Partia Demokratike përkujtoi sot 75 vjetorin e Kryengritjes Antikomuniste të Postribës, e para kryengritje antikomuniste në Shqipëri.
Në këtë ceremoni përkujtimore ndodheshin nënkryetari i PD, Alfred Rushaj, kryetari i Degës së PD Shkodër, Xhevdet Amuli, deputetë të PD të Shkodrës dhe dhjetëra qytetarë.
Nënkryetari i PD, Alfred Rushaj u shpreh gjatë fjalës së rasti se, “na persekutoi, por nuk na poshtëroi dot. Na vrau, por nuk na zhduku”.
“Njësoj si gjyshi im, që u vra duke luftuar me brigadën më famëkeqe të Sigurimit 1 vit përpara Kryengritjes së Postribës, burrat dhe gratë e Postribës që sakrifikuan jetën dhe familjet për lirinë kanë një mesazh për ne. Ata na thone se komunizmi u mundua të na trembë, por më të fortë na bëri. Na persekutoi, por nuk na poshtëroi dot. Na vrau, por nuk na zhduku. Se nuk mund të zhduket ndjenja e lirisë prej famijeve patriote. Se nuk mund të trembësh atë qe e ka vrarë frikën nga i keqi. Se nuk mund të poshtërosh atë që është mësuar të jetojë me dinjitet”, u shpreh ndër të tjera Rushaj.
Drejtuesit e PD dhe deputetët e zgjedhur vendosën kurora me lule në memoralin kushtuar të rënëve në Kryengritjen Antikomuniste të Postribës.
Lëvizja antikommuniste e Postribës
Kryengritja e Postribës është ngjarja që na mbledh këtë 9 shtator, për të kujtuar ato njerëz trima dhe patriotë të këtij vendi, që 75 vite më parë organizuan të parën lëvizje antikomuniste në gjithë Europën Lindore.
75 vite më parë, paria e qytetit të Shkodrës, antikomunistët e vërtetë dhe nacionalistët nga fshatrat e Shkodrës, kryesisht nga Postriba, e kishin kuptuar që në fillim se çfarë do të ishte Shqipëria komuniste, se si i ashtuquajturi “Fronti Popullor”, i cili luftën antifshiste e kishte kthyer në një luftë civile, po vendoste në këtë vend diktaturën dhe dhunën më të egër në të gjithë Evropën. Osman Haxhija e Jup Kazazi do të bashkonin 200 burra, që do të merrnin armët për t’iu kundërvënë atij regjimi që vetëm në dy vitet e para të tij në Shkodër, kishte ngritur vetëm burgje dhe sekuestronte pasuritë e qytetit.
Postribakë e shkodranë ngritën krye sepse nuk pranonin të ishin “skllevër” të regjimit komunist i cili që në vitet e para të instalimit të tij, i mori gjithçka duke i shpronësuar e varfëruar. Siç thonte një prej organizatorëve të lëvizjes, Osman Haxhia, ”na morën gjanë e tokën, tu na kthy në rrogtar të robnuem, na detyruen me ba nji jetë të varfën dhe pa nder”. Lëvizja e Postribës nuk ishte një luftë ideologjike kundër komunistëve, as ndonjë përplasje Veri-Jug. Kryengritja e Postribës ishte një luftë mes lirisë e dinjitetit kundër nënshtrimit dhe spiunimit që ishte modeli i vetëm që ofronte regjimi i ri. Prandaj banorët e Shkodrës dhe Postribës edhe pse e dinin se mundësitë për të fituar ishin shumë të pakta, vendosën të ngriheshin në këmbë pikërisht në momentin kur diktatura komuniste dukej e pamposhtur, dhe gjetën guxim e forcë për të mos e pranuar. Lëvizja do të shuhej me një dhunë të pashembullt. U vranë 64 burra, u burgosën 1200 të tjerë, dhe muajt e mëvonshëm do të shënonin internimin e qindra të tjerëve, duke mos llogaritur djegien e mjaft shtëpive, si dhe sekuestrimin e pasurive të të gjithë pjesëmarrësve në kryengritje.
Prandaj, ajo që ne përkujtojmë sot nuk ka qenë thjeshtë një sfidë antikomuniste lokale shqiptare, por një ngjarje me domethënie dhe vlerë shumë më të gjerë. Lëvizja e Postribës ka pasur dhe ka vlera të padiskutueshme qytetare, ajo ishte lëvizja e atyre që nuk besuan kurrë tek komunizmi. Ajo në atë moment nuk ja arriti qëllimit, por ajo do të mbetet përgjithmonë një simbol i qëndresës nacionaliste kundër komunizmit. Shqipëria ishte e destinuar të vuante diktaturën 50-vjeçare, falë edhe qeverisjes diktatoriale të Enver Hoxhës dhe përkrahësve të tij. Për këtë arsye, Lëvizja e Postribës duhet të marrë vlerat e saj, pasi ajo ishte shkëndija e parë për rezistencën antikomuniste jo vetëm tek ne, por në të gjithë Evropën. Kryengritja e Postribës dëshmoi se diktatura nuk mund të ishte aspak ashtu si e paraqiste propaganda e saj.
Edhe sot, pas 75 vitesh, kryengritja e Postribës ka një mesazh të fortë për të na dhënë. Beteja me diktaturën nuk është një ngjarje e mbyllur 30 vite më parë. Jo, mesazhi i asaj lëvizjeje vazhdon jehojë edhe për ne sot. Pinjollët e atyre që vranë e persekutuan Jup kazazin, Osman Haxhinë e qindra postribakë e shkodranë, sot po e kthejnë këtë vend në një hapësirë të shkretë. Jo shumë ndryshe nga nga 75 vite më parë kur na vrisnin, sot po na përzenë.
Mjafton të shohim sesi pjesa më e mirë dhe më vitale e kësaj zone, të rinjtë janë detyruar të largohen drejt një jete më të mirë, sepse si dje që na sundonin me burgje e internime, sot na kanë pushtuar ekonomikisht, e po na vrasin shpresën për një jetë të mirë në këtë vend.
Lavdi atyre burrave që vranë frikën, në 9 shtatorin e 1946!
#partiademokratikeshkodër #XhevdetAmuli