrit nga 12 në 50 për 1000 banorë, 70% e maturantëve hynin në Universitet. Trupa akademike universitare u rrit nga 6 000 në 10.500. Ndjekja e shkollave të mesme u rrit nga 69 në 86%. Në zonat rurale u ndërtuan rreth 8 mijë km rrugë mbi 1 mijë shkolla e kopshte, 630 ujësjellësa dhe kanalizime, qindra km kanale vaditëse dhe kullues. Qeveria në 5 vitet e fundit subvencionoi 45 mijë projekte në bujqësi e blegtori, gjë që bëri të mundur të mbillen mbi 10 milionë rrënjë ullinj dhe miliona rrënjë mollë, arra, vreshta dhe dru të tjerë frutor. U ulën ndjeshëm importet u mbi dyfishua toka e punuar, eksportet bujqësore u rritën 2-3 herë.
Numri i turistëve dhe vizitorëve nga 300 mijë që ishte në vitin 2004 u rrit në 4,7 milionë në vitin 2012.
Shqipëria e cila në vitin 1992 ishte vendi i tretë më i varfër i planetit së bashku me Ugandën dhe Angolën, nga viti 2008 kaloi në grupin e vendeve me të ardhura të mesme të larta. Që nga viti 1992 ajo është rritur 21 herë ndofta më shpejt se çdo vend tjetër. Shqipëria ende nuk është vend i zhvilluar, por ka arritur disa vende të zhvilluara në vdekshmërinë amtare, foshnjore dhe atë të përgjithshme dhe në jetëgjatësinë mesatare të popullatës. Në vitin 2013, shqiptarët me vullnetin e tyre hodhën poshtë kontratën me Sali Berishën dhe votuan për një kontratë tjetër.
Respektova plotësisht vendimin e tyre dhe mora vendimet e duhura. Në katër vite Edvin Kristaq Rama nuk ka mbajtur asnjë premtim elektoral, nuk ka ulur, por ka rritur taksat për 95% të shqiptarëve, ngriu për tre vite rrogat e tyre jo që nuk krijoi 300 mijë vende pune, por largoi nga Shqipëria mbi 200 mijë shqiptarë nga vetëm 432 vetë që kërkuan azil politik në Gjermani në vitet 2011-2012 të marra së bashku. Ky është eksodi i dytë masiv i shqiptarëve në 25 vite. Por kësaj radhe të ardhurat për frymë në Shqipëri nuk janë 204 dollarë, por mbi 11 mijë dollarë, kësaj radhe po ikën masivisht softi perëndimor i vendit, sepse pasiguria është ekstreme dhe sepse Rama vret çdo orë shpresën shqiptarëve.
Në katër vite në Shqipëri nuk ka ardhur asnjë investitor i huaj i madh, po janë larguar disa qindra, disa prej tyre ndër ta edhe më të mëdhenjtë. Në katër vite nuk ka ndërtuar asnjë km rrugë, shkollë të re ujësjellës apo kanalizime në mbarë vendin, por vendosi taksat më të larta për rrugët. Në katër vite Edvin Kristaq Rama i bëri gjëmën më të madhe, i vendosi damkën më të zezë Shqipërisë pas Enver Hoxhës, duke e kthyer në Narko-republikën e dytë në botë pas Panamasë së Noriegës. Filmimi i 17,6% të territorit në vitin 2016 zbuloi 2100 plantacione kanabisi, pra në të gjithë territorin duhet të jenë mbi 10 mijë të tilla. Vetëm këtë, vit policia njofton se ka korrur 2,5 milionë bimë kanabis.
Mbi 10 mijë ton kanabis të korrura nga policia nuk janë asgjësuar sipas rregullave ligjore. Raporti i fundit i DASH për herë të parë në 26 vjet shprehet për korrupsion galopant (rampant) Kurse interpoli në raportin e fundit shpall Shqipërinë epiqendër rajonale të krimit të organizuar çka do të thotë vendi është sot protektorat krimi dhe koka e meduzës së krimit është Edi Rama. Vetëm vitin e kaluar u vodhën në tendera, dogana dhe tatime nga qeveritarët 1,2 miliardë euro. BERZH shpalli Shqipërinë vendi më i korruptuar i Europës kurse Forumi Ekonomik Botëror si vendi i dytë në botë për braktisjen nga qytetarët e saj.

Exit mobile version